l
Faqe e Pare
Organizata

veterani arkiva
veterani Veterani

link Linke

 

 
Haki Jupasi figurë e shquar e Aviacionit Luftarak Shqiptar

Jeta si në një “luftë” e njeriut që lindi në ditën e të dashuruarve 95 vjet më parë, me 14 shkurt 1928

AGUSTIN Z. GJINAJ

I lindur me 14 shkurt 1928 në Starje të Kolonjës, Haki Jupasi i takon gjeneratës së parë të aviatorëve shqiptarë, që erdhi në aviacion nga rradhët e ushtrisë partizane. Që në moshën 16 vjeçare ai u rreshtua në Brigadën e II-të Sulmuese, pak kohë pasi e motra e tij, Dëshmorja e Atdheut e Brigadës së XV-të Sulmuese Shaniko Jupasi, (Starja) ra në luftë kundër pushtuesve nazistë. Si një i ri që ka kaluar fëmijërinë e rininë e tij në përpjekje për çlirimin e vendit, ai dërgohet të ndjekë shkollën “Skënderbej”, duke qenë ndër kadetët e parë gjatë 1945-1948. Në 24 janar 1948 atij i realizohet ëndrra e tij e hershme për t’u bërë pilot, pasi së bashku me 22 vetë të tjerë nga shkolla “Skënderbej”, u nis për studime në ish-Jugosllavi, Pançevo-Serbi, ku studioi vetëm për tetë muaj pasi studimet do ndërpriteshin në fund të verës së nxehtë të atij viti, pas ngrirjes e prishjes së marrëdhënieve midis Shqipërisë dhe ish-Jugosllavisë.
I ri, energjik, me dashurinë për qiejt dhe lirinë pa fund që të falin ato, si një ndër pilotët me të ardhme në Aviacionin Shqiptar, në 1 nëntor 1948 pati shansin të shkojë në Rusi, në qytetin Engels të qarkut të Saratovit, ku ndoqi shkollën për pilot-bombardues. Më pas ai studio për pilot në shkollën Shkallov, më pas në Novi Sibirsk, në shkollën “Flamuri i Kuq” i Stalingradit dhe në vitin 1952, kthehet në Shqipëri, ku caktohet në Skuadriljen e Tiranës me avionët JAK-9.
Në korrikun e vitit 1954, ai zgjidhet në grupin prej 11 vetësh, të cilët u dërguan në shkollë në Grozni të Rusisë, për kalimin në avionët reaktivë MIG-15. Në maj 1955, me krijimine Regjimentit të Kuçovës, Hakiu ngarkohet me detyrën e zëvendëskomandantit të skuadriljes, ndërsa në vitin 1957 emërohet komandant i saj. Gjithmonë i gatshëm e ambicioz për përqafimin e teknikave të reja, në vitin 1959 caktohet në grupin e kalimit për në avionët supersonikë me raketa të drejtuara MIG-19 PM.
Në fundin e vitit 1959 me ardhjen e 12 avionëve MIG-19PM në Shqipëri, kjo skuadrile vendoset në Rinas dhe komandant i saj caktohet Haki Jupasi, i cili qëndroi në këtë detyrë deri në vitin 1962, kur krijohet Regjimenti Luftarak i Rinasit me komandant Niko Hoxhën. Haki Jupasi u emërua zëvendëskomandant i Regjimentit të Rinasit, ndërsa në vitin 1967 emërohet komandant regjimenti.
Ai ishte “Pilot i Klasit të Parë”, titulli më i lartë për një pilot që e mori në vitin 1958, ashtu si vetëm “një grusht” shqiptarësh në historinë e aviacionit, titull që e mbrojti për vite me radhë duke fluturuar në të gjitha llojet e konditave atmosferike, ditën e natën. Ai arriti postet nga më të lartat në aviacion gradualisht, falë aftësive, punës dhe kualifikimeve të vazhdueshme si pilot, komandant e drejtues e ku ka dalë me rezultate të shkëlqyera. Me këto rezultate ai mbaroi në vitet 1971-1972 edhe Kursin e Lartë të Shtabit të Përgjithshëm pranë Akademisë së Mbrojtjes. Në vitin 1973-1974 komandant Hakiu u dërgua përsëri jashtë shtetit, këtë rradhë në Kinë, me mision për të drejtuar përgatitjen e një grupi të madh të pilotëve shqiptarë që kualifikoheshin për të përvehtësuar avionin supersonik MIG-19. Edhe atje ai ka përfaqësuar denjësisht aviacionin, ushtrinë dhe vëndin tonë.
Hakiu ishte njëri nga dy pilotët, që së bashku me Serafin Sheganin u ul me 10 korrik 1974 në pistën e Bazës Ajrore të Gjadrit, duke qenë kështu edhe “inaguruesit” e saj të parë. Komandanti e ka përshkruar me emocion atë ditë të veçantë të përurimit të pistës së Bazës më të madhe të vendit. “ Ishin qindra të pranishëm, ushtarakë e civilë, përfaqësues të pushtetit lokal, banorë të zonave përreth. Pista kishte nga të gjitha anët kanale, gjë që e ulte sigurinë e fluturimit, por kjo nuk na pengoi të kryenin detyrën e caktuar. 10 korriku i vitit 1974 u kthye në një festë të veçantë për zonën dhe ushtarakët e asaj kohe”.
Haki Jupasi ishte një ushtarak i kompletuar, me kulturë të gjërë ushtarake-profesionale, mjeshtër i përgatitjes luftarake, shëmbull i ndjekjes së rregullave e ligjeve, pasi asnjëherë nuk ndodhi që të thyente procedurat apo rregullat e fluturimit, duke treguar u kthyer në një model për të gjithë të tjerët si pilot dhe si drejtues.
Ai ishte një metodist i madh dhe një komandant që dinte të kombinonte në mënyrë të harmonizuar udhëheqjen e stërvitjes me shëmbullin e tij personal në rolin e mësuesit e të edukatorit, sidomos në fluturimet e vështira e me përdorim luftarak.
Ai dha një kontribut të çmuar në përgatitjen e kursantëve për pilot në përpjekjet që u bënë nga fundi i viteve ’50 për të përgatitur pilotë kur ende nuk ishte krijuar shkolla e aviacionit, por edhe më vonë në përgatitjen e kualifikimin e mëtejshëm të pilotëve në regjimentet e Kuçovës e më pas të Rinasit.

