l
Faqe e Pare
Organizata

veterani arkiva
veterani Veterani

link Linke

 

 

Brigada e 12-të Sulmuese la
në altarin e lirisë 105 dëshmorë

Kol. ® Sotir BUDINA-Kryetar i OBVL

Forcat i organizoi në katër batalione me një efektiv të përgjithshëm prej rreth 650 luftëtarësh. Veprimet luftarake kryesore i zhvilloi në krahiën e Dëshnicës të Përmetit, në Kurvelesh, gjatë bregut të detit Jon, në Vlorë dhe në zonën e Peqinit. Ndër luftimet më të rëndësishme ishin ato të zhvilluara prej 3-9 qershorit në Therepel, në Vokopolë, në Qafë-Shkozë, në Rehovë, në Qafën e Kiçokut e në Arrëz të Beratit, për mbrojtjen e drejtimit Berat-Këlcyrë; luftimet në Kurvelesh, në grykën e Bënçës e të Salarisë, në Qafën e Kreshtës dhe Zhurin e Kuçit, nga 11-23 qershor; luftimet gjatë bregut të detit Jon e Adriatik dhe në Vlorë, nga fundi i korrikut deri në fund të tetorit, gjatë të cilave, së bashku me Br. XIV S (shih), çliroi Sarandën, ndërsa më 15 tetor çliroi me forcat e veta qytetin e Vlorës. E inkuadruar që në tetor në D. III S (shih), në nëntor kaloi në Shqipërinë e Mesme, ku zhvilloi luftime në rrugën automobilistike Elbasan-Peqin, të cilën e mbajti nën goditje të vazhdueshme, për të mos lejuar armikun t’i çonte përforcime garnizonit të Tiranës. Gjatë kësaj kohe., së bashku me Br. XI S (shih) mori pjesë në çlirimin e Peqinit, Kavajës e Durrësit. Partizanët e saj i shkaktuan dëme të mëdha armikut në njerëz e material luftarak. Nga efektivi i Brigadës ranë dëshmorë 105 partizanë e kuadro. Më 18 nëntor Br. XII S, u rreshtua në D. I S dhe u përqendrua në qytetin e Gjirokastrës e më vonë në atë të Sarandës. Në këtë kohë kishte në efektiv rreth 1250 luftëtarë.
* * *
Brigada e 12 Sulmuese u krijua në zjarrin e Luftës Antifashiste Nacional-Çlirimtare. Ishte maj i vitit 1944, kur partizanët shqiptarë po vulosnim me betejat dhe gjakun e tyre fitoren e kësaj lufte çlirimtare, antifashiste, patriotike dhe emancipuese për Shqipërinë dhe kombet e qytetëruara.
Ishte 20 maji 1944, kur 600 partizanë e partizane të ardhur nga Zona e Parë Operative Vlorë-Gjirokastër, në Sukë krijuan Brigadën e 12, nën drejtimin e Komandantit Refat Bajrami dhe Komisarit Qemal Klosi, dy personalitete të shquar të Luftës Antifashiste Nacional-Çlirimtare.
Brigada e 12 ka shumë merita lufte, trimërie dhe heroizmi. Por kjo Brigadë ka edhe një meritë të veçantë, që e dallon nga formacionet e tjera të Ushtrisë partizane: numrin shumë të madh të vajzave luftëtare. Rreth 200 vajza ose 30 përqind e luftëtarëve të Brigadës ishin vajza. Kjo rrethanë zbulon një tipar tjetër të vlerave antifashiste: lidhjen e tyre me vlerat shoqërore dhe kulturore emancipuese.
Antifashizmi nuk ishte vetëm çlirimi prej pushtuesve nazistë e fashistë, por hapi rrugën për progres të gjithanshëm politik, shoqëror e kulturor në gjithë botën e qytetëruar. Prej këtij progresi nuk përfituan vetëm kombet fituese, por të gjitha kombet, të gjithë vendet dhe të gjithë popujt.Brigada e 12 ka një bilanc të pasur betejash e fitoresh.
Pas përfundimit të Kongresit, luftëtarët e saj shkruan faqe heroizmi e lavdie në luftimet e Qafës së Kiçokut, në Tepelenë, Kurvelesh, Vlorë, Llogara, Himarë, Therepel, Vokopolë, Rehove etj.Njësive të saj u takom merita e çlirimit të Sarandës, Vlorës, Sazanit, Peqinit, Rrogozhinës, Kavajës, Durrësit e Shijakut.


Brigada e 12-të Sulmuese la në altarin lirisë 105 dëshmorë, të cilët i kujtojmë sot me respekt e nderim të thellë. Trimëria legjendare e djemve dhe vajzave të Brigadës së 12 nuk përfundoi më 29 nëntor 1944.
Veteranët e saj, pasardhësit e tyre dhe familjet e dëshmorëve të lirisë kanë mbajtur e mbajnë gjallë frymën antifashiste, patriotike, progresiste dhe europiane të luftëtarëve të saj. Dekoratat që ndrisin në gjokset e ish-partizanëve e partizanave të kësaj brigade janë mirënjohje dhe dëshmi e një epopeje nga më të lavdishmet në historinë tonë kombëtare, të devocionit e sakrificave sublime në shërbim të Atdheut, lirisë dhe progresit. Shkëlqimin e tyre nuk ka argument apo pseudo-historian që ta mohojë. Antifashizmi, atdhetarizmi, përkushtimi e sakrifica për liri e progres nuk vjetërohen kurrë. Këto vlera qëndrojnë në themel të Europës dhe qytetërimit të sotëm perëndimor.
20 maji 1944 i Brigadës së 12 është vetëm 1 vit e 11 ditë larg nga 9 maji i vitit 1945, ditës së fitores së madhe të përbotshme mbi fashizmin.
Është 6 vjet dhe 11 ditë larg nga 9 maji i vitit 1950, Ditës së Europës, e cila shënoi themelimin e familjes europiane.Prandaj vlerat antifashiste qëndrojnë në themel të qytetërimit të sotëm europian dhe perëndimor dhe ato e shtyjnë botën drejt të ardhmes, sigurisë, paqes dhe zhvillimit.
Prandaj kolaboracionizmi, duke i kundërqëndruar antifashizmit, e tërheq botën drejt të shkuarës, pasigurisë, errësirës dhe regresit.Ne e kemi bërë zgjedhjen tonë: të vazhdojmë pa u ndalur në rrugën që çeli Brigada e 12, antifashistët, partizanët, çlirimtarët dhe veteranët shqiptarë. Vetëm kjo rrugë na shpie drejt Europës. Prandaj kundërvënia e sotme ndaj Europës ngjan me kundërvënien e djeshme ndaj Luftës.





Kololel Sotir Budina Kryetari i OBVL-së


 

Arkiva e gazetes