l
Faqe e Pare
Organizata

veterani arkiva
veterani Veterani

link Linke

 

 

Lule more trima që ratë për Atdhe!

• Shumë të rinj po largohen nga vendi, ndaj duke kujtuar 5 majin ne bëjmë dhe një apel! Duajeni më shumë Shqipërinë. Duajeni vatanin si dëshmorët tanë. Ne duhet të përulemi me respekt e mirënjohje, për të gjithë ata që kanë dhënë jetën për Atdheun

Nga Neki ÇAKO

5 Maji! Dita e dëshmorëve. Tashmë është bërë domosdoshmëri që më 5 Maj të nderojmë dëshmorët e kombit, që kanë dhënë jetën për çlirimin e Atdheut nga pushtuesit e huaj. E cilësuar zyrtarisht si Dita e Dëshmorëve, ajo është caktuar të përkujtohet si e tillë në nderim të 5 Majit 1942, ditës kur nga fashistët u vra Heroi i Popullit Qemal Stafa, i riu aktivist i Luftës Nacional Çlirimtare. Përpara krijimit të shtetit shqiptar, populli i kujtonte dëshmorët dhe i mbante gjallë legjendat e tyre, përmes këngës epike dhe trashëgimisë së historisë të tyre, kanë kaluar nga brezi në brez. Ja si shprehen për këtë ditë veteranë dhe pasardhës të tyre duke drejtuar apel publik që të rinjtë e sotëm ta duan Shqipërinë, siç e deshën dëshmorët. Sot është një domosdoshmëri që të investohet moralisht dhe materialisht, që monumentet, lapidarët dhe ç’do pllakë përkujtimore që simbolizojn gjakun e derdhur në beteja, të rifreskohen, të meremetohen, të rikthehen në vendet që ishin, si shenjë e respektit për dinjitetin e kombit.
Gjatë Luftës Nacional-Çlirimtare, fillojnë përpjekjet e para për të nderuar dëshmorët e rënë në fushat e betejave. Të rënët u bënë simbol i gjallë frymëzimi për luftëtarët e lirisë. Këngët për dëshmorët, dhënia e emrave të tyre reparteve partizane, shkrimet për aktin e tyre në shtypin e luftës dhe në fjalime, betimi para varreve të tyre, varrimi ceremonial partizan, të gjitha këto janë shprehje e vlerësimit për aktin dhe figurën e dëshmorit. Një krenari e ligjshme kjo, një krenari që na buron vetiu në gjithë qënien, për vetë faktin se prindërit tanë, vëllezërit dhe motrat tona, kanë rënë për gjënë më të shtrenjtë në botë, për idealin më të madh jetësor, çlirimin e Atdheut. Ndaj dhe populli I ka jetësuar në këngë “Kush ka rënë për Atdhe, nuk ka vdekur, por ka le”. Pa trimëritë e atyre dëshmorëve, pa luftën, sakrificat e panumërta të tyre, Shqipëria nuk do ishte kjo që është sot. Në shekuj, armiqtë e jashtëm donin të na gllabëronin, ndërsa armiqtë e brëndshëm donin të na shisnin. Pra, kemi pasur armiq dhe tradhtarë. Kur shikon historinë e popullit tonë, habitesh sesi kanë luftuar përballë superfuqive ushtarake, përballë armiqëve të armatosur deri në dhëmbë, për të na shuar si komb dhe si shtet. Por ishin këta dëshmorë, ishin këta njerëz, këta idealistë, këta yje të pashuar, që vunë atdheun para jetës së tyre të re. Guriçkat nuk e gjuajnë dot malin, pasi thërrmohen!. Kështu do të thoshte dëshmori parë i Kurveleshit Dalip Tare Seferi (Tigri). Dalip Tare u lind në Nivicë të Tepelenës në një familje të varfër dhe shumë patriotike. Babai Tare Seferi ishte një patriot I flaktë. Ndërsa nënë Gjylsua një grua tipike labe, që i priste fjala shpatë. E ëmbël e dashur, një grua zonjë me karakter të forte. Do ti rriste me mundime fëmijet e saj. Zgjedha e pushtuesëve kishte përfshirë vëndin. Regjimi