
Nga Ismet BALAJ
Edhe rrethi i Pukës ka dhënë kontribut të çmuar në luftë kundër turqeve për fitoren e Pavarësisë Kombëtare, por edhe për mbrotjen e saj nga shtete shoveniste fqinj gjatë viteve 1908-1920.
PJESA E PARË
Më 1908 u bë revolucioni në përandorinë osmano-turke që rrëzoi sulltan Abdylhamitin dhe solli në pushtet Turqit e Rinj. Me gjithë përkrahjen që shqiptarët u dhanë atyre , në bazë të premtimeve se Turqit e Rinj do t`u jepnin shqiptarëve , edhe këtë radhë si zakonisht, Turqit e Rinj, ashtu si edhe të vjetrit, dolën të pa besë, ishin dhe mbeten armiq të shqiptarëve. Për shtypjen e kërkesave të vazhdueshme të shqiptarëve për pavarësi e liri në rritje, që nga Lidhja Shqiptare e Prizrenit, Turqit e Rinj organizuan më 1910 operacionuin ndëshkomor me Shefqet Turgut Pahën në krye për t`i nënshtruar shqiptarët , sidomos në Kosovë e në krejt Veriun e Shqipërisë. Vrasjet e kundërshtarëve dhe çarmatosja e popullsisë ishte në plan të parë. Pati pasoja të rënda që gjithë Kosova, me gjithë qëndresën heroike, nuk arriti të përballojë këtë operacion. Pashai i Stambollit mundi të kalojë nëpër Kosovë, Pukë, Shkodër, si edhe nëpër Mirdita që kurrë nuk kishte kaluar asnjë ushtar turk prej shekujsh.
Edhe pukjanët kundërshtuan taksat e reja edhe më të larta së më përpara.
Kënga popullore e sqaron këtë kundërshti:
“Frrok Kolë Gjoka dredh mustakun,/Marash Marku e Zenel Aga, thonë:/Këtë xhymjetin (Turqit e Rinj) do ta çartim (prishim),/Do t`i heqim zaptitë (sundimtarët)e ri,/Se na kanë qitë (vëndosë) bidat (gjoba, taksa ) të ri,/Që s`a kanë kurrë në Malësi…”(Epika Historike , vellimi 2, faqe 332
Pagesën e taksave të reja dhe dërgimin e ushtarëve të rinj në shërbim të Përandorisë e kundërshtuan kudo në mbarë torjet shqiptare.”Nizam xhelep nuk ka, është vendi fukara”, thuhej në këngët popullore të asaj kohe. Këto dy kryengritje u bënë pararoja e kryengritjeve mbarë shqiptare të vitit 1912.
I. PËRGATITJA DHE LUFTA E PUKJANËVE KUNDËR PUSHTUESVE TURQ (1911-1912)
Në pranverë 1911 Malësia e Madhe u ngrit në kryengritje kundër Turqisë. Malësorët me Ded Gjo Lulin, Mehmet Shpendin e të tjerë arritën që të ngrenë Flamurin Kombëtar në majen e malit Deçiç (sot në Mal të Zi) dhe vendosën mosnjohjen e sundimit turk. Ndërkohë malësorët pukjanë e mirditorë zunë rrugën kolonave ushtarake turke që do të kalonin nëpër Pukë –Shkodër dhe do të sulmonin kryengritësit nga jugu, ndërsa nga Prizreni-Peja-Kolashini-Tuzi kolona tjetër do ta sulmonte nga veriu. Për tre muaj kryengritësit pukjanë e mirëditorë bashkë me Çetën e Nikoll Currit dhe dhe kryezinjtë me Mustafë Ag Kryeziun ndaluan kalimin e ushtarve turq për në Shkodër-Malësi e Madhe. Në këtë luftë u vranë Kolë Ndue Curri, Preng Lleshi dhe u plagosën shumë të tjerë.
Këto dy kryengritje u bënë si pararojë e kryengritjeve mbarë shqiptare të vitit 1912.
Në fundmarsi 1912 në Bugjon të Pukës mblidhen krerët e dy bajraqeve: Thaçi e Berishë. Vendosin që të dërgojnë në Mal të Zi burra që të blejnë pushkë e municion. Mbasi shesin disa bagëti në Shkodër e në Gjakovë, dhe grumbullojnë një sasi parash, nisen 65 burra me 16 mushka. për në Podgoricë (Mal I Zi). Takohen me komandën e shtabit ushtarak malazez prej të cilit kërkojnë armë. Ai i nis për në Cetinë (Kryeqyteti i Malit të Zi). Përpjekja e komandës ushtarake malazeze ishte që pukjanët të bashkohën më ta e të luftojnë kundër turqve. Pukjanët nuk pranuan që të bëhen ushtarë të një shteti të huaj. Ata thanë ne duam armë që ua paguajmë me pare në dorë. Na luftojmë në trojet tona kundër turkut…Mbasi i blenë 300 pushkë novica e petica që secili ngarkoi nga 5 armë, ndërsa municionin në mushka e 5 ditë udhëtimi, u kthyen në Pukë. Ndërkaq organizohet mbledhja e 7 bajrakve në Qelez, ku vendoset që të shtohen çetat dhe luftëtarët e tyre.
