l
Faqe e Pare
Organizata

veterani arkiva
veterani Veterani

link Linke

 


BURRI FISNIK MARK QERIM DELIA

Patrioti që i janë besuar zgjidhje konfliktesh për çeshtje të ndryshme pronësie, morale e shoqërore



Nga Ismet Balaj

U lind më 1889 në Blinisht, një fshat i vogël, 9 km në Verilindje të qytetit të Pukës. Delitë janë vazhdim gjenetik i Dakës. Mark Qerim Delia është burri më i shquar i kësaj vëllazërie dhe një nga më të shquarit në malësi gjatë shekullit XX për virtyte të larta.
Për virtyte të larta studiuesja angleze Edit Durham shkruan: “Tri detyra fisnike: e mikpritjes, e shënjëtërimit të mysafirit, dhe trimëria janë themeli i karakterit të shqiptarit…”.(Edit Durham, Brenga e Ballkanit, botim 1990, fq.201). Në shtëpinë e Mark Qerim Delisë të Blinishtit të Pukës, këto virtyte janë zhvilluar në shkallën më të lartë të mundshme.
Mark Qerimi kishte shumë miq, jo vetëm në Pukë e Mirditë, por edhe në Shkodër.Ishte njohur në vitet dyzetë edhe me disa anëtarë të Grupit Komunist të Shkodrës, si Jordan Misja, i cili ishte mësues në Pukë dhe shpesh të shtunave dhe të dielave shkonte në shtëpinë e Markut, ku së bashku me fshatarë të zonës debatonte për luftën. Kishte njohur Tuk Jakovën, Sadik Bekteshin, Mark Ndojën nga Iballa (ish professor në gjimnazin e Shkodrës), e tj. Kjo është arsyja që shtëpinë e kthei në bazë të përhershme të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare.


Gjatë vitit 1942 e në vazhdim çeta nacionaliste e Pashk Currit e kishte bazë aty. Edhe . në vitin 1943 e pas çeta partizane Pukë Mirditë me Bardhok Bibën, Mëhill Doçin, Mark Dodanin, Ali Bytyçin, Zenel Islamin, Mat Dodën, Nezir Smajlin, Kadri Çobën, Lekë Berishën etj, po ashtu kishte vendqëndrimi të shpeshtë edhe me ditë.
Oda e pritjes u kthye në odë kuvendësh të rëndësishme ku debatohej për luftën. Aty bashkoheshin rryma të ndryshme politike. Debatet vazhdonin edhe me orë por edhe natën gjerë në agim. I rëndësishëm në këto kuvende ishte qëndrimi i të zotit të shtëpisë Mark Qerimi. Ai mbronte idenë se i huaj e ka pushtuar Shqipërinë për interesa të veta, prandaj duhet luftuar. Nganjëherë biseduesit nxeheshin me njëri-tjetrin ashpër. I zoti i shtëpisë u thoshte: Asnjëri nga ne nuk e di të vërtetën bash saktë. Një është e drejtë dhe e vërtetë: Pushtuesi duhet luftuar. Ata që i shërbejnë Italisë, nuk janë për luftë.
Nëpërmjet këtyre kuvendeve bëhej diferencimi midis palëve. Po shtëpia e Mark Qerimit mbeti e hapur. Edhe çeta nacionaliste e Pashk Currit që kishte prirje zogiste, por që luftonte fashizmin e më vonë nazizmin, edhe çeta partizane Pukë-Mirditë që ishte pro kolacionit anglo-sovjeto-amerikan dhe bënte pjesë ne Frontin Antifashist nacionalçlirimtar ishin të mirëpritur.
Me ardhjen në Pukë të Brigatës Partizane XXII S në tetor-nëntor 1944,për disa ditë u vendos edhe shtabi i brigades në këtë shtëpi. Këtu u ngrit edhe një spital partizan ku mjekoheshin të plagosurit. Të gjithë mashkujt e kësaj shtëpie u vunë në dispozicion të luftës. Ndreka, i biri i Mark Qerimit u aktivizua bashkë me partizanët në luftimet që u zhvilluan për rreth tri javë në rrugën Rrape-Pukë, ku janë shënuar edhe nga luftimet më të ashpra e më të sukseshme të kësaj brigade. Në kujtimet e Sali Verdhës lëxojmë:” Në Blinisht (të Pukës) patrioti Mark Qerimi (Delia) kishte vënë shtepinë e tij në shërbim të luftës, djemtë e fare e fisi i tij rrokën armët dhe shkonin nëpër prita e aksione bashkë me partizanët…”.(S.Verdha,Kujtime… ndodhën në Muzeun Historik të Pukës). Mbajtja dhe përkrahja e forcave antifashiste dhe sidomos partizane nga Mark Qerimi ishte një akt trimëror, sepse ishte kundër vendimeve të Kuvendit në Kabash të shtatë bajrakëve të Pukës me 3 tetor 1943 dhe të 18 tetorit 1944 të Kuvendit në Iballë, ku morën pjesë përfaqësues të 64 bajrakëve të Shqipërisë së Veriut. Ata kuvende kishin vendosur”… atyre që mbanin partizanë t`u digjet shtëpia, t`u merret pasuria, të lëçiten gjindja nga bajraku për gjithmonë dhe të zotët e shtëpisë të vriten…”. Një nga këta të dënuar me vdekje ishte edhe Mark Qerimi. Por edhe dënimet e kërcnimet nuk e lëkundën bindjen e tij. Ai i strehoi dhe u dha ndihmë të gjithë luftëtarëve të lirisë . Mikpritja, pra përshkohej edhe nga virtyti i trimërisë. Përndryshe, po të mos ishte njëkohësisht edhe trim do të ishte tërhequr nga frika e vendimeve të këtyre kuvendeve që po i shërbenin fashizmit dhe nazizmit. Kështu edhe mikpritja si virtyt do të vdiste.


