l
Faqe e Pare
Organizata

veterani arkiva
veterani Veterani

link Linke

 

 
HULËSI TOPOLLAJ, USHTARAK, JURIST DHE SHKRIMTAR I NJOHUR

KADRI TARELLI*

Më 18 mars mbushen plot 100 vjet qysh kurse u lind në një familje me tradita të shquara atdhetare, në fshatin Novoselë të Kolonjës, Hulësi Islam Topollaj, kuadër i ushtrisë, jurist dhe shkrimtar i njohur.
Babaj i tij, dallohej si burrë i zgjuar dhe i besës, që gjithmonë ka përkrahur deri edhe me armë, çështjen kombëtare. Ai kujtohet edhe sot e kësaj dite, si njeri me karakter të fortë i cili pasi i vranë vëllanë, krahas tetë fëmijëve të tij, i mori, i rriti dhe i edukoi edhe tetë fëmijët që ai la. Dhe ata u bënë njëri më i mirë se tjetri, duke u angazhuar si në luftën antifashiste nacional - çlirimtare, ashtu edhe në periudhën e pas çlirimit të vendit, në detyra të rëndësishme. Hulësiu, pasi kreu arsimin shtatë vjeçar në vendlindje dhe në Ersekë, në verën e vitit 1939 largohet nga fshati dhe shkon në Tiranë për të gjetur punë. Fillimisht punon si shegert në një familje të pasur dhe më vonë futet si punëtor në Cinkografinë “Kosturi”, pronë e Ali Fehmi Kosturit, i dëgjuar ngado qysh nga lufta e Shkodrës dhe mik i babait të tij. Aty, përveç shokut të tij të fëmijërisë Xhelal Novoselës (Shuaipi), njihet me shokë revolucionarë si Qemal Stafa, që ishte sekretar, Mihal Duri, Ludovik Shllaku etj. Shqipëria ishte pushtuar nga Italia fashiste dhe pakënaqësia dhe revolta popullore po merrnin përmasa të mëdha. Nën ndikimin e kësaj situate dhe të punës propagandistike të Qemalit, për guximin dhe qartësinë e të cilit i kishte folur kushëriri i tij Mekë Novosela (Muhamer Leka). i cili kishte qenë shok burgu me të, Hulësiu si të gjithë punonjësit e Cinkografisë u përfshinë në aksione dhe demonstrata. Qemali e më pas Nako Spiru, u flisnin të rinjve për domosdoshmërinë e luftës kundër pushtuesit, në të gjitha format e saj. Kështu, ata filluan të shtypnin dokumente false, letër - njoftime, vula institucionesh, trakte etj. për nevojat e lëvizjes ilegale. Brenda mjediseve të Cinkografisë filluan të bëheshin edhe mbledhjet e fshehta dhe sa herë Hulësiu me shokët shpërndanin traktet rrugicave të Tiranës, kujdeseshin të merrnin me vete edhe nga një shishe me acid të fortë, për ta përdorur në rast nevoje, ndaj xhandarëve. Ai mori pjesë në demonstratën e 28 tetorit të vitit 1941, ku bashkë me të tjerët u sulën te Luogotenenca për të kërkuar lirimin e shokëve të arrestuar. Më 23 nëntor Hulësiu me Lake Sulën u caktuan në rojë të shtëpisë së Asim Vokshit, ku ai ndërsa vinin delegatët, njohu Qemal Stafën i cili u zgjodh kreu i Rinisë Komuniste. Në dhjetor të vitit 1941, pranohet në organizatën e Rinisë Komuniste. Kur aktiviteti i tij kundër fashizmit, bie në sy, katër ditë pas vrasjes së Qemalit, ai urdhërohet që të shkojë me detyrë në Kolonjë, ku si rezultat i punës së Josif Pashkos, Mustafa Radovickës e Hasan Selenicës me shokë, kishte nisur organizimi kundër okupatorit. Kjo përgatiti kushtet që në 25 korrik në pyllin e Kozelit, të krijohej çeta e parë, me komandant Demir Kanxhën dhe ku mes 11 luftëtarëve të parë të ishin edhe Hulësiu me Xhelalin. Në përbërje të kësaj çete, Hulësiu mori pjesë dhe u dallua në luftimet e zhvilluara në Shëmtir, Shtikë, Barmash, Leskovik, Vithkuq, Qafëzez, Lubonjë, Potom, dhe Ura e Dukës. Por në radhët e çetës kishte dhe trima si Muhamet Prodani, Baki Starja e Petrit Dume i cili drejtonte dhe përgatitjen taktike, çka bëri që kur më 20 maj të vitit 1943 të formohej batalioni partizan “Hakmarrja”, ai të caktohej komandant i atij formacioni legjendar. Këtij batalioni iu ngarkua detyra e asgjësimit të armikut në zonën e Kolonjës, Leskovikut, Vithkuqit, Dangëllisë dhe Panaritit. Mbahen mend luftimet e saj në Kuqar e Përmet si dhe goditja më 6 korrik e kolonës gjermane të Divizionit 104 në Barmash, ku ata për hakmarrje vranë në Borovë 116 vetë. Më 14 maj në luftimet e Kabashit, Hulësiu u plagos në kokë. Por, pas shërimit, vazhdoi të luftojë trimërisht në të gjitha përleshjet, deri sa në 29 qershor, shumë luftëtarë nga ky batalion u inkuadruan në Br. XV - të S. Veprimet luftarake të kësaj Brigade, ku Hulësiu, tani me përvojë, u caktua komisar kompanie e më pas përgjegjës i Rinisë i Brigadës, njihen nga të gjithë deri në çlirimin e kryeqytetit.


