l
Faqe e Pare
Organizata

veterani arkiva
veterani Veterani

link Linke

 

Rreshtimi i Shqipërisë përkrah koalicionit antifashist anglo-sovjeto-amerikan
80- vjetori - Konferenca e Pezës ngjarje e madhe historike

Në Konferencë u trajtua dhe çështja e regjimit politik. Të gjithë delegatët u shprehen se regjimi i ri në Shqipëri duhet të ishte regjim demokratik. Konferenca diskutoi dhe çështjen e Kosovës, ku delegatët njëzëri u shprehën për zgjidhjen në bazë të vetëvendosjes së lirë, si e parashikonte Karta e Atlantikut dhe të drejtën e vetëvendosjes kosovarët dhe shqiptarët e viseve të tjera do ta fitonin duke u hedhur në luftë kundër fashizmit

Tetëdhjetë vjet më parë, më 16 shtator 1942 u mblodh në Pezë Konferenca e Pezës, që përbën një ngjarje mjaft të rëndësishme dhe të madhe historike për popullin shqiptar. Për nga qëllimet dhe vlerat historike, Konferenca e Pezës është vendimmarrje e njejtë politike, si Lidhje Shqiptare e Lezhës, organizuar nga Skenderbeu më 2 mars 1444 në Lexhë dhe Lidhja Shqiptare e Prizrenit, e mbledhur më 10 Qershor 1878 në Prizren.
Qëllimi ka qenë i njejtë: organizimi i luftës së popullit shqiptar për çlirimin e vendit nga pushtuesit e huaj.

Konferenca e Pezës, përbën një ndodhi historike mjaft të madhe në historinë e popullit shqiptar, pasi në te u mblodhën përfaqësuesit e të gjitha forcave politike të vendit dhe përpunuan platformën e përbashkët të luftës kundra pushtuesit fashist për çlirimin kombëtarë.
Në këtë konferencë morën pjesë përfaqësues të forcave antifashiste shqiptare, me synim që të formohej një front i përbashkët lufte kundër okupatorit. Më vonë ky organizim mori emrin Fronti Nacionalçlirimtar.

PROTAGONISTËT
Protagonistë të këtij kuvendi ishin 17 delegatë, përfaqësues të krahinave dhe besimeve të ndryshme fetare, klasave dhe shtresave me bindje politike nga më të ndryshmet. Pjesëmarrësit vinin nga rryma të ndryshme politike. Ndërmjet tyre ishin: Abaz Kupi, Aziz Çami, Halim Begeja, Haxhi Lleshi, Ismail Petrela, Mustafa Xhani, Myslim Peza, Ndoc Çoba, Ramazan Jarani, Skënder Jegeni dhe Skënder Muço. Nga PKSH-ja morën pjesë Ymer Dishnica, Mustafa Gjinishi, Koço Tashko, Enver Hoxha, Nako Spiru dhe Nexhmije Xhuglini.
Që të gjithë i miratuan vendimet e Konferencës. Ndërsa Kamber Qafmolla nuk mori pjesë në konferencë. Në këshillin drejtues u zgjodhën 7 persona: 1. Enver Hoxha, 2. Ymer Dishnica, 3. Mustafa Gjinishi, të tre komunistë, 4. Myslim Peza, 5. Abaz Kupi, 6. Ndoc Çoba e 7. Kamber Qafmolla, që të katër nacionalistë, patriotë pa parti.

VENDIMET E KONFERENCËS SË PEZËS
Konferenca mori disa vendime të rëndësishme:
1- Krijimin e Frontit Antifashist Nacionalçlirimtar, ku do të bënin pjesë antifashistë pa dallim feje, krahine dhe ideje.
2- Mobilizimin e popullit në luftë kundër pushtuesve fashistë.
3- Ngritjen e Këshillave Nacionalçlirimtarë në të gjithë vendin.
4- Rreshtimin e Shqipërisë përkrah koalicionit antifashist anglo-sovjeto-amerikan.
5- Krijimin e një Shqipërie të lirë, të pavarur e demokratike pas lufte.

Sa për çështjen e rikthimit të mbretit Zog, u vendos që vendimi të merrej pas lufte, nga vetë populli shqiptar. Lidhur me çështjen e Kosovës, u arrit në përfundimin që ajo të zgjidhej pas luftës, duke u mbështetur në të drejtën e vetëvendosjes.
Në fund të punimeve konferenca zgjodhi Këshillin e Përgjithshëm Nacionalçlirimtar, me kryetar Kamber Qafmollën, sekretar Mustafa Gjinishin dhe anëtarë Ndoc Çobën, Myslim Pezën, Abaz Kupin, Enver Hoxhën dhe Ymer Dishnicën.



Kololel Sotir Budina Kryetari i OBVL-së


 

Arkiva e gazetes