Për të vërtetat për Hilmi Seitin, flasin djali, Agim Seiti dhe i verbëri Gjokë Vata
Nga Hyqmet Zane
26 prill 1960. Ishte fillimi i organizimit të një manipulimi me çamët që përfundoi me një tragjedi të të ashtuquajturit “grupi i çamëve”. Një truk sigurimi eleminoi fizikisht një njeri të dëgjuar për bëmat e tij në kryeqendrën e antikomunizmit, në Shkodër. Them fizikisht sepse legjenda për Hilmi Seitin jeton edhe sot e kësaj dite për atë çfarë e njohën dhe e përjetuan shkodranët çamin energjik dhe të besës. Kur bisedoja me ish të të përndjekurin politik, Lutfi Sejko, në rrëfimet e tij autentike më ka treguar shumë e shumë ngjarje të ndodhura dhe që ai ka qenë një dëshmitar okular, veçanërisht edhe për figurën e Hilmi Seitit. E tillë ishte ajo për Hilmi Seitin, një pjesëtar i organeve të sigurimit të shtetit. Ai sillej krejt ndryshe, jo ashtu siç e njohim ne këtë organ të diktaturës së proletariatit, pikërisht në Shkodër dhe pikërisht në një nga rajonet më antikomuniste në Shqiëpri. Çdo shkodran që takoja rastësisht dhe merrte vesh që isha nga Çamëria, menjëherë më përmendte emrin e Hilmi Seitit duke më folur me superlativa për sjelljen e tij prej babaxhani duke thënë epitetin “Baca Hilmija”, që thuhet se nuk bënte keq, por kishte gjithnjë raste të ndihmonte këdo, jo për t’i futur në burg por për ti dhënë mundësinë të ndërtonte jetën në familje.
Një zonjë nga Shkodra, e vjetër në moshë, më telefonoi dhe më tha se “Hilmija mbetet për mu një burrë i naltë. Aj na trajtonte ne si motra edhe pse ishim të persekutume nga regjimi. E kam rujt në kujtes mënyrën si aj sillej me na dhe asnjëher nuk niva kand të më thoshte i fjalë për Hilmian. Aj ishte burrë prej Çamërie”.
Lajmi se Hilmi Seiti ndrroi jetë pas një bisede me sekretarin e parë të Shkodrës, mori dhenë dhe funerali i këtij burri të Çamërisë ka qenë i madh dhe i veçantë, shumë njerëz që shprehnin pikëllim për këtë vdekje të papritur të këtij njeriu të respektuar. Hilmi Seitin ishte prologu i një genocidi të ri që do të zbatonte sigurimi i shtetit dhe udhëheqja e asaj kohe ndaj çamëve dhe çdo personaliteti të kësaj krahine. Është një rikujtesë për atë opinion që shpesh ka shoqëruar çamët, ku veç burgosjeve dhe vrasjeve e shumë e shumë ligësive të tjera, që përdori diktatura e Enver Hoxhës, reminishencat e së shkuarës nuk mund të zbehin forcën e origjinës dhe vitalitetin e një treve që me plot gojën mund të thuhet se është sa e persekutuar, aq edhe dinjitoze, sa e masakruar, aq edhe krenare.
Janë të shumta ato që janë e stërthënë për Hilmi Seitin sa një i përndjekur politik shkodran, kantautori i verbër, Gjok Vata, e citon me shumë respekt në librin e tij. Djali i Hilmi Seitit, Agimi, që fatkeqësisht nuk e njohu babanë e tij, se ishte motak, e kujton kështu babain e tij :
“Babanë e kam parë për vite të tëra vetëm në fotografi : i pashëm, i thjeshtë, sy të zgjuar dhe autoritar. Dy vjet më parë, një mik më thotë : “Hilmiu shfaqet për pak fraksione edhe në një dokumentar”. Të them të drejtën nuk po i besoja veshëve... Hyra në internet dhe ... e pashë : modest, profesional... Dy sekonda – një jetë. Mjafton. Nuk kam patur guximin t’ja them nënës time. I vogël e shikoja në ëndërr. Dëgjoja për babain, më përqafonin. E kërkoja, më tregonin. Pyesja nënën që më tregonte sa humor kishte, sa i dashur ishte. Të gjithë (rreth meje) tregonin. Vitet kalonin por njerëzit nuk rreshtnin, tregonin... “Si të quajnë? Çfarë e ke Hilmi Seitin? Ka qenë burrë! E ka dash e gjithë Shkodra... Mori vesh se filani donte të arratisej...E thirri ... i tha shko të fillosh punë...”.
