l
Faqe e Pare
Organizata

veterani arkiva
veterani Veterani

link Linke

 

Për librin e Preng Vorfit "HEROI I HESHTUR I KOHËS MARK NDREC VLADI I LURËS"
I HESHTUR, POR I PAHARRUAR

Nga Shaban SINANI
Prof.dr. akademik
Sekretar Shkencor i Akasemisë së Shkencave

• Figura e Mark Ndrecë Vladit, me historinë e origjinës, të lidhjeve familjare, të vështirësive të rritjes e të formimit, të pjesëmarrjes në luftën çlirimtare si antifashist, të përgjegjësive që mori në një prej kohërave më të vështira - në vitet e mëkëmbjes së pushtetit që doli nga lufta dhe të mbrojtjes së tij prej ndërhyrjeve nga jashtë e nga brenda, ka qenë më se e mjaftueshme për një monografi.

Libri i Preng Vorfit, kushtuar fi-gurës së Mark Ndrec Vladit, është shkruar me një dashuri të shkëlqimtë për personalitetin të cilit i është dedikuar; për historinë e vendlindjes së tij, Lurës, një mrekulli natyrore e njerëzore, një rezervàt virtytesh e visaresh; për trashëgiminë historike e kulturore që ka ndërlidhur Mirditë e Dibër, Mat e Lumë, me Lurën si krahinë "më vete e me të tjerë".
Figura e Mark Ndrecë Vladit, me historinë e origjinës, të lidhjeve familjare, të vështirësive të rritjes e të formimit, të pjesëmarrjes në luftën çlirimtare si antifashist, të përgjegjësive që mori në një prej kohërave më të vështira - në vitet e mëkëmbjes së pushtetit që doli nga lufta dhe të mbrojtjes së tij prej ndërhyrjeve nga jashtë e nga brenda, ka qenë më se e mjaftueshme për një monografi.
Por Preng Vorfi nuk do të ndihej i qetë po ta ndante Mark Ndrec Vladin prej gjithçkaje që lidhet me Lurën, duke filluar prej përmendoreve të natyrës deri tek ato të trimërisë dhe besnikërisë, urtësisë e shpirtit krijues; prej "karareve", të ngjashme e të pangjashme me "kanû i Lekës", po aq edhe me "kanû të gegëve", deri te vlerësimet e larta të personaliteteve më të shquara, ardhur nga bota (misionarë, eksploratorë, antropologë, udhëpërshkrues) dhe të tjerë po aq të shquar nga vendi; prej familjeve të mëdha e dyerve fisnike deri te vendimet "pari e vogjli".
Është një zgjedhje shumë origjinale, me siguri që rrjedh nga përgjegjësia e dashuria, ftesa që Preng Vorfi u ka bërë personaliteteve nga Lura e përreth: publicistë e studiues, ushtarakë të lartë e burra me mend të shkruajnë dhe ata në librin e tij vlerësime vetjake për Mark Ndrecë Vladin, duke ia paraqitur lexuesit figurën e tij nga shumë pika vështrimi, që konkurrojnë e plotësojnë njëra-tjetrën.
Nuk e di nëse Preng Vorfi e njeh letërsinë e Martin Camajt dhe sintagmën e tij "më vete dhe me të tjerë". Por e sigurt është që në konceptin e tij, Mark Ndrecë Vladi nuk do të kishte hijeshi pa personalitetet e tjera të Lurës: kryengritës e dëshmorë, komandantë e shkollarë, drejtues institucionesh e pleqnarë, trima të çartur e interpretë kanunesh, pa diferencuar epoka, ngjarje e zhvillime. Preng Vorfi nuk mban inat me të shkuarën, ai trembet të thotë fjalë të gabuar, sidomos për arsye ideologjike. E vetmja drojë e tij është të mos harrohen heronjtë e heshtur, ku bashkohet edhe heroi i tij qendror.
E themi kështu, sepse Preng Vorfi e ka rrethuar me heronj të tjerë Mark Ndrecë Vladin, duke krijuar një yllësi lurjanësh që të mahnit.
Unë, si i rritur në mjedise lurjane, që i kam njohur shumë prej njerëzve që përmenden në këtë libër, përveçse u çmalla me ngjarjet e figurat e gjalla që autori ka sjellë, ndjeva nderim për autorin, që, si një dëshmitar i ditur, pa u lodhur shumë për formën dhe stilin, ka punuar me një vullnet të admirueshëm për të ringjallur letrarisht heroin e vet, të heshtur po, por jo të harruar; duke u ndalur nyje pas nyje në të gjitha çastet e rëndësishme të jetës së tij, "prej së vogli deri në ditë të dekës".
Libri i Preng Vorfit është konceptuar si një enciklopedi e vogël për Lurën, prej lashtësisë deri te prekja otomane, duke përfshirë rezistencën fetare të lurjanëve, shpirtin kryengritës të tyre, bashkimin me rrjedhat më të përparuara të jetës kombëtare, si pavarësimi e antifashizmi, duke mos u trembur të hedhë vështrimin edhe në gjysmëshekullin e qeverisjes ideologjike, periudhë në të cilën shpërfaqet në dritë pozitive personaliteti i Mark Ndrecë Vladit. Për këtë, autori meriton falënderimet tona si lexues.




Kololel Sotir Budina Kryetari i OBVL-së


 

Arkiva e gazetes