Para 79 viteve botohet në Prizren si organ i Këshillit Krahinor të Frontit Nacionalçlirimtar për Kosovë e Metohi
Nga Bashkim HISARI
Në mbarim të Luftës së Dytë Botërore kur Kosova kishte rreth 700.000 bonorë, shkalla e analfabetizmit ishte shumë e lartë. Më shumë se 327.000 njerëz nuk dinin të lexonin as të shkruanin. (Sipas regjistrimit të parë pas luftës, në vitin1948, në Kosovë jetonin 733.034 banorë, prej tyre 498.244 shqiptarë, 176.718 serbë, 1130 turqë, 11.230 romë dhe të tjerë 45.522).
Në udhëkryqin e realitetit historik, ndër detyrat parësore të aktiviteteve të udhëheqësisë së re politike ishte lufta kundër analfabetizmit, afirmimit të traditave liridashëse, kombëtare dhe kulturore të popullit. Ndaj, pa vonuar, filloi organizimi i kurseve dhe filluan të punojnë 278 shkolla fillore në të cilat, mësimet i vijonin 27.400 nxënës si dhe 4.373 nxënës në 11 shkolla të mesme. Deri në vitin 1947 u shkolluan rreth 105.000 shqiptarë. U hapën 88 biblioteka dhe salla leximi. Në qytetin historik të Prizrenit, u formua biblioteka dhe teatri i parë krahinor, filloi edhe puna e radios - Radio Kosova dhe transmetimi i programit në gjuhën shqipe.
Deri në mbarim të luftës në Kosovë nuk botohej asgjë në gjuhën shqipe, përveç 6 numrave të fletores me emrin “Liria-Sloboda” që shtypej në gjuhën shqipe dhe serbe, në periudhën gusht 1942-janar 1943. Fletorja ishte organ ilegal i Shtabit operativ të partizanëve për Kosovë dhe botohej në shtëpinë familjare të veteranit Xhavit Nimani në Prizren dhe kishte një mision të rëndësishëm në përhapjen e luftës antifashiste nacionalçlirimtare.
Më 12 shkurt 1945, në Prizren, filloi të botohet gazeta e parë në gjuhën shqipe në ish Jugosllavi “Rilindja” që u bë gazetë me rëndësi të madhe dhe e veçantë jo vetëm për jetën e shqiptarëve në Kosovë. duke botuar shkrime të ndryshme, të rëndësishme dhe të nevojshme nga fusha e shkencës, politikës, ekonomis, kulturës, arsimit, sportit dhe tema tjera shoqërore e kombëtare.
“Rilindja”, nuk ishte vetëm gazetë por ishte edhe dëshmi e shprehje e veprimtarisë të të gjitha fushave të krijimtarisë shpirtërore dhe ushtroi ndikim të bëhen ndryshime të frytshme, të pamatshëme, të domosdoshme dhe shumë të rëndësishme në shumë sfera të jetës së shqiptarëve dhe në historinë më të re të Kosovës.
Andaj, „Rilindja“ ishte gazetë jashtëzakonisht e çmuar në të gjitha trojet shqiptare, kurse nacionalistët e shovenistët serbë e konsideronin si shumë të rrezikshëme.
Numri i parë i gazetës kishte katër faqe. U radhit me dorë për rreth 72 orë dhe për këtë u deshtën katër arka shkronja shqipe të derdhura në plumb, që, Fadil Hoxha dhe Zekerija Rexha, me kamion i sollën nga Tirana.
Fillimisht „Rilindja“ ishte organ i Këshillit Krahinor të Frontit të përbashkët Nacionaçlirimtar për Kosovë e Metohi e më vonë organ i Lidhjes Socialiste të Popullit Punues të Kosovës. 60 numërat e parë u shtypën në Shtypshkronjën Shtetërore në Prizren. Nga numri 61, “Rilindja”, faqoset dhe shtypet në Prishtinë.
Në fillim ishte gazetë e përjavshme vetëm me katër faqe. Nga qershori i vitit 1948, nisi të delë dy herë në javë, të dielave dhe të enjteve. Pastaj, nga nëntori i vitit 1958 u bë gazetë e përditshme. Përpos në Kosovë, “Rilindja” shpërndahej në Maqedoni, Mal të Zi, në Luginën e Preshevës dhe në vende tjera ku jetonin shqiptarët dhe arriti tirazhin diku rreth 250.000 ekzemlarë.
Numri i parë i „Rilindjes“ kishte një tirazhë prej 3.000 ekzemplarësh. Autorët e artikujve të parë ishin veteranët e LANÇ që më parë, disa prej tyre, botonin fletoren “ Liria –Sloboda”. Numri i parë u veçua me kryetitullin „Të përvishemi punës“, artikull ky i shkruar nga Komandanti i Shtabit të UNÇ dhe njësiteve e brigadave partizane në teritorin e Kosovës dhe Metohis, Fadil Hoxha. Në kuadër të rubrikës „Jehona e vendit“ u botuan katër lajme informative nga Kosova, kurse katër lajme të tjera kishin të bënin me informacionet jashtë vendit, nga fronte të ndryshme rreth përfundimit të luftës dhe për luftën diplomatike që vazhdonte.
