l
Faqe e Pare
Organizata

veterani arkiva
veterani Veterani

link Linke

 


MINIFASHIZMI RREZIK PËR PAQE

Nga Bashkim Hisari

77 vjet pas nga fitorja mbi fashizmin dhe 72 vjet nga iniciativa për krijimin e Bashkimit Europjan, si dhe pas 70 vitesh të krizës më të madhe në botë, gjendja po merr sërish përmasat shqetësuese. Ekstremizmi i djathtë, nacionalizmi, shovinizmi, urrejtja ndaj demokracisë dhe të drejtave të njeriut, intoleranca fetare, homofobia, frika nga të tjerët, kriza ekonomike e energjetike si dhe elementët fashistë e neofashistë në axhendën e disa politikanëve dhe partive politike, herë pas here dhe pak nga pak po bëhen dukuri që paraqesin rrezik serioze për paqe.
Në disa raste rreziku nga ideologjia radikale po lidhet ngusht me mungesën e vullnetit politik për të bërë një shkëputje të qartë nga e kaluara dhe për t’u ballafaquar me përgjegjësinë për krimet e kryera në Luftën e Dytë Botërore dhe në luftërat e viteve të 90-ta. Në Ballkanin Perendimor ende nuk po bëhen hapat e nevojshëm që të dekontaminohet hapësira nga e keqja që dominonte në të kaluarën dhe të sigurohet rezistenca e duhur e shoqërisë civile kundër sulmeve të atyre që do të donin të rishikonin të kaluarën dhe të riafirmonin ideologjinë e tokës së përgjakur.
Në Luftën e Dytë Botërore, populli krenar shqiptar tregoi solidaritetin e tij antifashist. Antifashizmi, popullin shqiptar e frymëzoi, e lidhi dhe e bëri bashkë e të pandarë me Koalicionin e madh Antifashist Botëror. Shqiptarët me armë pritën pushtuesit fashist duke derdhur gjakun për mbrojtjen e lirisë dhe pavarsisë. Sakrificat që bëri populli shqiptar në luftë, për çlirimin e atdheut në luftën kundër fashizmit, ishin jashtëzakonisht të mëdha. Në luftën më të madhe dhe më të përgjakshme në historinë botërore u vranë shumë njerzë, u shkatërrua dhe u zhduk pothuaj çdo gjë.
Ajo që nuk u zhduk, që ka mbetur të jetojë është liria jonë e paguar shtrenjtë dhe historia e vërtetë që askush nuk mund të na e marrë dhe ta kundërshtojë. Megjithatë, në afërsinë tonë, kohëve të fundit po marrin hov disa dukuri fashiste dhe neofashiste që nuk janë në anën e duhur të historisë dhe që relativizojnë dhe falsifikojnë faktet historike.
Është e pabesueshme se në shekullin XXI dëgjojmë fjalët nazizëm, fashizëm, neofashizëm, fjalë që menduam se që moti ishin fshirë nga kujtimet tona.
E përjavshmja kroate “Ekspres” publikoi një karikaturë me fytyrat e presidentit serb Aleksandar Vuçiç, fituesesit në zgjedhjet e fundit në Itali Georgie Meloni dhe kryeministrit hungarez Viktor Orbán me mustaqet e Hitlerit, me titullin “Achtung - Kroacia mes tre mini fashizmave”, me të cilën në mënyrë metaforike aludohet se vendi i tyre është i rrethuar nga vende të sunduara nga liderët më të djathtë, më konservatorë dhe më autoritarë në Evropë.
Lufta në Ukrajinë edhe më shumë po rrezikon paqen. Forcat ruse me forma më brutale të dhunës po thyejnë ligjet ndërkombëtare dhe normat demokratike Evropjane. Pamjet që po shohim çdo ditë se si ushtria ruse vret burra, gra, fëmijë edhe duke ikur, shkatërron qytete dhe ato i kthen në hi, na përkujtojnë historinë tragjike të krimeve që serbet kanë kryer në Kosovë në vitet ‘’90-të. Presidenti rus Vladimir Putin dërgon mesazhe me falcifikime, shtrembërime të historisë dhe me degradime morale duke barazuar luftën e tij agresive dhe barbare me luftën kundër nazizmit. Barazimin e agresionit rus në Ukrainë me luftën antifashiste, Putini e bënë për të justifikuar veprimet e tij, gjë që është historikisht e pajustifikuar dhe e pamundur.
Në fjalimet e kryministrit të Republikës së Hungarisë Viktor Orban vërehet përpjekja për rehabilitimin e kriminelëve dhe rishikimin e historisë. Ai gjatë vizitës së tij në Rumani disa muaj më parë deklaroi: “Ne hungarezët nuk jemi racë e përzier... dhe ne nuk duam të bëhemi racë e përzier. Shtetet ku përzihen evropianët dhe joevropianët nuk janë më kombe”. Ide interesante, por jo shumë origjinale. Njësoj mendonin edhe ideologët kryesor të fashizmit Rosenberg, Goebbels, Himmler dhe Hitler.
