l
Faqe e Pare
Organizata

veterani arkiva
veterani Veterani

link Linke

 

 
Gjirokastritja e pamposhtur

Dhimitër SHTËMBARI

Më 17 shtator 2022, iu dha lamtumira e fundit invalides së shquar të LANÇ, Mesaret Karagjozi, ish bashkëshortja e pilotit legjendë Babaçe Faiku.
Nga libri im “Me gjuhën e plagëve”, ku përfshihen jetëshkrimet e të gjitha shoqeve invalide të LANÇ, po jap vetëm një episod nga plagosja e së ndjerës Mesaret.
Lexim të këndshëm, miqtë e mi!

Gjirokastritja e pamposhtur
...
Si shumë të tjerë, Mesaret Karagjozi e nisi si e re antifashiste, e vazhdoi si luftëtare e Çetës Partizane “Koto Hoxhi”, e vazhdoi si luftëtare e Batalionit Partizan “Thanas Ziko”, për ta përfunduar si trime e Brigadës VIII Sulmuese Partizane.
... Në një luftim me nazistët gjermanë, diku në një grykë mali, rasti e kish dashur që Mesareti të ngrihej në këmbë. Dhe ashtu kishte vepruar. Me shpejtësi pat hedhur një bombë në pozicionet naziste, por... krejt befas kish dëgjuar një zhurmë. Para syve - një vetëtimë rrufeje! Dhe kishte ndjerë fytyrën t’i përcëllohej nga një flakë.
Nga një flakë, që edhe ajo vet nuk e kish kuptuar se nga i kishte ardhur! Një zhurmë e një flakë, që e kishte rrëzuar përtokë!
Atyre sekondave të para kish menduar se ishte djegur! Se ish verbuar krejtësisht! Se për të, ato sekonda do të kishin qenë çasti i fundit i jetës!
Instinktivisht kishte çuar dorën në fytyrë, por... oh! Nuk kishte mjekër! Nofulla i varej posht! I kishin mbetur vetëm dhëmbët e sipërme.
Ndërkohë, gjaku vazhdonte t’i vërshonte kraharorit dhe... përmes brinjve - gjithë trupit!
Dhe nisi të ndjente dhimbje. Atëherë kuptoi se ende ishte gjallë.
Ndërsa meditonte për jetën, e mbetur aty mes shkurreve, ishin shokët që i erdhën në ndihmë. Dhe ashtu, mes plumbave, e dërgojnë në familjen e një fshatari.
– Mos keni merak për këtë bukuroshe, - u kishte thënë e zonja e shtëpisë atyreve që e kishin sjellë aty.
Dhe, pa humbur kohë, kishte vazhduar t’i pastronte fytyrën me ujë të ngrohtë.
– A do t’i rregullohet goja?! A do t’i mbetet shenjë në fytyrë?! – i ishte drejtuar gjithë ankth një nga shoqet partizane zonjës së shtëpisë.
Eh, ç’t’i thoshte e gjora zonjë e shtëpisë!
– Nuse e bukur do të bëhet. Ja, barnat po ia vemi...
Asaj pasditeje Mesareti u dërgua në spitalin partizan. Kohë më pas, ajo do të kalonte spitaleve në Shqipëri, por edhe jashtë vendit.
Dhe erdhi duke u përmirësuar.
Shokët dhe shoqet e invalides së LANÇ, Mesaret, teksa e takonin mbas operacioneve të shumta, ua kishte ënda t’i shqiptonin për humor vargjet që i kushtoheshin Kanan Mazes - Heroit të Luftës së Vlorës:
“Mesaret, t’u prish bukuria!”
Ndërsa ajo, me buzëqeshje, ua kthente:
“Të rrojë Shqipëria!”

(Marrë nga facebook – faqja personale e shkrimtarit dhe publicistit të mirënjohur Dhimitër Shtëmbari)



Kololel Sotir Budina Kryetari i OBVL-së


 

Arkiva e gazetes