Shtjefen Gjeçovi, udhëheqësi shpirtëror dhe organizatori kryesor i kryengritësve pukjanë
Shtjefen Gjeçovi ishte prift në Gomsiqe, por ai gjatë vitit 1912 gjendej në Iballë (të Pukës), jo si meshtar, se atje ishte një prift Italian, por pikërisht për organizimin e luftës kundër turqeve. Dom Prend Doçi nuk e lejonte të merrej me veprimtari jashtë kishtare, ndërsa Preng Pasha e kercnon duke i thënë:”Rri urtë, se po të çoj ushtrinë atje..”. Këto kërcnime nuk e ndaluan dot. Në një dokument që ndodhet në Arkivin e Shtetit që mban datën 25 korrik 1912, shkruhet: “Letër drejtue fisit të Berishës: Në Qafë t`Mugut nadje me dale me pushkë e pa pushkë të tanë… Nanshkruen Fran Kola, Pashuk Pjetra, Zenel Aga, Shtjefen Gjeçov…”. Kështu pukjanët e mirditorët e Spaçit, të Dibrit, kordinojnë qëndrimet e tyre për kryengritje.
Garnizoni ushtarak dhe administrate turke e kazasë së Pukës sulmohet katër herë nga luftëtarë pukjanë…
Këshilli i shtatë flamujve të Pukës me kryetar Zenel Agën e Iballës vendosi që ta sulmonte Pukën me 28 qershor, ditën e festës së Shën Palit që e festonte Qelëza me fshatrat Midhë, Bushat, Levrushk, Buzhalë, Ukth, Qerret i Vogël, Dedaj, Kabash. Do të vinin për “festë” gjithë flamujt e tjerë. Kështu u veprua.
E rrethuan natën Pukën. Me të zbardhur do ta sulmonin. Por ndodhën pa pritur para sulmit të garnizonit turk të Pukës. Ishte zbuluar plani dhe u kunderpërgjigjen . Kryengritësit u përballën për disa orë dhe u vranë Mëhill Marashi e Jak Marka Ndreca prej Qelëzës, (këtij pasi e vranë, I prenë kokën). U plagosen Ndue Kukeli dhe Rexh Frrok Bajraktari, i biri i bajraktarit të Bugjonit. Kryengritësit u thyen sepse iu mbaruan fishekët. U nisen drejt Qelëzës, Berishë, Iballe.
Në korrik garnizoni turk I Pukës organzoi një ekspeditë hakmarrëse ndaj kryengritësve. Dogji shtëpinë e Halil Musës, bajraktarit të Kabashit, shtëpinë e Marash Mark Palushit, Deli Nikollit, Frrok Nikës, Nikollë Gjergjit dhe Frrok Nikollë Gjergjit prej Qelëzës. Vazhdoi operacionin për në Berishë e Iballe. Komiteti krahinor dha kushtrimin flamujve për qëndresë e luftë. Arritën me të shpejt rreth 350 berishas e thaçjanë. Lufta u zhvillua në Qafë t`Mugut ku kishin arritur turqit dhe në Sapaç. Këtu u zhvillua lufta më e ashpër. Forcat armike u thyen. Në kthim për në Pukë, si hakmarrje për disfatën, dogjën shtëpi dhe arat e mbjella me misër në Midh, Tnug e Milor.
Në këtë luftë ra dëshmorë Frrok Kolë Gjoni prej Qerreti.
U plagosën Llesh Ndue Marku dhe Marash Ndue Marku prej Berishe, Ndue Kukeli prej Bugjonit,
Po kështu edhe Frrok Kolë Prendushi dhe e shoqja e Ndue Markut, kryeplakut të Midhës. E disa të tjerë që nuk mbahen mend.
Komiteti krahinor i kërkoi ndihmë Mirditës. Iu përgjigj çeta e Nikollë Currit.
Më 21 gusht kryengritësit e rrethojnë përsëri Pukën, në anën Jugore mirditorët, ndërsa në lindje, veri e përëndim pukjanët. Sulmi u thye, sepse rreth e rreth Pukës ushtria kishte ndërtuar llogore për luftë. Ra dëshmor Keqan Qerimi, komandant i çetës së Trun. Mirdita erdhi me vonesë deri në Terbun. Mori pjesë vetëm çeta e Nikollë Currit, por edhe ajo, si çetat e Pukës, pa sukses.
Nga fundi i gushtit Këqira bëri një mbledhje burrë për shtëpi dhe vendosën që ta sulmojnë Pukën nga ana përëndimore. Sulmi u krye, por këqirasit mundën të djegin vetëm një saraj (kullë tre katesh) dhe u larguan nga mësymja e forcave turke.
Gjatë muajve maj - gusht kryengitja kishte marrë karakter mbarëkombëtar. Garnizonin e Pukës e kishte përfshirë frika, sepse ishte sulmuar disa herë.
Në fillim të shtatorit Komiteti Krahinor organizon një mbledhje në Krrab. Ai vendosi që Puka të sulmohet përsëri me më shumë forca. Më 7 gusht bajrakët mblidhën në Kabash të përgatitur dhe, pa u gëdhirë më 8 shtator, sulmojnë Pukën. Po ndodhi e pa pritura. Nuk u zbraz asnjë pushkë nga garnizoni ushtarak turk, sepse natën gjithë ushtarët kishin ikur për në Shkodër. Me datën 8 shtator Puka me forcat e veta u çlirua nga garnizoni ushtarak turk dhe administrata e kazasë. Është krahina e parë shqiptare që me forcat e veta çlirohet më 8 shtator 1912. Komiteti krahinor mblidhet dhe merr masa për rend e qetësi. Kjo është një datë historike e veçantë dhe e rëndësishme për gjithë pukjanët.
|