Kur do të ndalet lufta ndaj Luftës së lavdishme Nacionalçlirimtare
LANÇ e popullit tonë nuk ishte luftë civile ndërvedi, siç duan ta vlerësojnë disa pseudohistorianë
Sakip CAMI
Kryetari i Organizatës së Bashkuar të Veteranëve të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare të Popullit Shqiptar (OBVL), Heroi i Popullit, Nderi i Kombit Gjen.Leit. Rrahman Parllaku, ish komandant i Divizionit të IV në këtë luftë, sot 97 vjeë, memorie e gjallë historike është detyruar ndonëse në këtë moshë të thyer të prononcohet disa here në media, në gazeta dhe televizione të ndryshme pas shumë sulmeve të qëllimta dhe dashakeqe ndaj kësaj lufte të popullit shqiptar duke deklaruar se kjo luftë është një luftë e lavdishme që e renditi popullin shqiptar në krahun e fituesve.
Gjeneral Parllaku dhe OBVL që ai drejton nuk e identifikon këtë luftë me komunistët, PKSH dhe Enver Hoxhën, por ja atribuon popullit shqiptar që e zhvilloi dhe e përballoi me sukses, ndonëse në kushte të vështira politike dhe ekonomike.
Lufta Antifashiste Nacionalçlirimtare e popullit tonë nuk ishte luftë civile ndërvedi, siç duan ta vlerësojnë disa pseudohistorianë, por një luftë kundër pushtuesve fashistë dhe nazistë. Beteja sporadike të zhvilluara në intervalin korrik- tetor 1943, kur kishte kapitulluar Italia fashiste nuk përbëjnë kurrësesi luftë civile të një populli. Nocioni i luftës civile është i qartë dhe i përcaktuar. Quhet luftë civile e një populli kur palë kundërshtare të tij përfshihen në luftime me njëri tjetrin dhe në vend nuk ka pushtues. Pra në këtë konteks Shqipëria nuk është përfshirë në luftë civile gjatë Luftës së II Botërore dhe nuk kishte si të përfshihej sepse bënte pjesë në bllokun e Antantës (SHBA, Britani, Francë, BS) dhe përfaqësuesit e këtij blloku sidomos ushtarakët anglezë ishin të pranishëm në Shqipëri me asistenën e tyre. Në përfundim të luftës Shqipëria u rendit me krahun e fitimtarëve, pavarësisht nëse aleatët ishin dakord apo jo që Shqipëria të drejtohej nga komunistët pas luftës. Por duhet theksuar edhe fakti tjetër se blloku antifashist përbëhej edhe nga BS komunist që kishte influencë të madhe tek vendet e Europës Lindore.
Analiza e një ngjarje politike apo një lufte nuk bëhet me sikur të ndodhte, por me atë që ndodhi në fakt. Aq më tepër lufta. Ndonëse politika bën kompromise me votat e popullit siç edhe ka ndodhur rëndom, lufta matet me gjakun e derdhur, me raportin e forcave dhe mjeteve që janë hedhur në këtë luftë dhe për rrjedhojë ndërtohet më pas edhe pushteti i ardhshëm.
Është folur shumë edhe për Konferencën e Mukjes në korrik 1943. Sikur të pranonte Enver Hoxha dhe FNCl të ndanin pushtetin me Ballin gjërat do të shkonin ndryshe sepse lideri i Ballit Kombëtar ishte më largpamës, ishte i biri i një patrioti të shquar e kështu me rradhë…Por nuk ecet me sikur… Me 10 korrik 1943 ishte formuar Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë NCL dhe FNCl numëronte dhjetra batalione, ndërsa Balli nuk përbënte as edhe një batalion me forcat e tij.
Katedra e Historisë së Artit Ushtarak pranë Akademisë sonë Ushtarake dhe Arkivi i Ushtrisë i ka të regjistraur emër për emër partizanët dhe drejtuesit e formacioneve partizane që nga çetat, batalionet, brigadat, divizionet dhe korparmatat. Janë të regjistruara edhe pjesëtarët e formacioneve të Ballit Kombëtar dhe të Legalitetit, të Ushtrisë dhe të Xhandarmërisë qeveritare profashiste që janë paguar me bordero të rregullt.
