l
Faqe e Pare
Organizata

veterani arkiva
veterani Veterani

link Linke

 

Flet autori i librit Luigj Shyti: Katër nga librat e mijë kanë në qendër Dukagjinin
“DUKAGJINI – rrugëtim në gjenezë”, një libër për brezat e ardhshëm

Nga GJIN MUSA

Që i ri e donit dijen dhe kulturën, lexonit, por dhe shkruanit në organe të ndryshme shtypi nëpërmes të cilave të kam njohur në distancë. Shkruanit reportazhe te ndrysheme, shkrime problemore, informacione etj. Si ju lindi dëshira dhe si e kujtoni botimin tuaj të parë?
-Dëshira për të shkruar në shtypin e kohës ishte që herët, sapo mbarova shkollën 7 vjeçarë dhe fillova punën me rininë e fshatit. Kisha dëshirë që të publikoja fshatin tim dhe punën e rinisë. Shkrimi i parë që më është botuar, dhe ky ishte i pari për shtypin, ka qenë për Thethin, ku jepej një informacion mbi gjendjen social kulturore të këtij fshati. Ja kisha dërguar me postë të zakonshme revistë Ylli që botohej një herë në muaj. Ishte revistë e preferuar. Nuk kisha besim se do më botohej, por kur e pashë të botuar të them të drejtën u kënaqa dhe disi mora zemër për të shkruar përsëri. Më vonë kam shkruar shpesh herë sidomos në gazetën lokale të Shkodrës, por edhe “Zëri i Rinisë”, “Ylli”, “Bashkimi”, e më vonë edhe në gazetën “Mësuesi”.

Me që jemi tek shkrimet desha të bëj një pyetje të drejtpërdrejtë, kur keni botuar librin e pare, ç’farë kujtoni, si u ndjeve përpara publikut?
-Ah, librin tim të parë e kam botuar, vonë, në vitin 2005. Ky botim ishte një përmbledhje publicistike të shkruara në kohë të ndryshme për Dukagjinin. Ai e ka titullin “Dukagjini ka vend për të gjithë”. Ishte një nxitje nga disa shokë e miq të mijë por edhe dashamirës të Dukagjinit, që më nxitën. Dua ta përmendë se mbështetjen financiare për botimin më bëri një ish nxënësi im nga Thethi, Angjelin Vidhi. Libri u pritë mirë, mendoj unë, dhe ka qenë i kërkuar jo vetëm nga bashkëkrahinarët e mijë por edhe nga shumë të tjerë. Jam ndjerë mirë me të.

Tani të riktheheshim tek qëllimi i intervistës. Juve jeni botues i disa librave, sa është numri i botimeve tuaja, çfarë trajton në vetvete ç’do libër i shkruar nga ju?
-Këto ditë doli në qarkullim një libër që bën fjalë për gjenezën e Dukagjinit. Ky është i pesti që kam shkruar. Kam qenë bashkëpunëtor apo organizator edhe në libra të tjerë.
Katër nga librat e mijë kanë në qendër Dukagjinin. Në këto libra flitet për historinë, kulturën, natyrën, vlerat shoqërore dhe shkencorë që unë kam pasur mundësi që ti shikoj, ti dëgjoi dhe ti përshkruaj. Dukagjini është një krahinë me shumë vlera në të gjitha drejtimet. Për këtë krahinë kanë shkruar edhe shumë e shumë, udhëtarë, gazetarë, studiues, shkencëtarë, por nuk ka të sosur. Sa herë shkon në Dukagjin, qoftë vendas apo i huaj gjënë gjëra të reja. Është një zonë me shumë vlera, që ka përballuar shumë vështirësi natyrore dhe shoqërore, prej të cila ka nxjerrë shumë mësime. Në këto libra kam trajtuar edhe probleme të kohës, siç është përshtatja me të rejat e kohës, problemet e integrimit në kohën dhe shoqërinë e re, kam shkruar shumë portrete, kam dhënë shumë informacione që ju vlejnë edhe rrugëtarëve, studiuesve e dashamirësve të Dukagjinit. Në këto libra kam mbledhur një numër këngësh lirike-erotike që janë kënduar dhe këndohen edhe sot në Dukagjin, që tregojnë se malësori dukagjinas nuk u lind për të vrarë apo për tu vrarë, siç përpiqen ta paraqesin ndokush, por e do jetën, e do lirinë, e do dashurinë, e do familjen, e do përparimin, e do të bukurën.
Një nga librat e mijë është një vëllim me poezi, ashtu siç i kam ndjerë unë, të shkruar në kohë të ndryshme, por një pjesë e tyre i kushtohet emigracionit, kësaj plage që mbetet e hapur, që ka prekur shumë e shumë familje dukagjinase dhe shqiptare.

Si janë pritur botimet tuaja dhe a keni pasur ndonjë sponsorizim për botimin e tyre e, në se ke pasur, kush janë?
-Librat e mijë jam i kënaqur për pritjen që i ka bërë publiku. Mendoj se secili që ka marrë në dorë nga këto libra ka gjetur edhe veten e tyre brenda. Kjo mendoj se është mjaft e rëndësishme.
Në botimin e tyre, natyrisht, më kanë ndihmuar të afërmit si dhëndëri Alfred Kola dhe vajza Rrezearta, im vëlla Gjovalini, djali i motrës Kreshnik Vocaj, bashkëkrahinari dhe kolegu e miku im Kolë Çardaku, ish nxënësi im Angjelin Vidhi që e përmenda edhe pak më parë. Të gjithëve u jam mirënjohës me shumë respekt.