***
Edhe pas daljes në pension ai ruajti gjithënjë kontakt më aviatorët, ndoqi zhvillimet e kohës dhe ishte aktiv e i angazhuar në jetën sociale.
E takova komandant Hakiun në Qendrën Kulturore të Forcave të Armatosura, diku aty nga fillimi i viteve 2000, kur Qeveria Shqiptare mori vendimin për trajtimin ekonomik me pension të veçantë të familjeve të Dëshmorëve të Aviacionit. Ai e vlerësonte shumë faktin që familjet e dëshmorëve më së fundi do të kishin një trajtim ekonomik më prestigjioz për kushtet e vendit tonë dhe gjithnjë duke qeshur më tha: “-Eh, moj e mirë, - i thashë gruas këto ditë, gjithë jetën nuk pate fat me mua. Po të kisha rënë në krye të detyrës, sot edhe ti do të kaloje një pleqëri të bardhë me pensionin e dëshmorit, ndërsa “rropatesh” të mbijetosh me pensionin prej 9000 lekësh të ushtarakut”.
“-Nuk ka miliona që të zëvendësojnë ty o “gërnjar”,- imiton me një zë të holluar gruan e tij e shkrihet në gaz. Por pas pak ai shton serioz e thotë mendueshëm: ”Nuk ka çmim as pension që e vlerëson jetën e dhënë për detyrën e atdheun, por gjithësesi, vendimet për trajtimin ekonomik me pension të veçantë të familjeve të dëshmorëve, vendosja e tyre në Varrezat e Dëshmorëve të Kombit, është një përpjekje për ta zvogëluar sadopak këtë dhembje të madhe të përbashkët të familjeve të tyre si dhe e shokëve të armës së aviacionit.”

***
Haki Jupasi doli në pension pas dy arritjeve të mëdha, dy vite mbasi mbaroi Kursin e Lartë në Akademinë e Shtabit të Përgjithshëm dhe një vit pasi ishte kthyer nga Kina në 1974 ku së bashku me Komandantin e Aviacionit Edip Ohri kontribuoi në përgatitjen e rreth 50 pilotëve shqiptarë për avionin supersonik MIG-19. Por viti 1974 ishte edhe viti i goditjes së të ashtuquajturit “Grupi Puçist” gjë që me sa duket nxiti për ta nxjerrë Hakiun në pension, pasi si kolonjarë dhe ish-luftëtarë në të njëjta formacione partizane konsiderohej si i afërt me Petrit Dumen, Shefin e Shtabit të Përgjitshëm të Ushtrisë Popullore, një nga tre të pushkatuarit e këtij grupi.
Natyrisht që Hakiu ishte i pakënaqur për daljen në pension, por karshi rregjimit nuk bëhej fjalë të kishe mundësi të ankohej apo reagonte, ndaj ai në publik thoshte se “Kuadrove të rinj duhet t’u lihen hapësira të mjaftueshme për të ushtruar dijet, duhet dhënë shembulli për të lënë detyrën, që t’u hapet rruga brezave të rinj në Aviacionin Shqiptar”, çka të kujton shprehjen popullore se “këta edhe të rrahin edhe nuk të lanë me kja”.


Në vitet e demokracisë Hakiu ai u bë pjesë e organizatës OBVL- Organizata e Bashkuar e Veteranëve të Luftës, e cila i dënonte veprimet sektare të udhëheqjes komuniste e të Enver Hoxhës, gjë që u pa “ftohtë” nga disa veteranë. Kur rrethi i Kolonjës i dha atij titullin “Qytetar Nderi”, në ceremoninë modeste të zhvilluar në Bibliotekën e Muzeut Historik Kombëtar, Bashkia e Ersekës ishte “shkulur” e kishte ardhur vetë në Tiranë për mos ta munduar veteranin e shquar, ndërsa shoqatat ushtarake “marksiste-leniniste” nuk para i dhanë rëndësi ngjarjes, aty shumica e pjesëmarrësve ishin të ftuar privatisht. Zoti Çobo Skënderi kujtoi se mbajti atë ditë një fjalim prekës. ( Çobo e Hakiu të dy kishin qënë drejtues të Rinasit, të dy pilotë të Klasit të Parë, të dy të nxjerrë në pension “para kohe”.)
Jeta e Haki Jupasit, partizanit, skenderbegasit, pilotit, komandantit dhe njeriut të mirë është jeta e një figure ushtarake të shquar që luftoi me armë në dorë për çlirimin e vendit, që bëri përpjekje të mëdha për të kryer sa më mirë detyrat e caktuara në funksion të mbrojtjes së vendit e gatishmërisë luftarake, që përgatiti dhjetra pilotëve të rinj e specialistëve të aviacionit dhe megjithëse për koiçidencë kishte lindur me 14 shkurt në ditën e të dashuruarve, kaloi një jetë dinjitoze e të papërkulur në luftë me vështirësitë e pengesat.





Kololel Sotir Budina Kryetari i OBVL-së


 

Arkiva e gazetes