Luftën Nacionalçlirimtare e përkrahu e gjithë familja e tij; shtëpia u bë bazë e rëndësishme e luftës, ku strehoheshin shokët ilegalë. Babaj ishte Kryetar i Këshillit Nacionalçlirimtar, kurse nëna Harzuja, ishte zgjedhur përgjegjëse e gruas antifashiste. Nga motrat e vëllezërit e tij pati shumë partizanë, si Shqiponja, Eqeremi, Dylberi etj. e deri dëshmorë të atdheut. Kurse shtëpia e tij u dogj dy herë nga armiku. Pas çlirimit të vendit, Hulësiu kryen detyra të ndryshme si oficer i ushtrisë në rrethe të ndryshme, si Vlorë, Berat, Shkodër e Tiranë. Kryen shkollat ushtarake, atë të Partisë dhe Universitetin shtetëror të Tiranës, në degën e Drejtësisë. Në vitin 1967 lirohet si ushtarak dhe caktohet si jurist që ishte, në detyrën e Prokurorit të rrethit të Dibrës e më pas të Mirditës. Gjithmonë është treguar i drejtë dhe korrekt në këto detyra, pa u influencuar nga ndërhyrjet e ndonjë pushtetari a partiaku edhe pse kjo kurajo bëri që të ketë dhe kundërshtarë. Ka shkruar herë pas here për ngjarje dhe protagonistë të luftës nacional - çlirimtare në shtypin e kohës, në organe të ndryshme. Në vitin 1968 botoi librin me kujtime “Partizanët e Gramozit”. Por ngjarjet politike në Shqipëri pas dhjetë vjetësh, ishin të tilla, sa me akuzat absurde për subjektivizëm dhe ngritje të kultit të Petrit Dumes dhe drejtuesve të tjerë të luftës në Kolonjë, pa ia ditur për korrektesën, kontributin, dhe ndershmërfrinë proverbiale, ndaj tij u morën një seri masash shumë të rënda, të cilat ai nuk i përballoi dot dhe vdiq në Durrës më 29 shkurt 1983, pa mbushur 60 vjeç, nga një hemoragji cerebrale.


Edhe librin e përfunduar “Borova Martire”, ai i detyruar nga rrethanat, e grisi. Për merita të luftës dhe të punës Hulësiu është dekoruar me dymbëdhjetë urdhëra e medalje të ndryshme. Ishte i martuar me vajzën antifashiste, Hatiqenë, nga familja atdhetare vlonjate e Agallinjve, xhaxhai i të cilës që e rriti, Beqir Sulo Agalliu, “Nderi i Kombit” u dogj në krematorët e Mat`hauzenit, ku qe i internuar së bashku me të vëllanë, Mehmetin, dëshmor i Atdheut. Fëmijët e Hulësiut janë Shpendi, oficer, jurist dhe shkrimtar i njohur, Spartaku, historian, diplomat dhe opinionist dhe Zhaneta. Në nderim të jetës dhe veprës së babait, Shpendi ka shkruar romanin “Zhgënjimi i partizanit të Gramozit” i cili, mbetet një monument demaskimi ndaj atij sistemi që pa asnjë lloj mëshire, hante edhe bijtë e vet.
*Nënkryetar i OBVL, Dega Durrës






Kololel Sotir Budina Kryetari i OBVL-së


 

Arkiva e gazetes