l
Faqe e Pare
Organizata

veterani arkiva
veterani Veterani

link Linke

 


Rishkrimin e historisë t’ua lëmë specialistëve

Halil RAMA

Organizata e Bashkuar e Veteranëve të LANÇ (OBVL) mbështet qëndrimin publik të Prof.dr.Paskal Milos për rishkrimin me vërtetësi të historisë së Shqipërisë, veçanërisht të periudhës së Luftës Antifashiste. Për këtë qëllim, OBVL, duke mos paragjykuar komisionin e ngritur nga Akademia e Shkencave, në Kuvendin e fundit miratoi një rezolutë, në të cilën shprehet se: “Megjithë tolerancën patriotike, nuk mund të mos distancohemi nga veprimtaria përçarëse dhe krimet gjatë kohës së diktaturës, si dhe nga historia e shkruar në mënyrë të njëanshme, ndryshe do pranonim deformimin e së vërtetës”. Kjo, nisur dhe nga deklarata e bërë nga i ndjeri gjeneral Rrahman Parllaku - Nderi i Kombit (në 100-vjetorin e lindjes së tij) se: “OBVL u formua që të vlerësojë realisht historinë e Luftës së lavdishme Antifashiste Nacionalçlirimtare, që të shmangë shtrembërimet e periudhës së regjimit totalitar, mohimet dhe politizimet e bëra si rezultat i regjimit diktatorial të E. Hoxhës, por edhe me qëllim të caktuar nga individë që kërkonin lavdi dhe pushtet të pamerituar. Në kurthin e tyre ranë me dëshirë dhe me servilizëm historianë të ndryshëm që e shtrembëruan historinë e LANÇ”.

Në të njetën linjë është shprehur edhe historiani i mirënjohur, prof.dr. Paskal Milo. I ftuar në emisionin “Now” në Euronews Albania, ai theksoi se historia po shtrembërohet ndërsa tregoi se si ai vetë është sulmuar për librin e tij të fundit, ku sipas tij ishte një e vërtetë në lidhje me ish-diktatorin Enver Hoxha.
“Në botimin tim të fundit për luftën guxova dhe thashë një të vërtetë që Enver Hoxha provokoi me letrat e 1 tetorit. Ndaj meje është vërsulur një lukuni njerëzish të së majtës ekstreme duke më akuzuar në mënyrat më absurdet. Por kjo nuk më lëkund nga pozicionimet e mia shkencore. Historinë duhet t’ua lëmë specialistëve. Sot ekziston e njëjta tendencë që siç bënte Enver Hoxha që diktonte se si duhej të shkruhej historia, bëhet përsëri e njëjta gjë, në kuptimin e vlerësimeve të figurave historike dhe të ngjarjeve historike. Ka tendenca të tilla që ne si historianë nuk duhet t’i pranojmë”, theksoi Milo.
Ndërkohë, duke mos marrë përsipër të korrigjojë gabimet e kryeministrit Rama, Prof. Milo pohon se “Në vitet e luftës nuk kanë qenë më shumë se 200-300 hebrenj. Ai është artist unë jam historian. Janë shqiptarët e thjeshtë, familjet shqiptare që i shpëtuan hebrenjtë, ata i fshehën, ata i mbrojtën. Nëse duam të transformojmë sjelljen e shqiptarëve duke afishuar këtë atribuuar zyrtarëve të lartë, të qeverisë kolaboracioniste shqiptare, këtu e shtrembërojmë historinë. Duhet të drejtpeshojmë historinë”.
Po në këtë kontekst. kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj kujton fjalët e Papa Franceskut, gjatë vizitës së tij të para dy muajve në Vatikan. “Papa na kujtoi diçka, që ndoshta ne e marrim për të mirëqenë, por tha: ‘Jeni i vetmi popull që keni shpëtuar hebrenjtë. Jo vetëm jeni çliruar vetë me dinjitet, por keni shpëtuar edhe jetën e të tjerëve”,-është shprehur Veliaj.
Në raportin e mbajtur nga nënkryetari i OBVL, Maksim Vinçani, si dhe në rezolutën e miratuar nga Kuvendi VIII Kombëtar i OBVL, shprehet gatishmëria e personaliteteve të saj për të kontribuar në funksion të pasurimit të projektit të pjesës së periudhës së Luftës së Dytë Botërore në trevat shqiptare, duke ofruar kujtime apo shënime të paraardhësve tanë, si pjesëmarrës e dëshmitarë okularë të asaj historie. Për këtë qëllim mund të shërbejnë si referencë librat me kujtime të gjeneral Rrahman Parllakut – “Hero i Popullit” dhe “Nderi i Kombit”- si dhe intervistat televizive të Liri Belishovës, të përfshira në librin “Gruaja që sfidoi diktaturën”. Kjo, edhe për faktin se një nga pikat kryesore të programit themeltar të OBVL (krijuar para 28 viteve, më 18 korrik 1994 nga dr. Ymer Dishnica, gjeneral Rrahman Parllaku, Liri Belishova, Skënder Malindi, Edip Ohri e dhjetëra personalitete tjera) ka qenë rishkrimi me vërtetësi e Historisë së Luftës së Dytë Botërore në trevat shqiptare.

*Mjeshtër i Madh – Sekretar i Përgjithshëm i OBVL



Kololel Sotir Budina Kryetari i OBVL-së


 

Arkiva e gazetes