Në dhjetëditshin e parë të nëntorit Mark Qerimi kalon një provë të madhe. Në një banesë kishte strehuar edhe disa partizanë, jashtë kullës me që nuk i zinte të gjithë. Ata kishin ndezur një zjarr të madh dhe banesa kishte marrë flakë. Për këtë ngjarje komanda urdhëroi gjykimin ushtarak duke e dënuar një partizan me vdekje. Sapo e mori vesh Mark Qerimi ndërhyn me forcë me autoritetin e të zotit të shtëpisë, por edhe të kryetarit të këshillit. Komandantit të Brigadës i thotë edhe sikur të digjej krejt banesa, por edhe kulla nga ndonjë partizan, nuk do të lejonte kurrë që të dënohej me bdekje.
-Më parë vritet i zoti i shtëpisë se mysafiri, ju jeni partizanë, jeni mysafirë, jeni miqtë e mi të gjithë. Kurrë gjak këtu,- ngulmon Mark Qerimi. Vendimi u pezullua …Ky është shënjtërimi i mysafirit në shkallën më të lartë të mundshme.
Edhe në Pukë, si në gjithë Shqipërinë agoi dita e lirisë prej grykës së pushkës se partizaneve. Një battalion me pukjanë iu bashkangjit Brigadës së XXII, e cila mori pjesë në çlirimin e Shkodrës e më tej...
Çlirimi e gjeti Pukën jo vetëm të varfëruar në ekstrem dhe të shkatërruar, por njëkohësisht edhe të tmerruar, sepse nëpër male, por edhe në shtëpi në largësi nga qyteti kishte disa qindra të arratisur. Disa i kishin lyer duart me gjak të pafajshëm. Këta do të ndëshkoheshin. Shumë ishin të mashtruar me njëmijë mjete të propogandës së pushtuesve dhe ishin të frikësuar. Ligji i anmistisë bënte qart dallimin mdis kriminelit që do të dënohej dhe të mashtruarëve, të cilët falëshin. Doli edhe lista e tyre.
Kthimi i tyre në shtëpi kishte vështirësi të mëdha. Midis shtetit, organeve të tij dhe kaçakut kërkohej një garant, se i dorëzuari do të ishte me të vërtetë i lirë. Kush mund të ishte i besueshëm për të dy palët? Në Pukë këtë status e gëzonte Mark Qerim Delia. Ishte detyrë jashtëzakonisht e vështirë. Kush e njihte, e dinte se ky burrë, ishte njeri i besës. Dhe ishte një besë e pa parë ndonjëherë. Midis një individi me shtetin dhe njeriut që bënte jetën e kaçakut. Mark Qerimi pranonte vdekjen po jo thyerjen e fjalës së dhënë. Edhe para pushtetit të ri kishte dhënë prova prej fillimit të vitit 1940 me lidhjet dhe veprimet antifashiste të tij.


Gjatë dhjetorit 1944 e në vazhdim edhe disa vite, shpesh bëheshin marrëveshje për besë në ndërmjetësim. Në shtëpinë e Mark Qerimit janë bërë disa kuvende midis kryetarit të Degës së Brendshme dhe kaçakëve. Mark Qerimi merrte përsipër takimin pa pasoja dhe me kushte të favorshme për kaçakët. Nëse dorëzoheshin, shkonin në shtëpi pa pasoja. Nëse nuk pranonin, u jepej leje deri në 5 ditë që të shkonin në male e të strehoheshin diku. Shumica janë dorëzuar. Disa prej tyre kanë mbajtur edhe armë dhe janë aktivizuar në detyrat e kohës bashkë me repartet e ndjekjes. Ka pasur edhe nga ata që nuk kanë pranuar. Janë kthyer në male.