Në këtë shkrim do të japim edhe të dhëna për 25 brigadat partizane që luftuan për çlirimin e Shqipërisë dhe të viseve shqiptare jashtë Shqipërisë. Luftuan me bukë dhe pa bukë, pa para dhe të ardhura vetëm për atdheun. Kjo nuk ndodhi me shqiptarët bashkëpunëtorë të fashizmit dhe të nazizmit, që e matën vehten me para dhe me kondita paraprake.
Shumë pseudohistorianë marrin guximin pa njohur luftën dhe nocionet e saj, pa njohur nocionet e historisë dhe shkruajnë mbarë e prapë në gazetat tona shpifje pa fund ndaj kësaj lufte të popullit shqiptar.
Kjo histeri ndaj kësaj lufte të lavdishme e ka burimin dhe frymëzimin tek armiqtë tanë shekullorë që duan ta nxijnë edhe këtë luftë të lavdishme. Për analogji vazhdon edhe sot përpjekja për të nxirë edhe luftën e UÇK në Kosovë dhe për të nxjerrë serbët viktima dhe paqësorë.
Flet Rrahman Parllaku, njeriu që PPSH dhe Enver Hoxha e burgosi në burg dhe mbron luftën e shokëve të tij luftëtarë, dhe pseudohistorianë, relativisht të rinj në moshë përpiqen ta nxijnë këtë luftë. Ka dokumente, theksojnë ata. Po, ka dokumente dhe dëshmitarë të gjallë në Shqipëri dhe në botë që e renditin luftën e popullit shqiptar si luftë e suksesshme ndaj pushtuesve gjatë Luftës së II Botërore. Ka dokumente në arkivat shqiptare dhe ato botërore që e vërtetojnë bashkëpunimin e disa krerëve shqiptarë me fashizmin dhe nazizmin. Por varet nga cili këndvështrimi e bën analizën, nga cila kohë dhe hapësirë, nga cili qëllim dhe synim. E theksojmë fort, kjo luftë nuk është lufta e komunistëve, por e popullit shqiptar që e organizoi rezistencën ndaj pushtuesve edhe kur nuk egzistonte PKSH, që në prillin 1939 dhe duke vazhduar në vitin 1940, 1941 duke patur dëshmorë të shumtë, duke vazhduar me Konferencën e Pezës në shtator 1942, një konferencë e Frontit pa dallim feje, krahine dhe ideje.
Pas 10 korrikut 1943 fillon organizimi i Ushtrisë NCL, organizimi i dy operacioneve të mëdha, ai i dimrit 1943 - 1944 dhe ai i qershorit 1944 dhe pas Kongresit të Përmetit kemi mobilizimin e përgjithshëm për luftë, ose siç mund të thuhet sot gjendjen e jashtëzakonshme të mobilizimit. Kush u rreshtua me forcat gjermane u përball me ofensivën e përgjithshme të luftës së FNCl. Kjo ishte zgjedhja e tyre, sigurisht e gabuar. Por në zjarrin e luftës nuk bëhet më dallimi se kush është në anën tjetër të frontit. Paralajmërimi dhe njoftimi i popullsisë civile ishte bërë. Kërkesa për të ndihmuar luftën antifashiste ishte bërë me shkrim, me mediat e kohës dhe në kuvende. Arsyetimi i bashkëpunëtorëve të nazizmit se më mirë me naziztët se sa me komunistët shqiptarë ishte i gabuar. Antishqiptarizmi kurrësesi nuk mund të jetë më i dobishëm se antifashizmi.
Gabime në luftë ka kudo. Jo vetëm në Shqipëri, por kudo ku janë zhvilluar luftëra. Por analiza bëhet e ftohtë dhe në raport me çështjen kombëtare. Kush u rreshtua dhe luftoi kundër pushtuesve për çlirimin e vendit dhe kush bashkëpunoi me pushtuesit. Kjo nuk kërkon shumë analizë historike. Unë gjykoj si ushtarak dhe gjykoj se shqiptarët e fituan luftën antifashiste nacionalçlirimtare dhe renditën vendin tonë me fitimtarët dhe për këtë pjesëmarrësit në këtë luftë duhet të nderohen maksimalisht. Edhe gjykimi ndërkombëtar për këtë luftë është bërë. Tendencat për ta nxirë këtë luftë të lavdishme nuk i shërbejnë lartësimit të emrit të shqiptarizmës në botë. Arsyetimi se po kërkojmë të vërtetën dhe në një kohë dhe në të njëjtën vend zbulohen gabimet e FNCl dhe mbulohen borderot e parave të marra nga pushtuesi nuk ka vend ku të qëndrojë.
|