l
Faqe e Pare
Organizata

veterani arkiva
veterani Veterani

link Linke

 

 

VAID KORMAKU, IKONË E ARSIMIT NË KRAHINËN E GOLLOBORDËS SË DIBRËS

Nga Ing.Adem KORMAKU

Një nga personalitetet e shquara, me aktivitet të dendur për arsimin tonë kombëtar është padyshim Vaid Sali Kormaku. Ai lindi në Steblevë më 07.06.1894 në një familje me tradita patriotike dhe atdhedashëse shqiptare. Si shumë patriotë steblevas që emigruan e punuan në qytetin e zhurmshëm të Selanikut, edhe Sali Murat Kormaku, babai i Vaidit, punoi për shumë kohë në Selanik si mjeshtër ndërtimi. Dhe pasi u stabilizua me punë mori edhe djalin me vete, por atë e mori për ta arsimuar dhe jo për punë në profesionin e muratorit.
Në Selanik, Vaidi mbaroi shkollën fillore e pastaj gjimanzin turk dhe Medresenë.
Me mbarimin e studimeve në Selanik, në moshë të re kthehet në vendlindje në fisin e madh e të dëgjuar të Kormakajve të Steblevës; një fis me tradita patriotike, i lidhur me kohë me rilindasit nga i cili dolën veprimtarë dhe aktivistë të shquar, siç ishte edhe Medin Kormaku, që kulmoi në vitin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit (1878-1891). Edhe Medini kishte lindur në Steblevë në vitin 1830 në familjen e Kormakajve
Duke patur genin e patriotizmit, Vaidi mori pjesë sëbashku me bashkëluftëtarët e Steblevës në luftrat kundra shovinistëve serbë të viteve 1915-1920 që dogjën, vranë e plaçkitën gjithë krahinën e Gollobordës, por në veçanti Steblevën e dogjën tre herë sepse rezistenca kundra serbëve qe më e vazhdueshme nga luftëtarët dhe patriotët e Steblevës që asnjëherë nuk u nënshtruan.
Vaidi ishte kurdoherë sëbashku me bashkëfshatart e tij në organizimin e kundrapërgjigjeve me pushkë kundra barbarëve serbë, sepse në këtë krahinë serbët kanë bërë genocid të pashembullt, duke vrarë gra, pleq, fëmijë, duke i përzënë nga shtëpitë e tyre me dhunë e barbarizma nga më çnjerëzoret, siç ishte genocidi i Qafës së Provallit, ku në një gropë të madhe u vranë e u groposën 300 fëmijë, gra dhe burra të pafajshëm. Bashkë me ndjenjën atdhetare, tek Vaidi filloi të zhvillohet edhe dashuria për të përhapur gjuhën shqipe. I etur për profesionin e mësuesit ai ndikoi që të hapeshin shkollat shqipe. Bëri dy vjet specializim në Normalen e Elbasanit e një në Shkodër, dhe në vitin 1921, pasi kishte marrë edhe Diplomën e Mësuesit të gjuhës shqipe, brenda një kohe të shkurtër, më 14.02.1921 gjendet në Sulovë të Gramshit ku hapi shkollën e parë shqipe në këtë zonë. Mblodhi 40 nxënës nga katër fshatra dhe kjo shkollë në Gramsh, nga respekti për mësuesin Vaid Kormaku u quajt Shkolla “VAID STEBLEVA”. (Këtë emër kjo shkollë e mban edhe sot në ditët tona).
Në vitin 1923 transferohet në rrethin e Dibrës dhe po më 1923 hapi shkollën në fshatin Borovë, më 1926 në Ostren dhe më 1927 në vendlindje në Steblevë, ku punoi me përkushtim të rrallë si arsimtar deri më 1932. Punon sërish si mësues në Steblevë në harkun kohor të viteve 1933-1945. Në vitin 1945 emërohet Drejtor Shkolle në Lokalitetin Klenjë ku qëndroi deri në vitin 1946.
