l
Faqe e Pare
Organizata

veterani arkiva
veterani Veterani

link Linke

 

 

Marrëveshja e Ohrit: A u thye
tabuja “Kosova pjesë e Serbisë”?

Nga Bashkim HISARI

Në negociatat maratonë dhe intensive që u zhvlluan në Ohër të Maqedonisë së Veriut më 18 mars, ku për zbatimin e propozimit të BE-së për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi u bisedua mes kryeministrit të Republikës së Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit serb Aleksandar Vuçiq, ndërmjetësuar nga shefi i politikës së Jashtme të BE-së, Josep Borrell dhe i dërguari Evropian për dialogun, Miroslav Lajçak, palët arritën të dakortësohen me Planin Europian , por përfunduan pa ndonjë marrëveshje konkrete të nënshkruar mes tyre.

Tani zbatimi do të varet më shumë nga vullneti politik i palëve e nga presioni politik i Bashkësisë Ndërkombëtare, sesa nga obligimet ligjor. Për takimin në Ohër më shumë intresim treguan mediat kosovare. Disa prej tyre kishin transmetime disaorëshe “live”. Mediat proqeveritare në Serbi kryesisht injoruan bisedimet e stërgjatura për të treguar vetëm se presidenti i tyre “nuk po fle” dhe se në Ohër nuk po ndodh asgjë e rëndësishme. Por, amerikanët, evropianët dhe opozita në Serbi nuk mendonin ashtu. Të parët shprehnin kënaqësi dhe i dërgonin lëvdata Vuçiqit për “guximin”, kurse opozita kritika të ashpra. Kryetari i Partisë Popullore, Vuk Jeremiq, tha nëse presidenti Vuçiq nënshkruan Marrëveshjen, “si shpërblim do të merrë Shqipërinë e Madhe dhe shtypjen e lirisë dhe demokracisë në Serbi”. Ndërsa, kryetari i Lëvizjes së Qytetarëve të Lirë, Pavle Grboviq, thotë se i gjithë ky proces paraqet pagesën e çmimit, gjegjësisht, këstin e fundit të çmimit për përgjegjësi politike që ka udhëhequr Serbia gjatë viteve të 90-të, kur Serbia humbi sovranitetin në Kosovë.
Deklaratat e pjesëmarrësëve pas takimit ishin nga më të ndryshmet, me plot paqartësi, herë optimiste dhe herë pesimiste. Kishte interpretime që dalloheshin rreth asaj: çfarë marrëveshje është arritur?!. A e njohu Serbia de fakto Kosovën? Kush i bëri lëshimet më të mëdha? A ka pasur një afrim, dakordimi a është obligative për palët...?.Pavarësisht nga të gjitha akrobacionet diplomatike, ishte e qartë se të dyja palët nuk kishin hequr dorë nga pozicionet e tyre.
Në Konferencën për media, Borell dukej i lumtur, Kurti buzëqeshej, kurse Vuçiq, gjatë leximit të aneksit për Marrëveshje përsëriti se asgjë nuk ka nënshkruar. Një ditë pas takimit në Ohër, ai përsëriti: “Nuk kam nënshkruar asgjë. Unë drejtoj shtetin e Serbisë dhe nënshkrimi im do të ishte ligjërisht i detyrueshëm. Serbia është një shtet i njohur ndërkombëtarisht dhe ligjërisht, Kosova nuk është. Vija e kuqe e Beogradit është;nuk ka njohje për pavarësinë e Kosovës”.
Se çfarë ka ndodhur saktësisht në takimin e Ohrit e dëgjuam nga Borelli i cili, natën von tha: “Kemi një Marrëveshje, kemi një dakordim se si do ta bëjmë atë. Ju konfirmoj se Kosova dhe Serbia janë pajtuar për zbatimin e aneksit për rrugët e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet tyre”.
Kryeministri Kurti deklaroi se marrëdhëniet me Serbinë duhet të normalizohen përmes një Marrëveshjeje e cila duhet të bazohet në njohjen reciproke. Ndërkohë ai shton se nuk duhet të ketë Asociacion etnik sepse Kosova është multi-etnike edhe me Kushtetutën e saj.
-“Tani kemi arritur një Marrëveshje për një aneks implementues të Marrëveshjes Themelore. Serbia, ashtu si në takimin e fundit në Bruksel, iu shmangë nënshkrimit të Marrëveshjes dhe tani edhe Aneksit. I takon BE-së të gjejë një mekanizëm për ta bërë Marrëveshjen ligjërisht dhe ndërkombëtarisht të obligueshme”. Në anën tjetër, presidenti serb Vuçiq këmbëngul se “Asociacioni është një ‘kusht’ për çdo bisedë. Një kusht që nuk mund të bëhet pa të”.
Ky është një problem që seriozisht shqetëson shqiptarët në Kosovë, vazhdon të mbaj peng dialogun dhe po pamundëson të gjendet një zgjidhje shpejë.
