Shkodra nuk kishte pa varrim më madhështor se në atë ditë që është bërë ceremonia e varrimit bacë Hilmisë
Hilmi Seiti, gjenerali mes kasandrave
Nga Hyqmet ZANE
Kasandrat e sigurimit të shtetit gjithnjë kanë ekzistuar si të tilla dhe që kanë qenë gjithnjë si heshta të ngritura për të bërë kurthe dhe njollosur këdo që nuk ishte pjesë e kasandrës dhe që nuk u bindej pronarëve të tyre. Një i pabindur i kasandrës së sigurimit të shtetit, pa dyshim që ishte edhe Hilmi Seiti, autoriteti i padiskutueshëm në qytetin e Shkodrës dhe rrethinat për veprat pozitive që ka bërë, që u bë viktimë e sigurimit që ai mendoi se i shërbente me mënyrën e tij më të mirë, por njerëzore.
Sa herë që i përmendet emri këtij njeriu, në Shkodër e cilësojnë “baca Hilmia”, çka është edhe një vlerësim për punën e tij jo si sigurim, por si njeri para së gjithash. Dalja në skenë herë pas here e disa zërave që thonë e flasin pa fakte të dokumentuara dhe që rrëfejnë pas 25 vjetësh demokraci ato që nuk i di askush e që nuk i ka besuar askush. Vetëm tani del ndonjë person i vetëm që tregon histori kasandrash, sikur ka jetuar përkrah sigurimsave që erdhën si Feçor Shehu pas vdekjes së Hilmi Seitit dhe i bënin fresk në xhirot e mbrëmjes dhe na i sjellin si gojëzeza kasandrash tipike sigurimsash. Lind pyetja: Ku ishin në këto 25 vjet, ku dhe cilët janë viktimat, çfarë bëjnë ato, po fëmijët e tyre ku janë apo imagjinata e një njeriu të vetëm mbush dynjanë nga largësitë në kohë dhe në haspirë?
Gjithsesi, 55 vjet e ca më parë, një truk sigurimi eliminoi fizikisht një njeri të dëgjuar për bëmat e tij në kryeqendrën e antikomunizmit, në Shkodër. Them fizikisht, sepse legjenda për Hilmi Seitin jeton edhe sot e kësaj dite për atë çfarë e njohën dhe e përjetuan shkodranët çamin energjik dhe të besës. Bisedoja para rreth 20 vjetësh me një ish të përndjekur politik, Lutfi Sejko, si pjesë e të ashtuquajturit grup armiqësor të Teme Sejkos dhe Tahir Demit dhe në rrëfimet e tij autentike më ka treguar shumë e shumë ngjarje të ndodhura dhe që ai ka qenë një dëshmitar okular. Ai ishte nga qyteti i Filatit dhe pjesëtar i një prej familjeve të mirënjohura të sejkatëve dhe në kujtesën time ka mbetur si një njeri që më ka thënë të vërteta që ngjisin në kujtesë, veçanërisht edhe për figurën e Hilmi Seitit. E tillë ishte ajo për Hilmi Seitin, një pjesëtar i organeve të sigurimit të shtetit. Ai sillej krejt ndryshe, jo ashtu siç e njohim ne këtë organ të diktaturës së proletariatit, pikërisht në Shkodër dhe pikërisht në një nga rajonet më antikomuniste në Shqipëri.
Por jo vetëm Lutfi Sejko, por edhe çdo shkodran që takoja rastësisht dhe merrte vesh që isha nga Çamëria, menjëherë më përmendte emrin e Hilmi Seitit duke më folur me superlativa për sjelljen e tij prej babaxhani duke thënë epitetin “Baca Hilmija”, që shpesh thuhet për burrat me dinjitet dhe njeriu që nuk bënte keq, por kishte gjithnjë raste të ndihmonte këdo, jo për ti futur në burg por për ti dhënë mundësinë të ndërtonte jetën në familje.
