l
Faqe e Pare
Organizata

veterani arkiva
veterani Veterani

link Linke

 

Kryesia e OBVL i propozon Presidentit Begaj ta dekorojë me “Dekorata e Artë e Shqiponjës”
SAMI VINÇANI, KONTRIBUT REAL NË LANÇ E USHTRINË SHQIPTARE

Halil RAMA

Kryesia e Organizatës së Bashkuar të Veteranëve të LANÇ (OBVL), mbeshtetur në Ligjin nr. 112/2013 “PËR DEKORATAT, TITUJT E NDERIT, MEDALJET DHE TITUJT VENDORË TË NDERIT NË REPUBLIKËN E SHQIPËRISË”, i ka propozuar Presidentit të Republikës, SHT Z.Bajram Begaj, që të dekorojë me “Dekorata e Artë e Shqiponjës”, Z.Sami Kareman Vinçani, me rastin e 100-vjetorit të lindjes , me motivacionin:
“Për veprimtarinë e shquar si luftëtar i lirisë në Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare, si dhe për kontributin e tij të veçantë në krijimin dhe konsolidimin e strukturave ushtarake shqiptare. Në vlerësim të mbrojtjes dhe mbajtjes gjallë të idealit atdhetar në drejtim të Organizatës së Bashkuar të Veteranëve të LANÇ-it”.
SAMI VINÇANI - ka lindur 100 vjet me parë, më 10 tetor 1922 në fshatin Vinçan-Korçë . Ai ishte i katërti ndër pesë djemtë e Kareman Sali Dervishit. Familja e Karemanit dhe vëllezërve të tij ka qenë një familje e dëgjuar dhe me kontribute patriotike në Qarkun e Korçës. Në konakun e miqve të families, ku ishin varur pushkët dhe portreti i Skënderbeut, vite me rradhë bëheshin biseda me karakter shoqëror e patriotik. Gjyshi i vëllazërisë Vinçani, Sali Dervishi, rreth vitit 1860 kishte kryer në Manastir shkollën fetare, ku veç mësimeve teologjike mori dhe njohuri të shkencave bashkëkohore. Në ato kohë ai ishte ndikuar nga idetë iluministe që kishin filluar të depërtonin në Perandorinë Osmane e ishin ndier deri në ato zona, si në Voskopojë e Korçë. Mbas dezertimit nga ushtria, ai mbështeti, bashkëpunoi e mori pjesë në çetat e Ismail Dërdushës, Kajo Babjenjit e Shahin Matrakut. Djemtë e tij u edukuan e u influencuan nga i ati dhe vazhduan rrugën e tij duke marrë pjesë aktive në Lëvizjen Kombëtare. Njëri nga këta, Kareman Dervishi (babai i Samiut), i njohur si Kareman Vinçani, spikati në mënyrë të veçantë dhe e ngriti më lart veprimtarinë patriotike të familjes. Në fillimet e shekullit XX, ai bashkë me vëllezërit dhe kushërinjtë e tij, bashkëpunoi ngushtë për çështjen kombëtare me figura përparimtare e patriote të kohës si: Çerçiz e Bajo Topulli, Mihal Grameno, Sali Butka, Themistokli Gërmenji, Fan Noli etj, duke qënë vetë vazhdimisht Kapedan në krye të një “trume vullnetare”... Në shtëpinë e tyre, në netët e gjata të dimrit në dhomën e burrave ku mblidheshin edhe mjaft bashkëfshatarë, tregohej e këndohej për vepra e ngjarje historike e patriotike, të vjetra e të reja. Recitoheshin vargje të rilindasve e bëheshin biseda me karakter shoqëror, edukativ dhe patriotik.
Në këto ambiente u rritën dhe u edukuan djemtë dhe nipërit e kësaj familjeje të madhe... Samiu pasi kreu filloren në shkollën e fshatit me mësues xhaxhain e tij Feimin, vazhdoi mësimet në qytetin e Korçës duke udhëtuar çdo ditë më këmbë (Vinçani është 8 km nga Korça). Në vazhdim, iu përkushtua punëve të families në bujqësi. Gjatë gjithë kohës nuk rreshti së lexuari çdo libër apo revistë që i binte në dorë. Ёndrrat rinore për krijimin e njësive moderne në bujqësi e blegtori, i mbetën përgjysëm. Pushtimi i vendit solli në plan të parë të tjera përparësi. Ky brez i fisit, i brumosur me vlerat kombëtare, patriotike e shoqërore të trashëguara nga të parët e tyre, nuk mundej ndryshe veçse, jo vetëm të ishte pjesë e zhvillimeve, por dhe të merrte përsipër përgjegjësitë e të kryente ndaj atdheut detyrën që i takonte...