Me dhjetra histori, njerëzish të thjeshtë që vazhdojnë edhe sot. Nuk besoj të jenë të shumtë ata njerëz të cilët duke mos e njohur babanë e tyre të gjallë, t’a kenë njohur aq mirë në marrëdhënie me të tjerët dhe në punën e tij. Një punë mjaft delikate. Gjithmonë në lëvizje, në dinamikë, me shumë detyra komplekse dhe reflektime, të kuptuarit e jetës dhe përballje. Përballje me servilë e të regjur. Përballje me njerëzit, eprorët, me veten. I rritur jetim, larg shtëpisë, ndër ata çamë të mitur të ndihmuar nga paria e Çamërisë për të shkuar në shkollë. Nëpër konvikte, në Luftë, në internim, në luftë me jetën, i vetëm dhe njëkohësisht me shumë shokë e miq, por që në asnjë çast nuk pranonte hipokrizinë.
Pas viteve 90-të, u shkrua periodikisht në gazeta të ndryshme dhe e vërteta mbi vdekjen e babait tim filloi të kristalizohet dhe të përputhet me dyshimin e hershëm të nënës time. Mësuam që Hilmi Seiti ishte kritikuar rëndë për zbutje të luftës së klasave. Mësuam që, zyrtarisht, Hilmi Seiti “nuk gjente gjurmë të veprimtarisë armiqësore të klerit në Shkodër” megjithëse kjo i ishte kërkuar që në fillimet e viteve 50-të. (“Veprimtaria armiqësore” u vërtetua në vitet 60-të deri sa u shembën edhe kisha e xhamija). Ridëgjuam, atë që dinim, që megjithë profesionin specifik që kishte zgjedhur, ndryshe nga shumë drejtues të lartë të Sigurimit e Policisë, Hilmi Seiti kishte ditur të bënte dallimin ndërmjet mjerimit dhe ideve. Babai im, Gjeneral-Major Hilmi Seiti e kishte zgjedhur rrugën e tij dhe si njeri me integritet dhe me një inteligjencë të rrallë u përpoq të bënte më të mirën në atë mori djallëzirash e mizorish gati mesjetare të kohës. Por ai nuk mund të bënte çmendurira. E vetmja çmenduri që bëri im atë ishte që nuk e shiti Çamërinë, që nuk mundi të pranonte tezën antishqiptare se çamët, ky popull kaq i zgjuar, vital dhe patriot, ishin në shërbim të Greqisë. Eleminimi i tij ishte pa dyshim vepër e kupolës drejtuese të shtetit komunist dhe i hapi rrugën jo vetëm realizimit të “komplotit çam” por edhe spastrimit të brezit intelektual e të shkolluar çam që me aq kujdes e vështirësi ishte formuar nga paria dhe familjet aq punëtore të Çamërisë. Kjo qe goditja e rradhës dhe më e ndyra që merrte popullsia atdhedashëse çame, por që këtë herë i vinte nga nuk e priste dhe për më tepër e etiketonte si të pabesë.
Krejt rastësisht më ra në dorë libri “Ditari i kujtimeve të mija” të shkruar nga Gjokë Vata. U befasova dhe e shfletova menjëherë këtë libër, aq më tepër kur mora vesh se autori ishte i verbër. Tashmë dihet se si u eleminua Hilmi Seiti nga sigurimi i shtetit më 26 prill 1960, pasi nuk pranoi të ishte pjesë e sajimit të grupit të ashtuquajtur të Teme Sejkos dhe Tahir Demit.
Fragmente nga libri “Ditari i kujtimeve të mia”, janë rrëfime autentike që flasin më shumë se çdo koment tjetër. Janë këto fragmente të mëposhtme që mes dialogjeve gjenden vlerësimet e veçanta për çamin-gjeneral Hilmi Seiti.
