l
Faqe e Pare
Organizata

veterani arkiva
veterani Veterani

link Linke

 

 

Misioni i UÇK-së nuk ka qenë lufta për pushtet por për liri dhe drejtësi

• Drejtësi për UÇK-në që solli lirinë dhe për epokën e lavdishme që përfaqësojnë drejtuesit e saj


Nga Bashkim Hisari

Gjykimi ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi që gjenden në paraburgim në Hagë, që u hap në fillim të muajit prill dhe po vazhdon me dëshmitë e blinduara në senca të mbyllura dhe gjysëm të mbyllura, ka marrë vëmendje jo vetëm në opinionin shqiptar por edhe ndërkombëtar.
Rasti kundër tyre përmban gjithsejt dhjetë akuza nga të cilat, gjashtë për krime kundër njerëzimit dhe katër për krime lufte të kryera në disa qytete të Kosovës dhe zona në veri të Shqipërisë gjatë periudhës nga marsi i vitit 1998 deri në shtator 1999. Ata ngarkohen për përndjekje, arrestim dhe ndalime të paligjshëme, burgosje, trajtim mizor, torturë, vrasje, zhdukje me forcë të personave dhe akte të tjera ç`njerëzore ndaj shqiptarëve dhe pjestarëve të pakicave etnike, serbe e rome, dhe të tjerëve që janë konsideruar bashkëpuntorë të forcave serbe ose kundërshtarë politik të UÇK-së.
Në ditën e parë të gjykimit, prokurorët e Zyrës së Prokurorit të Specializuar në Hagë kanë përdorur komunikata të UÇK-së, intervista televizive, dokumentarë, si dhe shënime personale, që
u gjetën si prova kryesore për të argumentuar krimet për të cilat akuzohen. Sipas aktakuzës, katër
të akuzuarit dhe anëtarë të tjerë të UÇK-së ishin pjesë e një “ndërmarrjeje të përbashkët kriminale” dhe “kanë ndarë qëllimin e njejtë për të marrë dhe ushtruar kontrollin në gjithë Kosovën me të gjitha mjetet, përfshirë edhe frikësimin, keqtrajtimin, ushtrimin e dhunës, zhdukjen me forcë dhe eliminimin e atyre që i konsideronin kundërshtarë”.


Zyra e Prokurorit të Specializuar deklaroi se nuk bëhet fjalë për një proces kundër UÇK-së e as kundër luftës për liri, por vetëm ndaj katër individëve. Megithatë, në Hagë, po akuzohen krerët e UÇK-së dhe bartësit e funksioneve më të larta partiake e shtetërore që sipas aktakuzës janë mbledhur dhe janë organizuar për të kryer krime lufte e për të vrarë civilë, që nuk është e vërtetë.
Misioni i UÇK-së nuk ka qenë lufta për pushtet por për liri dhe drejtësi. Por, Prokurori i Specializuar, Alex Whiting, tha se të akuzuarit kanë “personalisht përgjegjësi” për krimet për të cilat ngarkohen.
Sipas Zyrës së Prokurorit të Specializuar, gjatë kohës që e mbulon aktakuza, kishte pasur: ”mbi 40 qendra të ndalimit, ku në mënyrë të paligjshme ishin ndaluar mbi 440 persona, të paktën 102 viktima ishin vrarë dhe mbi 20 konsiderohen të zhdukur”. Për këto raste, Zyra e Prokurorit të Specializuar tha se ka 312 dëshmitarë që do të ftohen të japin dëshminë para gjykatës.
Udhëheqësi i hetuesve në Zyrën e Prokurorit të Specializuar Ward Ferdinandusse, paraqiti një sërë komunikatash të lëshuara nga Shtabi i Përgjithshëm, që sipas tij dëshmojnë se të akuzuarit kishin shënjestruar kundërshtarët e perceptuar të UÇK-së.
Në ditën e parë të gjykimit, fjalën hyrëse e kishte edhe mbrojtësi i viktimave, Simon Laës i cili tha se në mesin e 140 viktimave, ka pasur shqiptarë, serbë, romë, myslimanë, katolikë dhe ortodoks dhe kanë pasur vetëm një gjë të përbashkët: - “Ata ishin viktima të krimeve që nuk kishin pikë justifikimi”.
Ndryshe, të katër të akuzuarit u deklaruan të pafajshëm. Hashim Thaçi: -“Akuza është krejt e paqëndrueshme dhe deklarohem i pafajshëm plotësisht”; Kadri Veseli: - “Tërsisht i pafajshëm”; Jakup Krasniqi: - “Nuk mbaj asnjë përgjehjësi për të cilën flet aktakuza. Unë kurrë nuk kam qenë
në shërbim të ndonjë politike të krimit.”; Rexhep Selimi: -“Jam i pafajshëm në të gjitha pikat e aktakuzës... nuk kam frikë nga drejtësia, por nga padrejtësia”.
Avokatët mbrojtës thanë se të drejtat ligjore të klientëve të tyre janë shkelur vazhdimisht gjatë procedurës paraprake. Sipas mbrojtjes, ka pasur vonesa në zbulimin e provave, hezitim nga prokuroria për t’i dorzuar provat potencialisht shfajësuese dhe mungesë të përkthimeve në gjuhën amtare të të akuzuarve. Procedura paraprake në rastin kundër katërshes ka zgjatur më shumë se dy vjet. Duke kundërshtuar pretendimet e Zyrës së Prokurorit të Specializuar, ata thanë se ish krerët e UÇK-së nuk kanë pasur motiv të kryejnë krimet për të cilat akuzohen dhe theksuan se “nuk janë kryer në bazë të një politike të Shtabit të Përgjithshëm apo që ka pasur krime sistematike dhe të përhapur”.