A mund të na flasësh pak për botimin tënd të fundit, që nga titulli, kopertina dhe brendia e tij. Kujt i dedikohet?
-Libri im që sapo doli në qarkullim titullohet “DUKAGJINI – rrugëtim në gjenezë”, botuar nga shtëpia botuese “FIORENTIA” në Shkodër. Është një libër me 540 faqe, dhe teknikisht i punuar me shumë kujdes. Kopertina është e bërë në funksion të temës që trajtohet në faqet e librit. Tregon përpjekjet për të ndriçuar prejardhjen e një krahine mjaft të vjetër në kohë por edhe mjaftë të gjerë në hapësirë. Ky libër është i vetmi, deri tash, për këtë temë për këtë krahinë, por uroj që të mos jetë i fundit. Libri trajton, në mënyrën time, gjenezën që shumë herët dhe në një territor shumë të gjerë. Është i konceptuar nga larg afër. Për rreshtimin e brezave është filluar nga brezi më i ri dhe kam ecur drejt thellësisë. Për këtë libër janë lexuar dhe konsultuar 116 libra, prej të cilëve 42 me autor të huaj si dhe shumë revista, gazeta, dhe shumë materiale të tjera arkivore. Nga këto studime janë grumbulluar mbi 2000 skeda. Janë vjelë mendimet e mbi 180 personave të moshave dhe profesioneve të ndryshme në Shqipëri por edhe në trojet shqiptare jashtë kufijve shtetëror. Këtë libër e kanë njomur me mendimet e tyre edhe shume persona që e kanë lexuar në dorëshkrim, por veçanërisht konsulentët e mijë Profesor As. Dr. Zef Gjeta, Profesor As. Dr. Ahmet Osja, Ndue Sanaj, Ndoc Grimaj, Alfred Haxhari, Lulash Gilaj, Zef Bari, të cilët më ndihmuan me mendimet e tyre të vlefshme, dhe që i përshëndes me respekt. Ky libër ka një parathënie të zgjeruar nga Prof. Zef Gjeta, dhe një mbyllje nga Alfred Haxhari të cilat edhe analizojnë punimin por edhe hellin vështrimin drejt së ardhmes.
Ky libër i kushtohet brezit të ri dhe atyre që do të vinë. Është domosdoshmëri e jona që të bëhemi, më sa të mundemi, dëshmitarë të kohës që jetojmë dhe atyre që dimë, për brezat e ardhshëm.

Ju jeni sekretar i Shoqatës Atdhetare Dukagjini, redaktor i gazetës “Dukagjini”, si arrini ta përballoni këtë ngarkesë, dhe si është bashkëpunimi me kolegët tuaj krijues?
-Po jam i zgjedhur që në themelimin e shoqatës. Shoqata “Atdhetare Dukagjini” ka bërë dhe vazhdon të bëjnë punë shumë të mirë për zbulimin, ruajtjen dhe publikimin e vlerave të mira të kësaj krahinë me shumë vlera. Për shoqatën tonë, Dukagjini dhe vlerat e tij të mira, janë në plan të para, për kryesinë e kësaj shoqata dhe për gjithë shoqatën, Dukagjini është partia mbi të gjitha partitë që janë në Shqipëri. Ne kërkojmë që të shtohet vëmendja për këtë krahinë dhe këta malësorë, dhe mbështesim cilin do që punon me mirë dhe më shumë për zhvillimin dhe përparimin e kësaj krahinë, për integrimin e këtyre malësorëve kudo që jetojnë. Ne kemi punuar, me sa mundësi që kemi, për të ndikuar edhe të emigrantët tonë në ruajtjen e traditave të mira krahas atyre bashkëkohore të cilat janë të pashmangshme dhe të domosdoshme.
Unë përpiqem që të jap ndihmesën time në shërbim të brezit të ri dhe atyre që vinë, sepse u jemi borxhëlinjë, sepse dikur do të na gjykojnë. Për këto duhet gjetur kohë nga i gjithë brezi i sotëm dhe veçanërisht intelektualet, sepse pa tjetër që e ardhmja mbështetet në të sotmen. E kam shënuar edhe në botimin tim që doli këto ditë se, ata që dinë kush janë dhe nga vinë, dinë ku shkojnë dhe çfarë kërkojnë.
Me kolegët e mijë krijues dhe të shoqatës kemi bashkëpunim të vazhdueshëm dhe pa interesa personale e politike partiake. Kjo ka bërë të mundur që të kemi një shoqatë shumë solide dhe që ka mbështetje të mirë në komunitet. Kjo marrëdhënie shoqërore ka ndihmuar që të bëhen aq shumë botime me temë nga Dukagjini. Këto shtojnë besimin se do të vazhdohet puna e suksesshme edhe në të ardhmen.

Ju falënderoj edhe një herë për kohën që vure në dispozicion të realizimit të kësaj interviste.
Urime për librin e ri. Ju faleminderit.

Intervistoi:
Gjin Musa

Romë



Kololel Sotir Budina Kryetari i OBVL-së


 

Arkiva e gazetes