në fuqi po ushtronte presion për të mos rritur më numuri I çetës së parë të Kurveleshit që u krijua më 1 Prill 1942 në vëndin e quajtur Maja e Shake në Gusmar. Një ndër çetat e para në shkallë vendi pas asaj të Pezës në Tiranë. Kjo çetë u krujua nga tetë luftëtarë, pesë nga Kurveleshi i sipërm ( Mustafa Matohiti, Ago Cela, Xheladin Beqiri dhe dy vëllezërit Dalip Tare Seferi dhe Sali Tare Seferi dhe tre nga Kurveleshi i poshtëm, Bexhet Mema, Memo Meto dhe Ali Lala. Komandant i çetës u zgjodh Bexhet Mema, Komisar Mustafa Matohiti dhe zëvendëskomandant Ago Çela. Kjo çetë tashmë e rritur në numër zhvilloi luftime të ashpra në Shurin e Gusmarit, në Gërxhun, në Ujin e Ftohtë, në Tepelenë etj. Në këto luftime armiku u dëmtua në njerëz e në materiale. Edhe nga ana e partizanëve pati humbje. Në këto luftime në 1 Nëntor 1942 ra duke luftuar trimi Dalip Tare Seferi, njëri nga pjesëtarët e parë të çetës së Kurveleshit së bashku me katër trima të tjerë. Kurveleshi si krahinë në zemër të Labërisë ka një histori të lashtë të mbushur me akte patriotike dhe atdhetare.
Fashistët Italianë dhe përkrahësit e tyre, kur panë përkrahjen në popull dhe zgjerimin e shpejtë të çetës i shtuan forcat dhe përdorën të gjitha format që çeta të mos merrte përmasa. E pa mundur! Revolta popullore kishte nisur. Pas aksioneve të sukseshme të çetës, që ishte rritur dhe rritej në numër. Pushtuesit dërguan forca të shumta që të hakmerreshin, duke djegur shtëpi dhe duke arrestuar disa persona. Por përgjigjen e mori me armë. Të frikësuar nga kjo gjendje ata u larguan. Me veprime të shumta dhe përkrahjen që i dha dhe po i jepte populli në mbështetje të luftës çlirimtare, me urdhër të komitetit qarkor të Gjirokastrës u vendos që të goditnin dhe të eliminonin forcat e fashizmit dhe pushtetin e tij në prefekturën e Kurveleshit që 28 Nëntori 1942 të festohej me çlirimin e plotë të Krahinës.
Megjithëse koha ishte me shtrëngatë dhe furtunë me shi e dëborë, luftëtarë nga gjithë fshatrat e Kurveleshit rrethuan natën Nënprefekturën e Gusmarit dhe i bënë thirrje autoriteteve fashiste të komunës që të dorëzoheshin. Ata, pasi panë se nuk kishin mundësi të vepronin ndryshe u dorëzuan. Kështu krahina u çlirua! Nisi kremtimi i fitores. Pas kësaj, partizanët do të bashkoheshin në formacione të tjera luftarake në brigade të ndryshme në luftë për çlirimin e plotë të vëndit. Dëshmorët, këta heronj të heshtur historia i ka shkruar në Panteonin e pavdekësisë, i ka shkruar në gjirin e shenjtë të Atdheut. Vlerat njerëzore po i shikojmë se zhbëhen dhe dashuria për Atdheun po venitet. Shumë të rinj po largohen nga vendi, ndaj duke kujtuar 5 majin ne bëjmë dhe një apel! Duajeni më shumë Shqipërinë. Duajeni vatanin si dëshmorët tanë. Ne duhet të përulemi me respekt e mirënjohje, për të gjithë ata që kanë dhënë jetën për Atdheun. Kjo për mua është një ditë kur ne kujtojmë dhe duhet të kujtojmë duke vlerësuar me veneracion të gjithë ata që dhanë jetën e tyre. Shumë respekt për të gjithë ata që u ndanë nga jeta në ato beteja. Lavdi dëshmorëve të krahinës së Kurveleshit dhe gjithë Shqipërisë. Lavdi veprës së tyre të ndritur!
I përjetshëm kujtimi i tyre!



Kololel Sotir Budina Kryetari i OBVL-së


 

Arkiva e gazetes