Në takimin e Ohrit, u dallua menjëherë përpjekja e BE-së dhe SHBA-së që të zgjidhet çështja e Kosovës për të zvogëluar ndikimin rus në Serbi, dhe u dëshmua qartë se po kërkojnë dakordim për arritjen e një kompromisi që të nënshkruhet një marrëveshje finale mes dy vëndeve për të siguruar stabilitetin në rajon. Por, si në takimet e mëparshme edhe në Ohër, u vërtetua se marrëveshja mes Kosovës dhe Serbisë nuk mund të arrihet për një kohë të shkurtër. Raportet e Kosovës me Serbinë janë çështje shumë të komplikuara. Marrëdhëniet shqiptaro-serbe me shekuj kanë qënë të ngurta, të vrazhda, joelastike, me plotë ngarkesa dhe konflikte. Ka munguar kultura politike. Kanë prodhuar më shumë grindje, ndasi, urretje, mospajtime, mosbesim se sa kompromise dhe marrëveshje. Politika serbe ndaj shqiptarëve dhe Kosovës gjithnjë ka inkorporuar ideologjinë e shtetit sipas së cilës komuniteti pakicë serb duhet të sundojë mbi popullatën shumicë shqiptare. Hegjemonizmi, shkelja e të drejtave elementare dhe spastrimi etnik kanë qenë koncepti i platformës politike për Serbinë e Madhe. Ndaj shqiptarëve të Kosovës, serbët kanë ushtruar shtypje, kanë kryer vrasje masive dhe krime gjenocidi. Qeveria në Beograd, përmes mediave, publikimeve të ndryshme dhe filmave propagandistik, ende vazhdon të ndërtojë narracionin e vet të njëanshëm për luftën e Kosovës dhe në mënyrë sistematike mohon krimet, rehabiliton kriminelët dhe tenton të fsheh gjurmët e krimeve që nuk mund të harrohen.
Për fat të mirë, Kosova, që nga viti 1999, jetën e saj e jeton de fakto e pavarur nga Serbia. Ndryshe nga Kosova, fatin e Serbisë e vendosin zuzarët e kohës së krimeve dhe gjenocidit gjatë viteve 90-ta që zbatojnë politikën e përfitimit të luftës dhe krimit. Presidenti aktual i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ish zëdhënës i kasapit të Ballkanit Sllobodan Millosheviç dhe sekretar i të dënuarit për krime lufte, kryeçetnikut Vojisllav Sheshelj, para 30 viteve organizonte njësi paraushtarake dhe grupe vrasëse për të “mbrojtur”serbët në të gjitha anët e ish Jugosllavisë. Vuçiq me bashkëpuntorë më të afërt luftënxitës dhe llafazanë nga foltorja e Kuvendit deklaronin: “vritni një serb, ne do të vrasim njëqind muslimanë” .
Një ditë para takimit në Ohër në mitingun e organizuar në Mitrovicën e Sremit ai tha: “Ne nuk jemi larg Luftës së Tretë Botërore”. Ndaj të tillët vështirë se mund të vendosin për paqen me shqiptarët e Kosovës. Derisa BE dhe SHBA mbështesin pajtimin e Kurtit me Vuçiq që ta zbatojnë Marrëveshjen e dakorduar më 27 shkurt në Bruksel, si një hap përpara, partitë opozitare në Kosovë shprehin mospajtime.
Kryetari i Partisë Demokratike (PDK) Memli Krasniqi drejtoi kritika duke thënë se “Marrëveshja pa njohje reciproke, e përqendruar në një Asociacion të avancuar e autonomi politike për komunitetin serb dhe pa garanci për integrimin euro-atlantik të Kosovës, është dështim i madh politik e kombëtar”.
Kreu i partisë Lidhja Demokratike e Kosoves (LDK) Lumir Abdixhiku e quajti marrëveshjen në Ohër mashtrim dhe humbje të një mundësie historike. Sipas tij, ajo që u arrit është “një Marrëveshje pa njohje, jo finale dhe me Asociacion në të”.
Për të kundërshtuar dakordimin për zbatimin e Marrëveshjes së arritur, Partia Socialdemokrate e Kosovës (PSD) ka zhvilluar një aksion në Prishtinë. Aktivistët e kësaj partie kanë shkruar parulla “Albin Zajednica”, duke zëvendësuar mbiemrin Kurti me “Zajednica”(Asociacioni).
Megjithatë, partia e Kurtit “Vetëvetvendosje”, Qeveria dhe shumica e deputetëve në Kuvendin e Kosovës vlersojnë se rezultatet e takimit në Ohër duhet të mbështeten. Sipas tyre ato janë të rëndësishme sepse plotësisht vendosin barazinë e palëve, ruajnë integritetin dhe sovranitetin e Kosovës, sjellin paqe dhe stabilitet afatagjat që viteve të fundit u kërcnuan edhe me rrezikun e një konflikti të hapur mes Kosovës e Serbisë. Duke raportuar në Kuvendin e Kosovës të enjtën me 23 mars, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti deklaroi: “Në marrëveshjen e arritur, specifikohet se të dyja shtetet duhet t’i zbatojnë të gjitha marrëveshjet e arritura në të kaluarën”. Ai iu përgjigj kritikave të opozitës në lidhje me pikën 7 që parasheh “sigurimin e një niveli të përshtatshëm të vetëmenaxhimit për komunitetin serb në Kosovë. “. “Vetëmenaxhimi nuk është as vetëqeverisje as vetëadministrim. Nuk do të ketë kompetenca ekzekutive dhe nuk do të largohet nga kufizimet e vendosura nga Gjykata Kushtetuse”, tha Kurti duke ju kërkuar deputeëtve opozitarë që të mos përdorin “nocione të skajshme” Ai ritheksoi se do të angazhohet të mos ketë një pushtet ekzekutiv në mes të nivelit qendror e lokal në Kosovë.
Nuk ka dyshim se Marrëveshja mund të sigurojë një të ardhme më të mirë për të gjithë popujt në rajon. Mundëson integrimin gjithëpërfshirës të komunitetit serb në institucionet e Republikës së Kosovës, që do të rezultojë me shpërbërjen efektive të strukturave ilegale të Serbisë. Pavarësisht se ka reagime dhe interpretime të ndryshme, si për propozim-marrëveshjen evropiane, për rrugën e normalizimit të marrëdhënieve, është e sigurt se vetëm Marrëveshja hap derën e perspektivës evropiane, intensifikon antarësim në BE dhe NATO.





Kololel Sotir Budina Kryetari i OBVL-së


 

Arkiva e gazetes