Vaidi, një intelektual i kompletuar i kohës, njihte mirë gjuhët orientale (arabisht, persisht, turqisht, gjuhët sllave (serbokroate dhe maqedonisht e bullgarisht). Njihte edhe italishten, komunikonte edhe gjermanisht. Si intelektual i pajisur me arsim dhe kulturë bashkëkohore, me dëshirën atdhedashëse për t’i shërbyer çeshtjes kombëtare, Vaid Kormaku do të jepte ndihmesën e tij për 25 vjet në disa fusha: në arsim, në mbrojtje të trojeve nga armiqtë dhe kundra ideologjive për shkatërrimin e gjuhës shqipe. Ai ishte studiues i zellshëm i librave për historinë, në fushën e arkeologjisë, botanikës, dhe pse jo edhe të folklorit të krahinës.
Vaid Kormaku është i pari studjues dibran që është marrë me lokalizimin e betejave të Skënderbeut në krahinën e Gollobordës e të Dibrës. Ai shkeli me këmbë të gjitha vendet strategjike ku ushtria e Skënderbeut ka patur bazat e saj, nga Oraniku, Modriçi e Meçoku; përshkroi betejat e Skënderbeut në Dibër, Ohër dhe Pollog nga viti 1444-1467. Plot 20 beteja të përcaktuara në vendet ku janë zhvilluar, që më saktë janë përshkruar në librin e tij “Sheshet e betejave të Skënderbeut në dritë të realitetit”, libër ky i botuar me dorëshkrimet e Vaidit në vitet 1944-1946. Ky libër ka vlera historike për krahinën e Gollobordës e të Dibrës, për t’u transmetuar brezave.
Vaidi merrej edhe me studime arkeologjike. Në Orvenik të Steblevës, në rrënojat e kishave dhe murishteve të vjetra ka gjetur një gjyle 12 kg dhe një monedhë argjendi e prerë në Dibër me rastin e rrethimit të Sfetigradit që daton rreth viteve 1448-1449 (?!). Këto gjetje u dorëzuan në Muzeun Kombëtar më 28 gusht 1938.
Me formimin e Shoqrisë “Bashkimi” të Zerqanit (1921-1924) u rreshtua me forcat përparimtare dhe u bë anëtar i saj.
Mbas pushtimit të vendit nga Italia fashiste Vaidit iu kërkua të bëhej anëtar i Partisë Fashiste, kërkesë të cilën ai e kundërshtoi me neveri, duke deklaruar se përkrahte plotësisht Luftën Nacionalçlirimtare dhe ishte aktivist në mbrojtje të saj.
Prof.dr. Frederik Magrafi, një nga botanistët më të njohur zviceranë që ka bërë kërkime shkencore në fushën e florës dhe të faunës shqiptare, duke përfshirë Steblevën e Llangën, tregon për takimin me mësuesin Vaid Kormaku (edhe shoqërues i tij) me të cilin komunikonin në gjermanisht. Madje kur Vaidi i ka treguar studimet e veta për florën e faunën e Steblevës, prof. Magrafi ishte befasuar ngaqë në këto anë kishte takuar një mësues të talentuar që merrej edhe me florën.
Magrafi, në librin e tij “IN Albaniens Bergen”, botuar në vitin 1930 tregon edhe për takimin me Vaidin….Kishte lidhje dhe shkroi edhe për bukuritë e Steblevës.
Studimin e prof.Magrafit e kishte edhe Kryetari i Akademisë së Shkencave Prof.Aleks Buda. Ai e njihte personalisht Vaid Kormakun si dhe studimet e tij në fushën e gjuhës shqipe, historisë, botanikës dhe kërkimeve arkeologjike. Po ashtu, Thoma Deljana kishte komunikime me Vaid Kormakun, i cili e njihte aktivitetin e këtij mësuesi shembullor.
