Kontributi i popullit shqiptar gjatë Luftës së Dytë Botërore në pesë këndvështrime
Shqipëria i dha botës alarmin e rrezikut të fashizmit
Në dhjetor1944 me urdhër të Komandës së Përgjithshme mbi 20 mijë forca të brigadave partizane kaluan tej kufijve për të ndihmuar popullin shqiptar të atjeshëm dhe të tjerë për t`u çliruar. Ky veprim është akti shumë i rëndësishëm dhe historik në krah të aleatëve
Nga Ismet BALAJ
Lufta e Dytë Botërore filloi me 1 shtator 1939, ditën që Gjermania sulmoi Poloninë. Si rrjedhim Britania, Franca dhe SHBA-ja i shpallën luftë Gjermanisë. Disa nga shkaqet e zhvillimit të kësaj lufte ishin: konfliktet midis Fuqive të Mëdha për moszgjidhjen e shumë problemeve të mbetura nga Lufta e Parë Botërore, kriza e thellë ekonomike e viteve tridhjetë, zhvillimi i pabarabartë i shteteve, lëvizja komuniste botërore si një rrezik aktual për shtetet kapitaliste etj. Lufta synonte rindarjen e botës dhe zhdukjen e sistemit socialist në Bashkimin Sovjetik (Rusia e sotme) etj. Këto konflikte çuan në grupime të kundërta politiko-ushtarake, prandaj u përballën me njëra tjetrën. Gjermania naziste, Italia fashiste e Japonia militariste dhe satelitet e tyre formuan “Boshtin Romë-Berlin-Tokio”. Këtij “Boshti” agresiv iu kundërvu Koalicioni Anglo-Sovjeto-Amerikan dhe ato që u bashkuan me të. U angazhuan në luftë 61 shtete, morën pjesë 110 milionë ushtarëve; u përdor një teknikë në shifra: aeroplanë, tanke e topa 2 milionë e 400 mijë dhe mbi 50 milionë vetë u vranë; 41 shtete nga Atlantiku deri në Paqësor u bënë fushëbetejë e forcave ndërluftuese. U prekën drejtpërdrejt ose tërthorazi 80% e popullsisë së botës.
Kontribute që meritojnë të mos harrohen kurrë
Së pari, më 7 prill 1939 u bë viktimë e kësaj tragjedie para fillimit të luftës. Populli e prit me armë pushtuesin Italian në portet e Shqipërisë, duke derdhur gjakun për mbrojtjen e lirisë. Kështu i dha botës alarmin e rrezikut të fashizmit, njëkohësisht i bëri me dije se popujt do ta luftojnë çdo pushtues sado i madh e i fuqishëm që të jetë. Europa u bë e shurdhët. Filluan menjëherë format e qëndresës. Italia instaloi brenda pak kohe rreth 650 mijë kolonë punëtorë dhe intelektualë për italianizimin njerëzor e kulturor të shqiptarëve si edhe 100 mijë ushtarë. Kishte qëllim që të ndryshonte strukturën e popullsisë që të përjetësojë pushtimin, si edhe ta përdorë Shqipërinë si llogore të parë kundër shteteve fqinj, Greqisë e Jugosllavisë në vijim të planit strategjik për Ballkanin, Afrikën Veriore e gjerë në Indi për të krijuar “Perandorinë e Mesdheut…”.
Pushtimi Italian vuri në provë forcat politike shqiptare. Legalistët, mbrojtësit e mbretërisë, mbetën në fushën e fjalëve; nacionalistët dhe bashkë me ta edhe shumica e intelektualëve më në zë të kohës, e kuptuan në mënyra të ndryshme pushtimin; një pjesë e frikësuar nga forcat e mëdha ushtarake në Shqipëri, e shihte të pamundur qëndresën, prandaj ndejti në pritje të zhvillimit të situatave “kur të vinte koha”. Një pjesë tjetër që ishte kundër rregjimit të Zogut, e mirëpriti Italinë dhe bashkëqeverisi me të, bile edhe gjatë pushtimit gjerman. Këta u verbuan nga propaganda mashtruese italiane që kishte marrë “përsipër” bashkimin e tërë trojeve shqiptare në një shtet. Në fakt me luftën italo-jugosllave 1940, Kosovën e ndanë tri forca pushtimi: në veri Gjermania, në juglindje Bullgaria dhe në perëndim Italia. Qëllimi i propagandës ishte përdorimi i shqiptarëve si mish për top kundër shteteve të tjera. Vetëm grupet komuniste, ndonëse të ndara e të përçara, munden të afrohen dhe të formojnë parti politike me 8 nëntor 1941,me në krye Enver Hoxhën. Kjo parti mori drejtimin politik të luftës.
