l
Faqe e Pare
Organizata

veterani arkiva
veterani Veterani

link Linke

 

Kudo që shërbeu, la kujtimin e komandantit të aftë e të talentuar, të drejtë e të përkushtuar
I paharruar kujtimi i Sami Vinçanit

SHPENDI TOPOLLAJ

Erdha sot në këtë tubim, ku përkujtohet jeta dhe vepra e një njeriu, partizani dhe kuadri të rrallë të ushtrisë tonë në 100 vjetorin e tij të lindjes, kolonel Sami Vinçanit, pinjollit të njërës prej familjeve me kontribute të shquara atdhetare, jo vetëm si kryetar i OBVL së të Durrësit dhe as thjeshtë si oficer që kam qenë, por edhe për të marrë pjesë në vlerësimin dhe nderimin që i bëhet bashkëluftëtarit të tim eti në Brigadën e XV - të S. heroike, që vetëm këtu në Elbasan, nga radhët e saj i dha çlirimit jetën e re të disa prej bijave e bijve të saj më të mirë. Katon Dionisi qysh në kohën e tij ka thënë fjalët lapidare se “Është i lumtur kush vdes pasi e ka jetuar jetën ndershmërisht”. Dhe pikërisht kjo ndershmëri e konvertuar në dashurinë për atdheun, për lirinë, për pavarësinë, për prosperitetin, i bëri ata përfaqësues dinjitozë të idealeve të mëdha, të cilat i ruajtën të pastra e të papërlyera deri në fund.
Të tilla i ruajti ato gjatë 85 viteve edhe kolonel Samiu, i cili kudo që shërbeu, la kujtimin e komandantit të aftë e të talentuar, të drejtë e të përkushtuar, ashtu sikurse ju e theksuat dhe Mjeshtri i Madh Halil Rama e ka përshkruar nëpër organet e shtypit apo sikurse del te libri i vetë Samiut me bashkautor shokun tim skënderbegas Albert Kotini. Edukata që ai mori në familjen e tij të madhe me tradita të vyera u manifestua në të gjitha fazat e jetës. Shkrimtari dhe poeti i shquar francez Viktor Hygo e ka përcaktuar mjaft mirë kur thotë se “Ai që ka vdekur si realitet, rron si mësim”.
Ndaj mendoj se organizimi i ceremonive të tilla, nuk është se i ngjall ata që nuk rrojnë më, por është një sadisfaksion për të afërmit e tij dhe për të gjithë ne, përfshi edhe brezin e ri që të mësojnë historinë e atdheut, të krenohen me njerëzit që e bënë atë dhe të ecin të sigurtë në rrugën e tyre.
Po ashtu, duhen dintur edhe zhgënjimet që ata pësuan, si rezultat i një sistemi të gabuar të cilit i besuan, i luftës të ashpër për pushtet dhe veprimeve të çmendura e dashakeqe të diktatorëve që nuk kursyen as heronj si i vëllai i Samiut, gjenerali i kulturuar Nexhip Vinçani, “Nderi i Kombit”, të cilin gjeneral Azzi në kujtimet e tij e quante fat për ushtrinë partizane shqiptare. Në kohën që po kalojmë, ku ne po ballafaqohemi me fenomene jo gjithmonë të pëlqyeshme; ku roli i familjes dhe i shkollës është dobësuar, ku dashuria për Atdhe shpesh konsiderohet folklorike, ku rinia përherë e më shumë po e braktis vendlindjen, ku etja për fitime dhe interesat materiale prevalojnë mbi virtytet e trashëguara, ku qëndrimi moral e ka humbur disi kuptimin, ku politikanët tanë ulin shpinën para të huajve, duke shpërfillur shenjtërinë e sovranitetit, etj. etj. evokimi i figurave të tilla mbetet detyrë parësore e pjesës së shëndoshë të kësaj shoqërie dhe sidomos e jona, si njëra nga dy organizatat që mbrojnë e përhapin sakrificat dhe gjithçka të mirë bënë baballarët tanë ndër vite. Ky do të qe edhe nderimi më i madh dhe më i sinqertë për ta. Se sikur shpirtrat e atyre burrave të mund të flisnin, kam bindjen se do të ishin të një mendjeje me atë çka këshillonte Viteri kur thosh: “Ruani vetëm kujtimin tonë dhe ne nuk humbasim asgjë duke ikur nga jeta”.
I paharruar kujtimi i Sami Vinçanit, jeta, vepra dhe karakteri i të cilit e ngritën akoma më lart emrin e respektuar të fisit emërmadh Vinçani.



Kololel Sotir Budina Kryetari i OBVL-së


 

Arkiva e gazetes