Pushteti i ri ende nuk kishte fituar besimin e mjaftueshëm tek njerëzit. Ishte viti 1946. Ishte miratuar Kushtetuta e Re. Ajo sanksionte se…ujrat, pyjet dhe kullotat janë pronë e shtetit… Nisur nga ky nen fshatarët e Midhës kishin hapur një kanal uji në tokën e Berishës së për t`ia marrë ujin që e kishte prej të të parit të Berishës. Lind një konflikt i ashpër sa të dy fshatrat disa hapa larg njëri-tjetrit hapin nga 15 varre dhe betohën: Derisa të vdesim 15 burra do ta marrim e nuk do ta lëshojmë ujët, sepse “ujët është i shtetit…”. Berishasit betohen do të vriteshin në burimin e ujit të fshatit tyre dhe nuk do ta gëzonte kush. Mark Qerimi ishte n/kryetar i këshillit të gjërë të rrethit dhe anëtar i këshillit të gjërë të qarkut. Berisha ia beson zgjidhjen e këtij konflikti. Në mbledhjen e dy këshillave e shtron problemin: Do të flasim tre veta: një midhacak, një berishas dhe unë. Para tyre shtron pyetjet: Ti, Berisha, qysh kur e keni këtë vadë? Përgjigja: Vadën e kemi tonën qysh prej të parit që nuk mbahet mend. Kurrë nuk kemi pasur problem. Ti, Midha, pse e keni hapur vijen e ujit nëpër tokë të Berishës? Përgjigja: Kushtetuta ka thanë se ujët është i shtetit, prandaj e kemi hapur se uji nuk është i Berishës. Kemi vendosur ta marrim edhe me jetë njerëzish. Po ju a jeni shtet a po katund? Përgjigja: Nuk jemi shtet, po jemi katund. Po ti nuk je shtet, pra as ujët nuk është yti, po i shtetit…... Ujët është i tokës ku ka dalë. Fjala ime është kjo: Midha ka gabuar rëndë fort. Ka mbjellë një sherr që nuk e mban toka. As kanuni as ligji nuk i jep të drejtë. Ujët është i Bërishës siç ka qenë prej mijëra vjetësh. Shteti, kur të çojë komision, vendos vetë…. Midhasit mblidhën, e bisedojnë dhe përgjigjën: Kemi gabuar…Ka afro 70 vjet kjo ngjarje. Berisha e Midha shkojnë bashkë si megjanik të mirë. Kanë plot lidhje miqësore.
Mark Qerimit i janë besuar edhe zgjidhje të tjera konfliktesh për çeshtje të ndryshme pronësie, morale, shoqërore. Kjo ka ndodhur në disa raste kur organet e pushtetit të rrethit nuk kishin autoritetin dhe besimin e mjaftueshëm për t`i zgjidhur. Në këto raste Mark Qerimi ka mundur të gjëje e zgjidhjen e përshtatshme për t`u bindur e pajtuar palët në konflikt. Kur doli ligji për mbledhjen e floririt, edhe në Pukë arrestuan djalin 20 vjeçar Dedë Prendin. E akuzuan se kishte flori të fshehur. Në degë të brëndshme e kishin rrahur për vdekje. Shkon Mark Qerimi dhe debaton me kryetarin e degës, të cilit i thotë: Deda nuk ka parë kurrë flori. Hafia ka qëllim ta ulë këtë familje, sepse një vëlla i Dedës, Ndreca ishte officer në Shkodër, tjetri ishte nëpunës në komitet ekzekutiv…E lirojnë.


Të tri këto virtyte: mikpritja, shënjtërimi i mysafirir dhe trimëria që janë veti të karakterit të shqiptarit, përshkohën nga besa. Vetëm mbi bazën e besës njerëzit therrasin në shtëpinë e dikujt për të kaluar natën; vetëm mbi bazën e besës është shënjëtëruar mysafiri, së secili do të jetë mysafir në jetë; vetëm mbi bazën e besës trimëria është e ligjshme, është e moralshme.
Mark Qerim Delia i Blinishtit të Pukës(1889-1959), si shumë burra e shtëpi në malësi, i kishte këto virtyte në mendje, në zemër e në gjak. Veprimtaria e tij është shëmbull, për brezat e sotëm dhe të ardhshëm.



Kololel Sotir Budina Kryetari i OBVL-së


 

Arkiva e gazetes