Së dyti, Konferenca e Pezës (16 shtator 1942), e organizuar me insiativën e PK, ku morën pjesë përfaqësues nacionalistë, zogistë dhe komunistë, përcaktoi pjesëmarrjen e Shqipërisë në krahun e Aleancës Anglo-Sovjeto-Amerikane, sepse ishte aleancë çlirimtare për shtetet dhe popujt e robëruar nga forcat e Boshtit. Platforma politike e konferencës ishte: Të luftohet për një Shqipëri të lirë prej fashizmi, e pavarur dhe demokratike; të forcohen bazat e vërteta të bashkimit të popullit shqiptar, pa dallim klase, bindjesh politike, fetare dhe krahine në frontin nacionalçlirimtar nëpërmjet luftës së armatosur. Edhe Aleanca antifashiste ishte një bashkim shtetesh me sisteme të kundërta, kapitaliste e socialiste, por për rastin konkret armiku kryesor i përbashkët i gjithë njerëzimit ishte “Boshti”, ndaj ato u bashkuan kundër tij. Prandaj edhe platforma e Konferencës së Pezës ishte në përputhje me idetë e bashkimit të Aleatëve.
Kjo vijë politike u shoqërua me aksione dhe luftë të armatosur. Brenda vitit 1942 forcat partizane të organizuara në Frontin Nacionalçlirimtar çliruan Pezën, Skraparin, Tomorricën, Kurveleshin, Martaneshin, Gorën e Sipërme, Oparin, Mesaplikun, një pjesë të Çermenikës, të Mallakastrës, të Devollit, të Dishnicës, të Shpatit dhe të Mbishkodrës etj. Për këto arsye SHBA-ja, Britania dhe Bashkimi Sovjetik në muajin dhjetor 1942 bënë deklaratë mbi njohjen e Luftës ANCÇl të popullit shqiptar. Kjo ishte një përkrahje e madhe dhe e merituar. Kështu Shqipëria u bë pjesë organike e përbashkët e luftës botërore kundër murtajës fashiste. Gjatë vitit 1942-1943 u formuan në të gjithë vendin njësi partizane çeta,batalione dhe brigada. Veprimtaria e tyre përfshiu tërë Shqipërinë. Aleatët nisën në Shqipëri misionet e tyre për të parë nga afër gjendjen dhe për të ndihmuar. Anglezët dërguan një seri ndihmash: veshmbathje, arme dhe municione.
Veprimet luftarake të partizanëve gozhduan 130mijë forca ushtarake italiane që ndodheshin brenda në Shqipëri. Po kaq forca ushtarake gjermane me të gjitha armatimet e municionet e nevojshme u përqendruan në Shqipëri gjatë vitit 1943-1944. Ky bllokim ndikoi pozitivisht edhe në frontin e përgjithshëm antifashist, pavarësisht se ne luftonim për çlirimin e vendit tonë. Populli ynë nuk priti që lirinë t`ia dhurojë kush.
Bashkimi me aleatët ishte bashkim i gjallë luftarak për një mision të madh e të përbashkët:mundjen e fashizmit, duke dhënë secili maksimumin e ndihmës së vet. Goditja frontale e Aleatëve kundër Italisë në Veri të Afrikës dhe në Ballkan, ku edhe popujt e këtyre shteteve po e luftonin, solli kapitullimin pa kushte të Italisë me 8 shtator 1943. Vendin e tyre e zuri ushtria gjermane. Kjo nuk kishte plan strategjik për Shqipërinë , sepse ishte zonë e pushtimit Italian. Pra edhe rreshtimi në krah të aleancës dhe lufta që zhvilloi pa e ndërprerë asnjëherë përbën një kontribut me vlerë.