Vaid Kormaku ishte një mësues autoritar dhe kompetent në zanatin e tij. Duke qenë i dashuruar mbas mësuesisë nuk mund të lejonte vazhdimin e shkollës në xhami, vetëm me postiqe. Me iniciativën e tij, pasi vetë bëri projektin si duhet të ishte shkolla (me plan të rregullt perspektiv, një ndërtesë me dy kate) bashkëpunoi ngushtë me pushtetin vendor për ndërtimin e shkollës dhe kompletimin me të gjitha paisjet.
Më 1 shtator 1928 nxënësit steblevas filluan mësimin në ndërtesën e re shkollore, me oborrin të sistemuar dhe ku në ballkonin e katit të dytë valvitej flamuri ynë kombëtar kuqezi me shqiponjën dykrenare në mes.
Në inaugurimin e shkollës së re mori pjesë gjithë populli i Steblevës. Mësuesi Vaid Kormaku kishte përgatitur një festë të bukur, ku pas fjalimit të tij vijuan nxënësit me recitime në gjuhën shqipe e pastaj u kënduan këngë patriotike të Rilindjes, si: “Hymni i Flamurit”, “Sa të rrojë gjithësia, do të rrojë Shqipëria”, “Zëri i Atdheut po na thërret” etj. Me hyrjen e nxënësve nëpër klasat e shkollës së re u zbrazën disa pushkë nga ana e popullit.
Vaid Kormaku ishte mësuesi dhe shkenctari që gjithë jetën e tij e vuri në shërbim të Shqipërisë. Në veprimtarinë e tij patriotike si pionier i arsimit shqip dhe i ekologjisë, nuk mund të linte pas dore edhe studimin për historinë tonë kombëtare. Kjo edhe për faktin se ky NJERI I MADH kishte përjetuar pushtimet turke, serbe, bullgare e nazifashiste të vendit të tij dhe ishte radhitur me bashkëluftëtarët me pushkë në dorë kundër pushtuesve.
Zenel Anxhaku tek “100 Familjet shqiptare” shkruan edhe këto vargje për Vaid Kormakun:
“Zelli sot është një bukurshkrim/ Ku ti shkruan dashurinë e shqipes…/ Në mijëra fluturime/ Dhe nuk plakesh e nuk thinjesh/ Në këto fluturime sublime/ …Për ty është sot kënga ime”.
Me dorën e tij të artë, në muajt e fundit të jetës, Vaid Kormaku shkroi librin historik “Sheshet e betejave të Skënderbeut në dritë të realitetit”.
Në këtë lëmi kishte dhënë prova që në vitin 1938 kur botoi në gazetën “DRITA” artikullin “Golloborda, sheshet e betejave të Skënderbeut, Orvenik, Modriç e Meçok”, studim ky që u botua edhe në librin e tij monografik më 2012, duke u dhënë lexuesve një libër me vlera historike për krahinën e Gollobordës, të Dibrës e më gjerë. Ky botim u realizua nga nipi i tij me të njejtin emër, Vaid Kormaku i riu.
Vaid Sali Kormaku vdiq në spitalin e Tiranës në moshën 52-vjeçare. Më 27 Dhjetor 1946 u përcoll për në banesën e fundit në varrezat e Bamit, me të gjitha nderimet që meritonte nga fshatarë të shumtë steblevas. Ata i dhanë lamtumirën e fundit me hidhërim të thellë Heroit të heshtur të Steblevës, ikonës së arsimit shqip që kontribuoi aq shumë në zonën e Gollobordës.
Sot, në Lagjen “Kodra e Priftit” në Tiranë, e banuar nga qindra familje steblevase një rrugë mban emrin “Vaid Kormaku” duke e përjetësuar kështu emrin dhe veprën e tij të ndritur.





Kololel Sotir Budina Kryetari i OBVL-së


 

Arkiva e gazetes