Pasi shkrova shumë vite më parë një artikull për këtë personazh të Çamërisë me kontribute të respektuara në luftën antifashiste, pati një reagim nga një tjetër shkrues që krijoi indinjatë për mënyrën se çfarë tha dhe kërkonte të mbushte mendjet e lexuesve. Një zonjë nga Shkodra, e vjetër në moshë, më telefonoi dhe më tha se “Hilmija mbetet për mu një burrë i naltë. Ai na trajtonte ne si motra edhe pse ishim të persekutume nga regjimi. E kam rujt në kujtes mënyrën si aj sillej me na dhe asnjëher nuk niva kand të më thoshte i fjalë për Hilmian. Ai ishte burrë prej Çamërie”.
Funerali i burrit të Çamërisë ka qenë i madh dhe i veçantë
Askush në Shqipëri nuk i ka hequr asnjë presje mendimit se atë ditë prilli, pasi ishte kthyer nga Tirana, dhe pas një bisede me sekretarin e parë në Shkodër, Hilmi Seiti ndërroi jetë. Lajmi mori dhenë dhe funerali i këtij burri të Çamërisë ka qenë i madh dhe i veçantë, shumë njerëz që shprehnin pikëllim për këtë vdekje të papritur të këtij njeriu të respektuar. Sot me të drejtë mund të themi se ajo që ndodhi me Hilmi Seitin ishte prologu i një genocidi të ri që do të zbatonte sigurimi i shtetit dhe udhëheqja e asaj kohe ndaj çamëve dhe çdo personaliteti të kësaj krahine, që padiskutim kishin kontribute dhe ishin djem nga familjet më të mira të Çamërisë.
Në të gjithë Shqipërinë filloi një thashethemnajë tipike e sigurimit që e shfrynte me njerëzit e vet në çdo qytet me mjetet e veta të kasandrave tipike staliniste, duke thënë edhe fjalët që vetëm grekët i përdornin nda çamëve duke i quajtur “të pabesë” se edhe vetë brenda Byrosë së Enverit ishin grekët e përzemër të tij. Por, siç e pohon Hektor Sejko, djali i Tahos që jetuan në Shkodër, të thotë me vërtetësi dhe seriozitetin që e karakterizon se “në Shkodrën antikomuniste nuk thuhej asnjëherë kjo fjalë se Hilmi Seiti kishte krijuar portretin e çamit të besës që ia ruajnë këtë cilësi edhe sot e kësaj dite”.
Nuk është një kujtesë thjesht vitesh, por është një rikujtesë për atë opinion që shpesh ka shoqëruar komunitetin çam, ku veç burgosjeve dhe vrasjeve e shumë e shumë ligësive të tjera, që përdori diktatura e Enver Hoxhës, reminishencat e së shkuarës nuk mund të zbehin forcën e origjinës dhe vitalitetin e një treve që me plot gojën mund të thuhet se është sa e persekutuar, aq edhe dinjitoze, sa e masakruar, aq edhe krenare. Janë të shumta ato që janë e stërthënë për Hilmi Seitin sa një i përndjekur politik shkodran, kantautori i verbër, Gjok Vata, e citon me shumë respekt në librin e tij. Për më shumë, edhe vetë djali i Hilmi Seitit, që fatkeqësisht nuk e njohu babanë e tij, se ishte motak, e kujton kështu babain e tij, si një përgjigje fisnike për thashethemexhinjtë e rëndomtë.
Hilmi Seiti ka qenë burrë! E ka dash e gjithë Shkodra...