Fragmente nga libri
* “Çudi – foli Marku,- edhe autoritetet e këtij mut shteti mundohen me e nxanë piska njani-tjetrin. Mantho Bala të njeh shumë mirë, por e zemëron përkrahja që t jep Hilmi Saiti. Sado e vogël qoftë shpresa e luftës së karrierës mundohen me e shfrytzue. Këta e luftojnë njani-tjetrin me brryla të padukshëm e nënkambca të pahetueshme. Pak me i shkit kamba Hilmi Saitit, mundohen me ia nxanë kryet me derën edhe me përkrahjen që të kanë dhënë ty. Jo ma mund të pyes kush si po shket Hilmi Saiti. Kur shkitën ma të rrangut, po ky?”.
* “Ia tregova Hilmi Saitit sjelljen e autoriteteve me ty, ai ma priti :
“Nuk është në nderin e luftës së klasave përndjekja e Gjokës”.
Këto fjalët e ma të plotfuqishmit të Shkodrës po t’i hapnin dykapakësh dyert e të gjithave insitucioneve e me çka pava në të po të jep dorën me u ngjitë shpejt e shpejt aty nga u shkite.”
* “Filip Gjergji u ka dhanë rrugë fjalëve të Hilmi Saitit e ato janë përhapë ma shpejtë se do përhapeshin me një trasmetim radiofonik. Arsyetimet e gjeneral Hilmisë, pranohen në mënyrë të pakundërshtueshme nga të gjitha autoritetet e qytetit, prandaj qëndrimi i Hilmisë ndaj meje është ba qëndrimi i të gjithëve ose asht e shtime.”
* “Disa kangë e valle gjatë shfaqes u duartrokitën ngrohtësisht nga publiku. Përgëzimin e parë në skenë ma dha Hilmi Saiti. Në çastin e shtrëngimit të dorës duartrokitjet e publikut shpërthyen ma të fuqishmet. Këto duartrokitje synonin dy qëllime: me më shprehë përgëzimin ma të ngrohtë e dëshirën e rehabilitimit tim. Shembullin e Hilmi Seitit kush e dashtë e kush pa dashtë e ndoqën të gjithë autoritetet e pranishme. Veprimit tim muzikor iu akordue çmimi i parë i festivalit. Ky çmim, - tha Hilmi Seiti, - duhet me përmbushë angazhimet që kam marrë me emrin tand. Ky angazhim do tu japë zemër përpjekjeve të mija me ta hapë rrugën drejt ngjitjes, ndonse ecja mund të jetë e ngadaltë, qëllimi do arrihet siç dëshirojmë”.
* “Mark Tatiqi më tha : Në popull ka nisë me u folë keq për ty. Dhania e dorës e Hilmi Seitit interpretohet si bamja e lëshimit të ndytë që të hapë rrugn e favore të spiunit. Përgojimi i gojëkëqijve ma shndërron gëzimin në vuajtje e në krahin e këtij përgojimi ka nisë me ndejë edhe dyshimi im, mos vallë përkrahja e Hilmi Seitit lidhet me ndonjë kushtëzim politik? Prenk Jakova më tha : - shtrëngoju fort për duart e Hilmi Seitit, thashethemsat i kanë me u dëfrye thashethemet e tyne. Hilmi Seitit i ka ardhë te hunda ky numër i të rekrutumve e jo ma me të përfsh edhe ty në ta. Ti nuk i ke kushtet me shërbye në atë soj rekrutimi”.
* “Gjokë, - më tha Keli me një ton keqardhës,- paraqitjen e shfaqes ma kanë urdhnue me ta ba pa përmend ty dhe Nikollë Dakën. Vetëm emnat e Filipit e të Nevruzit, - më tha, - ke me i prezantue si drejtuesa muzike e vallesh. Këtë prezantim e ka porositë komiteti i partisë së Shkodrës. Me këtë porosi ka shumë mundësi me u synue nji qëllim djallzor. Me të nxitë një reagim të papërmbajtun e humbja e torues tande me u përdor si justifikim para Hilmi Seitit për me ta ndërpre përkrahjen. Nuk kam ç’të them më shumë për me ta kuptue ti ma miri”.
* “Kam sjellë e kam përshtjellë ndër mend mohimin e autorsisë së veprimit tand muzikor, - më tha Filipi mbas shfaqes. - Ndoshta vetë Hilmi Seiti e ka dhanë këtë sygjerim për me të ndihmue me ia mbërrit qëllimit tand një hap mbrapa e dy përpara”.