Akuzat kundër krerëve të UÇK-së, janë thellësisht të palighshme. Ata kujtojnë periudhën e konfliktit brutal midis viteve 1998 dhe 1999, kur forcat e armatosura serbo-jugosllave kryen krime më të tmerrshme në kontekstin e kryengritjes së armatosur të UÇK-së dhe gjatë fushatës së
bombardimeve të NATO-s. Plani i shtetit të Serbisë ishte shkatërrimi dhe persekutimi i popullatës shqiptare.
Gjatë luftës në Kosovë, forcat serbe kanë kryer rreth 400 masakra, vranë mbi 13.500 persona, gra e pleq dhe 1.432 fëmijë, prej tyre 239 të moshës deri 5 vjeç. Të zhdukur deri në vitin 2018 mbetën 1.658 njerëz. Qytetarët janë përballur edhe me dhunë seksuale, ku numri i viktimave llogaritet të jetë rreth 20.000. Janë shkaktuar dëme enorme materiale. Nga Kosova janë dëbuar me force mbi 800.000 shqiptarë. Pushteti serb ende vazhdon të mohojë krimet dhe gjenocidin e ushtruar ndaj popullatës në Kosovë.
Në përkrahje të ish-krerëve të UÇK-së ,një ditë para fillimit të procesit në Hagë, disa qindra qytetarë morën pjesë në “Marshin për drejtësi”, që u organizua në Prishtinë. Organizatorët thanë se “Marshi për drejtësi” është ideuar për ta ruajtur “të vërtetën për luftën e UÇK-së”.
Në kohën kur filloi seanca, rreth tre kilometra larg ndërtesës së Zyrës së Prokurorit të Specializuar në Hagë, shqiptarë të Kosovës e diasporës organizuan edhe një protestë. Ata u shprehën se protestojnë për të kërkuar drejtësi për UÇK-në që solli lirinë dhe për epokën e lavdishme që përfaqësojnë. E konsideronin të padrejtë gjykimin që u bëhej dhe shpresonin se ata shumë shpejtë do të këthehen në Kosovë.


Nga procedura e Gjykatës Speciale në Hagë është zhdukur Raporti i hartuar nga Dick Marty, i publikuar në vitin 2010 dhe miratuar si rezolutë nga Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës. Ky raport që çoi deri te themelimi i Dhomave të Specializuara të Kosovës pas miratimit të ligjit për themelimin e saj në Kuvendin e Kosovës në vitin 2015, përmbante akuza për shkelje të rënda të të drejtave të njeriut: “trajtim ç`njerëzor, vrasje, marrje të organeve të viktimave dhe trafikimin e tyre gjatë luftës në Kosovë”


Pjesa më e madhe e raportit ishte përgaditur nga dokumentacioni i institucioneve serbe. Pos tjerash në rapot thuhej se “serbët dhe shqiptarët të rrëmbyer ishin të burgosur në kampet e fshehta të UÇK-së në veri të Shqipërisë ku janë tortoruar dhe në fund vrarë, kurse organet e tyre janë shitur në tregun e zi. Operacionet janë kryer në një klinikë në veri të Shqipërisë, nga ku janë
transportuar në aeroportin e Tiranës dhe me avion, te klientët e pasur”. Mirëpo, në gjykimin ndaj ish-krerëve të UÇK-së u dëshmua se nuk ka pasur trafikim organesh. Në aktakuzë nuk përmendet trafikimi i organeve. Nuk u vërtetua asgjë prej akuzave për “trafikim me organe njerëzore” që pretendohej se janë kryer në “Shtëpin e Verdhë”në veri të Shqipërisë.
Lidhur me këtë shpifje më herët është shpreh edhe ish - Ministri i Jashtëm i Frances dhe Kryeadministratori i parë i Kosovës, Bernard Kouchner. Ai, në përgjigje të pyetje s së një gazetari ka thënë: - “Janë të sëmurë ata që besojnë që ka pasur trafikim organesh”. Pretendimet janë hetuar edhe nga prokurori amerikan Clint Williamson, i cili ka bërë të ditur se gjetjet e ekipit të tij nuk përfshijnë dëshmi të bazuara për trafikim organesh. Qeveria e Shqipërisë është shprehur se akuzat janë lajme të rreme, të tmerrshme dhe nga Këshilli i Evropës ka kërkuar heqjen e “njollës së turpit të trafikimit të organeve njerëzore mbi kombin tonë dhe mbi vetë Këshillin e Europës”.
Në seancat private që po vazhdojnë pa publikun me dëgjimin e dëshmive të dëshmitarëve po mungon transparenca. Meqë seancat janë të mbyllura, publiku nuk ka mundësi të dëgjojë asnjë fjalë nga marrja në pyetje dhe deklaratat e dëshmitarëve, identiteti të cilëve është i mbrojtur.
Pra, në këtë proces kemi një gjykim jopublik që pamundëson të gjykojmë se a ka pasur prova të mjaftueshme për marrjen e vendimeve për çfarë publiku Kosovar po tregon mjaftë vëmendje dhe interesim. Shoqatat e UÇK-së mohojnë akuzat për krime, shprehin shqetësim për veprime të Speciales dhe vlerësojnë se kjo gjykatë është e njëanshme, politike, synon kriminalizimin e luftës së UÇK-së dhe konsiderohet se nuk është formuar që të prodhojë drejtësi.
Mirëpo, akuzat në Gjykatën Speciale lënduan tejmase imazhin ndërkombëtar të Kosovës. Strukturat politike dhe OJQ kosovare nuk arritën të ndërtojnë një reagim efikas ndaj kësaj fushate në arenën ndërkombëtare.





Kololel Sotir Budina Kryetari i OBVL-së


 

Arkiva e gazetes