“Babanë e kam parë për vite të tëra vetëm në fotografi: i pashëm, i thjeshtë, sy të zgjuar dhe autoritar. Dy vjet më parë, një mik më thotë: “Hilmiu shfaqet për pak fraksione edhe në një dokumentar”. Të them të drejtën nuk po i besoja veshëve... Hyra në internet dhe ... e pashë: modest, profesional... Dy sekonda – një jetë. Mjafton. Nuk kam patur guximin t’ja them nënës time. I vogël e shikoja në ëndërr. Dëgjoja për babain, më përqafonin. E kërkoja, më tregonin. Pyesja nënën time. Më tregonte sa humor kishte, sa i dashur ishte. Të gjithë (rreth meje) tregonin. Vitet kalonin por njerëzit nuk reshtnin, tregonin... “Si të quajnë? Çfarë e ke Hilmi Seitin? Ka qenë burrë! E ka dash e gjithë Shkodra... Mori vesh se filani donte të arratisej...E thirri ... i tha shko të fillosh punë...”. Me dhjetra histori, njerëzish të thjeshtë që vazhdojnë edhe sot. Nuk besoj të jenë të shumtë ata njerëz të cilët duke mos e njohur babanë e tyre të gjallë, ta kenë njohur aq mirë në marrëdhënie me të tjerët dhe në punën e tij. Një punë mjaft delikate. Gjithmonë në lëvizje, në dinamikë, me shumë detyra komplekse dhe reflektime, të kuptuarit e jetës dhe përballje. Përballje me servilë e të regjur. Përballje me njerëzit, eprorët, me veten. I rritur jetim, larg shtëpisë, ndër ata çamë të mitur të ndihmuar nga paria e Çamërisë për të shkuar në shkollë. Nëpër konvikte, në Luftë, në internim, në luftë me jetën, i vetëm dhe njëkohësisht me shumë shokë e miq, por që në asnjë çast nuk pranonte hipokrizinë.
Pas viteve 90-të, u shkrua periodikisht në gazeta të ndryshme dhe e vërteta mbi vdekjen e babait tim filloi të kristalizohet dhe të përputhet me dyshimin e hershëm të nënës time. Mësuam që Hilmi Seiti ishte kritikuar rëndë për zbutje të luftës së klasave. Mësuam që, zyrtarisht, Hilmi Seiti “nuk gjente gjurmë të veprimtarisë armiqësore të klerit në Shkodër” megjithëse kjo i ishte kërkuar që në fillimet e viteve 50-të. (“Veprimtaria armiqësore” u vërtetua në vitet 60-të deri sa u shembën edhe kisha e xhamia). Ridëgjuam, atë që dinim, që megjithë profesionin specifik që kishte zgjedhur, ndryshe nga shumë drejtues të lartë të Sigurimit e Policisë, Hilmi Seiti kishte ditur të bënte dallimin ndërmjet mjerimit dhe ideve. Babai im, Gjeneral-Major Hilmi Seiti e kishte zgjedhur rrugën e tij dhe si njeri me integritet dhe me një inteligjencë të rrallë u përpoq të bënte më të mirën në atë mori djallëzirash e mizorish gati mesjetare të kohës. Por ai nuk mund të bënte çmendurira. E vetmja çmenduri që bëri im atë ishte që nuk e shiti Çamërinë, që nuk mundi të pranonte tezën antishqiptare se çamët, ky popull kaq i zgjuar, vital dhe patriot, ishin në shërbim të Greqisë. Eleminimi i tij ishte pa dyshim vepër e kupolës drejtuese të shtetit komunist dhe i hapi rrugën jo vetëm realizimit të “komplotit çam” por edhe spastrimit të brezit intelektual e të shkolluar çam që me aq kujdes e vështirësi ishte formuar nga paria dhe familjet aq punëtore të Çamërisë. Kjo qe goditja e rradhës dhe më e ndyra që merrte popullsia atdhedashëse çame, por që këtë herë i vinte nga nuk e priste dhe për më tepër e etiketonte si të pabesë.
Si u eliminua Hilmi Seiti nga sigurimi i shtetit më 26 prill 1960
Krejt rastësisht më ra në dorë libri “Ditari i kujtimeve të mija” të shkruar nga Gjokë Vata. Një miku im, shkodran, Anton Daka, biri i një familjeje të nderuar që iu privua jeta në liri në kohën e diktaturës, si babait të tij, Nikolla Daka, më takon me shumë dëshirë duke më rrëfyer për këtë libër, brenda të cilit autori flet me shumë respekt për gjeneral Hilmi Seitin. U befasova dhe e shfletova menjëherë këtë libër, aq më tepër kur mora vesh se autori ishte i verbër. Problemet që kam edhe unë vetë me sytë, më bëjnë të besoj e të respektoj më shumë këtë kategori njerëzish që u mungon gjëja e shtrenjtë e jetës.