Në një situatë të tillë, Serbia nuk ka një pozicion të qartë, nuk po mundet ta gjejë vendin e saj në botën e cila po pëson ndryshime dhe po krijohen situata të reja gjeopolitike. Presidenti serb Aleksandar Vuçiç me kokëfortësi refuzon dhe nuk dëshiron të pranojë realitetin e ri. Shteti i tij që pretendon anëtarësimin në Bashkimin Evropian rrin në dy karrike, formalisht deklaron se është pro Bashkimit të Evropës por nuk vendosi sanksione kundër Federatës Ruse. Nuk heq dorë nga mitet dhe shenjtëritë e kombit të tij. Gjithçka bën për të diskualifikuar antifashizmin.
Rehabiliton dhe lartëson kriminelët që janë prodhim i një politike fashizoide dhe që kanë bër spastrime etnike dhe krime më brutale deri në gjenocid gjatë luftës në Kosovë, në Bosnjë Hercegovinë, Kroaci dhe në hapësirat e tjera të ish-Jugosllavisë, siç janë Slobodan Millosheviq, Ratko Mladiq, Vladimir Llazareviq, Vojisllav Sheshel etj. Me vendimin e Gjykatës së Lartë në Beograd, u rehabilitua udhëheqësi i lëvizjes çetnike, bashkëpunëtor i okupatorit, krimineli i luftës, i dënuar me vdekje dhe më vonë i pushkatuar gjeneral Drazha Mihailoviq. Gjatë Luftës së Dytë botërore, çetnikët e tij u bënë të njohur si kuislingë për shkak të krimeve të kryera ndaj popujve jo serbë por edhe serbëve që bashkëpunonin me partizanët.
Emri, shenjat dhe mjekra e çetnikëve u përdorën gjatë viteve të 90-ta nga paraushtarakët serbë që kryen krime më monstruoze në Kosovë. Nipi i Drazhës është pjesë e deputetëve në Kuvendin e Serbisë. Në Gjykatën serbe në Valevë u rehabilitua Nikolla Kalabiq, komandanti i njësisë çetnike të quajtur “Korpusi i Gardës Malore”, që në nëntor 1943 nënshkroi marrëveshje bashkëpunimi me nazistët. Në Akademinë të mbajtur në Beograd, e cila u ndoq nga Presidenti i Republikës dhe ministrat e qeverisë, u ekzekutua një marshim i cili gjatë Luftës së Dytë Botërore ishte përdorur nga organizata fashiste serbe “Zbor” e udhëhequr nga Dimitrije Lotiq.
Në skenën politike dhe mediatike serbe, çdo ditë përballemi me vërshimin e urrejtjeve ndaj shqiptarëve, Kosovës dhe ndaj disa vendeve dhe popujve përreth. Në jetën e shumë serbëve, urrejtja ndaj shqiptarëve të Kosovës nuk ka qenë kurrë më e madhe. Urrejtja është bërë fiksim patalogjik dhe pikë referimi për gjithçka. Për ta, shqiptarët janë kriminelë dhe fajtorë për çdo gjë.
Gënjeshtëra është bërë mjeti kryesorpolitik i dhunës së tyre për të tërhequr vëmendjen nga krimet e tyre monstruoze, qofshin këto për tërbimet çetnike në Luftën e Dytë Botërore, për konfliktin e fundit të armatosur të viteve të 90-ta në Kosovë apo për politikën e tyre aktuale. Serbia kurrë nuk ka pranuar fajin për krimet që ka bër në Kosovë. Serbët gjithmonë janë viktima dhe krimet e tyre ua atribuojnë të tjerëve. Një pjesë e madhe nuk kanë ndjeshmëri njerëzore, ndjenjë përgjegjësie faji, asnjë ndjenjë turpi.
Serbia ka lidhje të fuqishme me Rusinë. Brenda Ministrisë së Mbrojtjes në Beograd funkcionon zyra e Rusisë. Jo më largë se 100 km nga Prishtina në qytetin e Nishit është, qendra “humanitare” ruse, ndërkaq rreth kufirit me Kosovën, Serbia ka 48 baza operative ushtarake dhe të xhandarmërisë serbe të pajisura me armatime ruse. Të gjitha këto paraqesin rrezik për paqe dhe nuk kontribuojnë në zhgjidhjen e problemeve dhe zhvillimin e marrëdhënieve të mira mes Kosovës e Serbisë dhe integrimeve brenda Bashkimit Evropian.
Shigjetat helmuese të mini fashizmit dhe neofashizmit duhen të ndalen urgjentisht sepse janë burim i destabilitetit dhe rrezik për paqe.
Gjithsesi është inkurajues fakti se në Raportin e Parlamentit Europian, miratuar muajin e kaluar kërkohet që Serbia të penalizohet për mosvënie të sanksioneve ndaj Rusisë dhe një angazhim më i madh i palëve për arritjen e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse, ligjërisht obliguese mes Kosovës dhe Serbisë, përmes njohjes reciproke. Këto kërkesa të Parlamentit Evropian gjithësesi duhet përshëndetur.



Kololel Sotir Budina Kryetari i OBVL-së


 

Arkiva e gazetes