Ndër informatat më të rëndësishëm që u botuan në gazetën „Rilindja“ ishte edhe lajmi më 19 nëntor të vitë 1946, për botimin e abetarës së parë në gjuhës shqipe në Kosovë. Abetarja përmbante 58 faqe dhe është shtypur në 5.000 ekzemplarë. Në krah të luftës kundër analfabetizmit, “Rilindja” zhvillonte edhe aksionin për zgjërimin e rrjetit të bibliotekave. Deri në fillim të vitit 1949 në bibliotekat e Kosovës ishin siguruar 8.230 libra e broshura në gjuhën shqipe. „Rilindja“ mbështetëte edhe aksionin e emancipimit dhe të shkollimit të femrës shqiptare.
“Rilindja” e datës 6 gusht 1947, shkruante: “Lufta kundra çarshafit duhet të vazhdojë deri sa të zbulohet edhe femna e fundit. Tridhet mijë femna shqiptare të zbulueme, në interes të popullit shqiptar kërkojnë që lufta kundra çarshafit të vazhdojë deri në fund...”
Në ballinën e saj më 6 tetot 1969, pati lajmin e shumëpritur për përdorimin e lirë të flamurit shqiptar. Sumë shpejt, gazeta “Rilindja” e arriti zhvillimin e duhur dhe u shndërua në ndërrmarje të madhe botuese grafike. Në kuadër të saj vepronin redaksitë e gazetave dhe revistave, shtypshkronja, rrjeti tregtar e librar dhe shërbimi i distribuimit. Për këto destinime u ndërtua Pallati i Shtypit që kishte nëntë kate. Pos gazetës së përditshme “Rilindja”, aty shtypeshin edhe dhjetë gazeta e revista: “Jeta e re”, “Përparimi” , “Fjala”, “Pionieri”, “GEP-i”, “Shkëndija”, “Kosovarja”, “BAT-i”, “Thumbi” dhe “Bujku”. Poashtu aty shtypeshin edhe mbi 300 libra në vjet me përmbajtje letrare, arsimore shkollore, dhe shkencore.
Në ato kohëra të vështira dhe të rënda, në ” Rilindje” kanë punuar intelektualë të shquar që lënë gjurmë në jetën politike, në arsim, letërsi, shkencë dhe në zvillimin e mediave të Kosovë e më gjerë.si: Xheladin Hana, Esad Mekuli, Masar Murtezai, Gjon Shiroka, Ymer Pula, Fehmi Agani, Asllan Fazliu, Sedat Dida, Vehap Shita, Haki Hoxha, Enver Gjergjeku, Maksut Shehu, Ali Podrimja, Shemsi Mehmeti, Ramiz Kelmendi, Anton Pashku, Fahredin Gunga e shumë të tjerë.
“Rilindja” ka qenë e pranishëme në të gjitha mjediset dhe institucionet tona. Me intersim të madh e lexonin të gjithë, të rinjët e të moshuarit. Ishte bërë pjesë e secilës familja dhe me te fillohej çdo ditë e re. Informoheshin për ngjarjet e zvillimeve politike, sociale, ekonomike, kulturore e sportive që ndikonin në përhapjen e dijes, arsimit dhe të kulturës. Kishte ndikim dhe ka lënë gjurmë të pashlyeshme në emacipimin e shqiptarëve- thotë për “Veteranin” antari i Kryesisë së OVLANÇ të Kosovës, Afrim Deva.
Gazeta “Rilindja” konsiderohej si një lloj abetare e parë mbi të cilën mbështeteshin dhe motivoheshin lexuesit dhe institucionet e Kosovës si Instituti Albanologjik, Instituti i historisë, Akademia e Shkencave dhe të Arteve, intelektualët shqiptarë etj.
Mu për këtë, më 5 shtator 1999, një muaj pasi delegatët shqiptarë të Kuvendit të Kosovës e shpallën Deklaratën Kushtetuese, hapin e parë legal drejt pavarësisë së Kosovës, administrata e pushtuesit serb ndërrmorri masa të dhundhme ndaj “Rilindjes” duke tortoruar shumë punëtorë, burgosi disa gazetarë dhe ndaloi punën e “Rilindjes“. Kjo u bë me paramendim mbase, „Rilindja“, ishte një tempull i informimit, kulturës, arsimit, mobilizimit dhe nxitëse e luftës këmbëngulëse për çlirim dhe pavarësi. Me mbylljen e „Rilindjes“, u krijua errësirë informative dhe këtë akt të dhunimit të së drejtës elementare për informim e gjykuan të gjitha shtresat shqiptare në Kosovë.
Për fat të keq, nga ajo ditë, „Rilindja“ më nuk e pa dritën dhe mungesa e kësaj gazete të dashur me të cilën u rritën shumë gjenerata, ka krijuar një terr jo vetëm informativ. Plejada e njerëzve të pendës dhe lexuesit, megjithatë shpresojnë se një ditë e afërt do të gdhinë me „Rilindjen“. Kjo është tejet e nevojshme mbase, Kosova, është, pothuaj i vetmi vend në botë pa një gazetë të veten të formës së shkruar.
|