Tashmë dihet se si u eliminua Hilmi Seiti nga sigurimi i shtetit më 26 prill 1960, pasi nuk pranoi të ishte pjesë e sajimit të grupit të ashtuquajtur të Teme Sejkos dhe Tahir Demit. Është interesante se si një qytetar shkodran, ashtu si shumë e shumë të tjerë që e njihnin Bacën Hilmia, siç e thërrisnin, të shkruaj kujtimet e veta me mbresat më të veçanta për këtë njeri që mbeti enigma e autorit që e helmoi në atë ditë të zezë.
Fragmente nga libri “Ditari i kujtimeve të mia”, janë rrëfime autentike që flasin më shumë se çdo koment tjetër. Janë këto fragmente të mëposhtme që mes dialogjeve gjenden vlerësimet e veçanta për çamin-gjeneral Hilmi Seiti.
Fragmente nga libri “Ditari i kujtimeve të mia”
* “Çudi – foli Marku,- edhe autoritetet e këtij mut shteti mundohen me e nxanë piska njani-tjetrin. Mantho Bala të njeh shumë mirë, por e zemëron përkrahja që t jep Hilmi Saiti. Sado e vogël qoftë shpresa e luftës së karrierës mundohen me e shfrytzue. Këta e luftojnë njani-tjetrin me brryla të padukshëm e nënkambca të pahetueshme. Pak me i shkit kamba Hilmi Saitit, mundohen me ia nxanë kryet me derën edhe me përkrahjen që të kanë dhënë ty. Jo ma mund të pyes kush si po shket Hilmi Saiti. Kur shkitën ma të rrangut, po ky?”.
*“Ia tregova Hilmi Saitit sjelljen e autoriteteve me ty, ai ma priti:
“Nuk është në nderin e luftës së klasave përndjekja e Gjokës”.
Këto fjalët e ma të plotfuqishmit të Shkodrës po t’i hapnin dykapakësh dyert e të gjithave institucioneve e me çka pava në të po të jep dorën me u ngjitë shpejt e shpejt aty nga u shkite.”
*“Filip Gjergji u ka dhanë rrugë fjalëve të Hilmi Saitit e ato janë përhapë ma shpejtë se do përhapeshin me një trasmetim radiofonik. Arsyetimet e gjeneral Hilmisë, pranohen në mënyrë të pakundërshtueshme nga të gjitha autoritetet e qytetit, prandaj qëndrimi i Hilmisë ndaj meje është ba qëndrimi i të gjithëve ose asht e shtime.”
*“Disa kangë e valle gjatë shfaqes u duartrokitën ngrohtësisht nga publiku. Përgëzimin e parë në skenë ma dha Hilmi Saiti. Në çastin e shtrëngimit të dorës duartrokitjet e publikut shpërthyen ma të fuqishmet. Këto duartrokitje synonin dy qëllime: me më shprehë përgëzimin ma të ngrohtë e dëshirën e rehabilitimit tim. Shembullin e Hilmi Seitit kush e dashtë e kush pa dashtë e ndoqën të gjithë autoritetet e pranishme. Veprimit tim muzikor iu akordue çmimi i parë i festivalit. Ky çmim, - tha Hilmi Seiti, - duhet me përmbushë angazhimet që kam marrë me emrin tand. Ky angazhim do tu japë zemër përpjekjeve të mija me ta hapë rrugën drejt ngjitjes, ndonse ecja mund të jetë e ngadaltë, qëllimi do arrihet siç dëshirojmë”.
Epilog
Shkodra nuk kishte pa varrim më madhështor se në atë ditë që është bërë ceremonia e varrimit të Hilmi Seitit, sepse ai ishte i veçantë në personalitetin e tij dhe ata që kanë qenë dëshmitarë okularë më kanë treguar se zotërinjtë dhe zonjat katolike të Shkodrës ishin në rradhën e parë të atij kortezhi për një njeri që bëri veçse mirë dhe nuk kam dëgjuar kënd të më thotë ndonjë fjalë tjetër. Një popull është lehtë ta bësh për të qeshur, por nuk është lehtë ta bësh për të qarë. Ai u qa se ishte burrë i respektuar dhe që origjina e tij nga Çamëria e bënte krenar dhe njerëzor.
|