Samiu së bashku me gjithë familjen kontribuoi duke u përfshirë energjikisht në Lëvizjen Nacionalçlirimtare qysh në fillimet e saj. Ai u bë krahu i djathtë i vëllait të tij Gjeneralit “Nderi i Kombit” Nexhip Vinçani, udhëheqësit ushtarak kryesor, për ato kohë, të UNÇl të Qarkut të Korçës. Samiun e gjejmë qysh fillimet e vitit 1942 si zv. sekretar e më pas si sekretar të celules së 12 fshatrave te Rrëzës, celula e parë e Qarkut të Korçës. Më vonë përgjegjës për njësitet e armatosura të Rrëzës. Në vazhdim, i ngarkuar me detyra të ndryshme në formacionet luftarake deri komisar batalioni në Br. XV-të.
Mbas luftës shërbeu në detyra të ndryshme në ushtri deri në drejtues brigade me gradën kolonel, si në Gjirokastër, Korçë, Durrës, Elbasan, Berat, Tiranë dhe prap Elbasan deri sa doli në pension në vitin 1982.
Nuk e rreshti asnjëherë pasionin për arsimimin. Mbas shkollës së mesme pa shkëputje nga puna, Samiu vazhdoi studimet pa u shkëputur nga detyra, duke kryer me rezultate të shkëlqyera fakultetin histori-filologji Tiranë 1958-1963 e më pas,1970-1971 kursin e lartë të Akademisë Ushtarake.
Që në fillimet e tranzicionit ai mbështeti publikisht, pa rezerva dhe në mënyrë aktive proçeset e ndryshimeve demokratike. E spikatur dhe shumë domethënëse është letra e tij, e guximëshme për kohën, drejtur R. Alisë dhe KQPPSH në mars 1991, ku shprehej haptazi për zhgënjimin e anëtarëve të thjeshtë të partisë dhe të popullit nga politikat e kaluara të P.Punës sidomos me qëndrimin e gabuar të saj në procesin e ndryshimeve, duke deklaruar në fund se për të gjitha këto: “me keqardhje, po i le rradhët e partisë”.
Nga viti 1991 e deri 1997 ka kryer detyrën e kryetarit të Organizatës së Ushtarakëve në Pension (OUPL) Elbasan.
Samiu luajti një rol të rëndësishëm si pjesë e grupit nismëtar për formimin dhe organizimin e OBVL. Është zgjedhur antar i kryesisë së përgjithëshme të OBVL dhe Kryetar i Degës Elbasan. Qytetarët e Elbasanit edhe sot kujtojnë kontributin e tij me thirrjet drejtuar popullit për ruajtjen e rendit dhe gjakftohtësisë në situatat e trazuara të vitit ’97...
Samiu, veçanërisht, iu përkushtua shkruarjes me vërtetësi të historisë së Luftës N.Çl. Autor i disa shkrimeve dhe kumtesave për problemet politike të kohës, sidomos në lidhje me pavarësinë e Kosovës.
Është autori kryesor i Historikut te Fshatit të lindjes dhe autor i Historisë së L.A.N.Ç të Rrëzës së Korçës... Samiu me bashkëautor z.Albert Kotini me realizimin e librit ‘’Vinçanët’’ në dy volume, la trashëgim për brezat, testamentin e tij atdhetar-intelektual duke kurorëzuar kështu veprën e tij patriotike për të cilën punoi për një kohë shumë të gjatë. Në këtë libër duke vendosur historinë e families në kontekstin e zhvillimeve politike shoqërore që nga fillimi i shekullit XX, na jepet një tabllo me material shumë të vyer, veçanërisht të periudhës 1942-1944 në qarkun e Korçës. Materiale, dokumenta e dëshmi me vlera të mëdha, sidomos kujtimet e vëllait të tij Nexhipit, si një nga protagonistët kryesorë të LNÇl të qarkut Korçë, mund të përdoren nga studiues të interesuar për shkrimin me vërtetësi historike të Luftës NÇl në qarkun e Korçës. Deri në ditët e fundit të jetës, edhe pse i sëmurë, nuk e rreshti asnjëherë punën dhe pasionin e tij për historinë, duke pasur në krah e në ndihmë bashkëshorten e tij të vyer, Nedon. Vitet e fundit, i rrethuar dhe nën kujdesin e fëmijëve dhe mbesave, i kaloi në Capua-Itali ku dhe mbylli sytë në 25 dhjetor 2007, duke lënë kujtim veprën e tij dhe duke marrë respektin dhe vlerësimin e families, farefisit dhe të gjithë atyre që e kanë njohur.
Vlerësimi i kontributit të kolonel Sami Vinçanit (pas vdekjes), duke i dhënë “Dekoratën e Artë e Shqiponjës”, do të ishte vlerësim për Organizatën tonë të Bashkuar të Veteranëve të LANÇ, e cila prej 28 vitesh që nga krijimi i është përkushtuar edukimit atdhetar të shoqërisë dhe të brezave.



Kololel Sotir Budina Kryetari i OBVL-së


 

Arkiva e gazetes