l
Faqe e Pare
Organizata

veterani arkiva
veterani Veterani

link Linke

 

 
Si u emërtua batalioni "Themistokli Gërmenji"

Sipas kujtimeve të Ali Vinçanit, ish komandant i këtij batalioni. (Fragment)

*Ali Kareman Dervishi-Vinçani (1908-1981) ka qënë vëllai i Gjeneral Nexhip Vinçani – "Nderi i Kombit".

Nga Maksim S. Vinçani
(Nip i Ali Vinçanit)

Më 15 Maj 1943 në Voskopojë u krijua Batalioni "Th. Gërmenji". Batalioni u krijua mbi bazën e Çetës partizane të Rrëzës-Korçë. Efektivi i Çetës së Rëzës kishte arritur deri në këtë kohë rreth 80 veta (kjo çetë me komandant Ali Vinçanin dhe komisar Kristo Mushin e më pas Spiro Shalësin, ishte krijuar më 28.09.1942, pak ditë mbas Konferencës së Pezës - shënimi im). Përveç efektivit të Çetës së Rrëzës së Korçës, me krijimin e tij, u përfshinë në këtë batalion dhe një pjesë e të rinjve Korçarë që dolën partizanë në Mitingun e Voskopojës, si dhe të rinj nga fshatrat e Rrëzës, Gorës dhe Oparit. (Në vazhdim Aliu flet për strukturën e Batalionit, me emrat e kuadrove të batalionit, të kompanive e të skuadrave). Me krijimin e Batalionit, lindi problemi i vënjes së emrit. Disa ditë më parë, së bashku me komisarin e çetës, u thirrëm nga shokët e Qarkorit të Korçës të cilët ishin në shtëpinë time në Vinçan dhe m'u komunikua vendimi i formimit të Batalionit dhe emrat e kuadrove kryesorë, ku isha caktuar unë si komandant i këtij Batalioni. Mbasi na uruan për detyrën e re dhe mbasi këmbyem disa fjalë për organizimin, fjala shkoi për emrin që do pagëzohej ky batalion, ku u shfaqën disa mendime. Babai im Karemani, i cili ndodhej në dhomë kur bisedohej kjo çështje u hodh dhe tha: "Po të doni, ju propozoj unë emrin që duhet t'i vini këtij batalioni. Meqënëse me Themistokli Gërmenjin me kohë kam qënë bashkëpunëtor i ngushtë dhe shok armësh për indipendencën e Shqipërisë dhe që ka zhvilluar aktivitet të madh politik e patriotik në këto anët tona, mendoj që të përjetësohet emri i tij edhe nëpërmjet këtij batalioni, e t'ja vemë emrin Batalioni "Themistokli Gërmenji". Në vijim Karemani tha; Kur na lind ndonjë djalë, dëshira e shqiptarit është që të ketë emrin e ndonjë trimi e patrioti të shquar apo dëshmori që të përjetësohet e të mos humbasë kurrë emri i tij. Edhe nëna kur e përkund fëmijën në djep i këndo "Të bëhesh trim i madh, si filani!". Trim e patriot ka qënë Themistokli Gërmenji, që tërë jetën e tij, deri sa ra dëshmor, e shkriu për Shqipërinë. Po të merret parasysh dëshira ime, quajeni Bataljoni "Themistokli Gërmenji. Të gjithë ishin dakort dhe e pëlqyen shumë këtë emër dhe kështu u vendos. Mbas kësaj, plaku (Karemani) m'u drejtua mua e më tha: "Ky mor djalë, ky emër, është shumë i shtrenjtë për Shqipërinë dhe për mua. Me Themistoklinë kemi punuar e luftuar për Shqipërinë më shumë se 10 vjet. Duhet që bashkë me shokët të mbani lart nderin e këtij emri e të mos e turpëroni. Dhe me këtë emër ky bataljon uroj të ketë gjithëmonë fitore mbi armikun, ashtu siç luftonte dhe jetonte Themistokli Gërmenji!




Kololel Sotir Budina Kryetari i OBVL-së


 

Arkiva e gazetes