Së treti, populli ynë, duke mbajtur mbi shpatulla luftën kundër pushtuesve në territorin e Shqipërisë, dha po kështu kontribut në Luftën e Dytë Botërore. Koalicioni Anglo-Sovjeto-Amerikan nuk pati nevojë që të dërgonte forca të armatosura për t`u përleshur dhe humbur njerëz e shpenzuar mjete për çlirimin e Shqipërisë, ashtu siç bëri në të gjithë vendet e tjera europiane, afrikane dhe aziatike. Pra i kurseu njerëz, mjete luftarake dhe kohë. Ushtria Nacionalçlirimtare shqiptare përballoi jo pa vështirësi dy operacione gjermano-balliste, atë të dimrit 1943-1944 dhe të qershorit 1944. Operacionet synonin shkatërrimin e Frontit Nacionalçlirimtar. Disa të ashtuquajtur historianë thonë se ishte luftë civile. Në këtë operacione ballistët ishin pararoja e gjermanëve, ishin bashkë me ta, ndaj kjo luftë nuk ishte aspak luftë civile, sepse ballistët u bënë mish për top në shërbim të italo-gjermanëve. Një fjalë e urtë thotë: “Më thuaj me kë rri që të them se kush je”.
Me 24 maj 1944 u mblodh Kongresi i Përmetit me pjesëmarrjen e delegatëve nga gjithë Shqipëria. Aty u morën disa vendime, ndër të cilët ishte edhe ai për të vazhduar luftën gjerë në çlirimin e plotë të Shqipërisë. Për këtë Komandanti i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura Gjeneral kolonel Enver Hoxha urdhëroi kalimin e ushtrisë në mësymje të përgjithshme. U bë riorganizimi i shpejtë i forcave partizane, u dyfishua numri i tyre dhe i mjeteve luftarake. Ky veprim siguroi marshimin me sukses drejt Shqipërisë së Mesme e të Veriut duke shpartalluar forcat gjermano-balliste të bashkuara. Gjatë këtij marshimi fitimtar u çliruan qytetet dhe fshatrat e gjithë Shqipërisë. Njëkohësisht u riorganizuan forcat partizane në njësi më të mëdha, në divizione. Me 17 nëntor 1944 u çlirua kryeqyteti –Tirana dhe më 29 nëntor u çlirua Shkodra me rrethinë.
Kjo datë shënoi çlirimin e plotë të Shqipërisë. Në këtë kohë Ushtria Nacionalçlirimtare kishte 70 mijë luftëtarë në reparte ushtarake aktive dhe territoriale. Repartet territorial u ngritën menjëherë sapo fshati a po qyteti çlirohej. Këto kishin për detyrë ruajtjen e lirisë nga forca agresive vendase a mbeturinat e pushtuesve që ndodheshin aty këtu bashkë me forcat e reaksionit, ishin pjesë e pushtuesve dhe ëndërronin marrjen e pushtetit pa derdhur as djersë as gjak për atdheun e robëruar. Të demaskuar plotësisht iu bashkangjiten gjermanëve në tërheqje për në theqafjen e pashmangshme të tyre.
Së katërti, me inisiativën e PKSh dhe në marrëveshje të plotë me drejtuesit e LNÇl të Kosovës u mblodh në Bujan të Malësisë së Gjakovës-Tropojë, Konferenca e Kosmetit (Kosovë-Metohi) me 31 dhjetor 1943 - 2 janar 1944. Në këtë konferencë merrnin pjesë përfaqësues të Këshillit Nacionalçlirimtar të krahinës së Kosovës, shqiptarë dhe malazezë.
Konferenca mori Vendimin historik që populli i Kosovës më dëshirën e plotë, pas luftës, t`i bashkohej shtetit shqiptar. AVNOJ i hodhi poshtë Vendimet e Konferencës. Me gjithë këtë, gjatë luftës me veprime luftarake dhe propagandë u punua për krijimin e një situate të përshtatshme për të vënë në jetë bashkimin territorial të Kosovës dhe të banorëve të saj në shtetin shqiptar. Edhe ky veprim ishte në përputhje me Vendimet e Kartës së Atlantikut.
Së pesti, në dhjetor1944 me urdhër të Komandës së Përgjithshme mbi 20 mijë forca të brigadave partizane kaluan tej kufijve për të ndihmuar popullin shqiptar të atjeshëm dhe të tjerë për t`u çliruar.
Ky veprim është akti shumë i rëndësishëm dhe historik në krah të aleatëve. Këto forca bashkë me brigadat partizane shqiptare të Kosovës (8 brigada) dhe me brigadën e VII me shqiptarë të Maqedonisë çliruan pjesën perëndimore shqiptare të Maqedonisë dhe Kosovën; vazhduan luftimet me sukses kundër gjermanëve edhe në territorin e Malit të Zi, të Bosnjes-Herzegovinës, të Sanxhakut të Serbisë duke çliruar edhe një sipërfaqe sa e Shqipërisë dhe me më shumë popullsi. Ky ishte kontributi më i madh që populli shqiptar dha në Luftën e Dytë Botërore.
|