* “Gjatë shëtitjes së zakonshme në Fushë Çelë ndigjova tue më thirrë një za i panjohun. Si ndalova burri m’u afrue e më tha:
- Shoku Hilmi Seiti më çoi me të thirrë, e ke në kafe Moska. Hilmi Seiti u ngrit nga tavolina e më doli përpara. Më shtrëngoi dorën në mënyrë miqësore e më urdhëroi me ton ushtarak : - nesër të pres në orën 10 në zyrën time, po të pëlqeu të pish diçka në tavolin me mua, urdhëro me gjithë qef”.
* “Si me përpikmërinë e çdo takimi arrita pak para orarit me hi tek Hilmi Seiti. Më mori përdore dhe shkuam bashkë në zyrën e tij.
Më ke gjetur në një valë befasish me punë, - filloi ai, - prandaj më duhet të flas shkurt e shkoqur. Je duke bërë disa gabime të pafalshme, megjithatë po mos t’i falja nuk do të thërrisja këtu. Megjithatë ta dish mirë këtë, unë jam një e shteti është shumë. Ti e të gjithë e dimë mirë, unë nuk jam ai njësh i mrekullirave të shtetit, jam i priviligjuari i kryerjes së detyrave që më ngarkojnë. Avokat mbrojtës i atij që e sulmon vet vehten nuk mund të bëhem. Unë të kam thirrur që të të porosis që t’i pushosh sulmet kundër vetes tënde. Këtij shteti nuk janë të zotët t’i bëjnë gjë jo ti e shokët tuaj, por sikur të luanim mendësh as unë e kolegët e mij. Shteti ynë është kampi scialist e kampi socialist është shteti ynë. E ke zhytur veten nën sipërfaqen e ujit dhe po se nxorre dorën në sipërfaqen e tij, unë s’kam si ta kap dorën e të nxjerr në breg. Ju veriorët keni një thënië “tepria ka mrekullinë”. Ti si verior a e respekton këtë si thënie? I vetmi shans shpëtimi i yti është të luftosh armiqtë e tu të shtirur si miq dhe në këtë luftë mua më kë përkrah”.
* “Gjatë shëtitjes së mbramjes në shëtitoren e Shkodrës më ndali Hilmi Seiti.
- Si kalon?
- Mirë, - u përgjegja unë.
- Unë e di sa mirë se jam në kontakt të vazhdueshëm me gjithçka ndodh rreth teje, por java e ardhshme është java e zgjidhjes përfundimtare të problemit tand. Rrogën e shtatorit do ta marrësh në estradën profesionale të Shkodrës.
- Shoku gjeneral nuk di si me ju falenderue.
- Faleminderimin tand e dua me punë e jo me fjalë.
Gjatë rrugës për në shtëpi më rastisi prap me ndeshë Hilmi Seitin
- Dëgjo këtu, - më tha,- kur shkon në Fushë Arrëz?
- Pasnesër
- Nëse ke për të dorzuar gjë në vatrën e kulturës, dërzoje sa më parë e kthehu në Shkodër. Duam të bëjmë ashtu siç ka thënë i moçmi “me e rrahë hekurin sa është i nxehtë”, jo se i lëmë të luajnë fjale, por më mirë ja ku është se ja ku do jetë”.
* “Në orën 10 padreke u nisa në Fushë Arrëz. Me të arritë në Pukë shoferi ndali makinën e më ftoi me pi një kafe me të. Sapo hymë në kafene nji klient pyeti tjetrin me za të ngadaltë:
- Si shpjegohet kjo vdekje e Hilmi Seitit kaq e menjëhershme?
U drodha i tanë.
- Hilmi Seiti?- e pyeta shoferin si të mos priste kureshtja me pyetë kënd ma tej. E mashtroi komunizmi mendova, e vuni mish e shpirt në shërbimm të atij mashtrimi. Sjellja me mue e disa të tjerë qe shenjë pendimi. Ndoshta ai shenjë është ba shkaktar i vdekjes. Bamirsia e tij ndaj meje m’u jep shkas lutjeve të mija për të. E nëse lutjet janë të papranueshme, lutjet nuk dënohen”.
|