l
Faqe e Pare
Organizata

veterani arkiva
veterani Veterani

link Linke

 

Në qytetin e lashtë të Prizrenit, më 10 qershor ishte festë e madhe - U PËRKUJTUA NË MËNYRË MADHËSHTORE 144- VJETORI I LIDHJES SË PRIZRENIT
Kuvend përfaqësues i të gjithë shqiptarëve

Nga Bashkim HISARI

Në qytetin e lashtë të Prizrenit, më 10 qershor ishte festë e madhe. Në rrugët e qyetit, për disa ditë rresht, valëviteshin flamujt kuqë e zi me shqiponjën dykrenare bashkë me simbole të tjera kombëtare. Shqiptarët nga të gjitha trojet etnike kishin ardhur për të festuar një ndër ngjarjet më të rëndësishme që ka ngritur përgjithmonë vetëdijen kombëtare shqiptare, 144-vjetorin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit.
Më 10 qershor të vitit 1878, në Prizren, u mblodhën 110 delagatë shqiptar nga katër vilajetet dhe mbajtën Kuvendin historik me një qëllim të vetëm, t’i bashkojnë trojet shqiptare. Në punimet e Kuvendit të Përgjithshëm të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit udhëhequr nga diplomacia e guximi ushtarak i burrave dhe grave shqiptare, të urtë, të mençur e sy pa pa trembur është ngritur zëri kundër copëtimit të tokave shqiptare dhe ishte vendosur që të krijohet një organizatë me karakter politik e ushtarak, me qendër drejtuese në Prizren dhe me degët përkatëse në krahinat e ndryshme shqiptare. Në këtë mënyrë, sipas historianëve, lindi “Besëlidhja” (itifak) që më vonë u quajt “Lidhja Shqiptare” ose “Lidhja e Prizrenit”. Organizata politiko-ushtarake Lidhja Shqiptare e Prizrenit, në luftë e sipër, u shndërrua në një organizëm shtetëror me administratën, ushtrinë, dikasteret dhe territorin e saj, prandaj dhe gëzon statusin e ngjarjes së rëndësishme në historinë e përpjekjeve të popullit shqiptar për liri dhe pavarësi kombëtare.
Në manifestimin e organizuar nga Qeveria e Kosovës, merrnin pjesë kryeministri i Kosovës Albin Kurti, kryetarja e Kuvendit të Republikës së Shqipërisë Lindita Nikolla, ministra, deputetë, kryetarë të komunave dhe bashkive komunale nga Kosova, Shqipëria, Mali Zi, Maqedonia e Veriore dhe Lugina e Preshevës, diplomatë, liderë fetarë e shumë zyrtar tjerë dhe qytetarë.

Albin Kurti: Jemi vendosur në anën e duhur të historisë

Në fjalën e rastit, kryeministri i Kosovës Albin Kurti theksoi se Kuvendi në Prizren nisi si mbledhje e përfaqësuesve të krahinave shqiptare që rrezikoheshin drejtpërdrejt nga pushtimi prej shteteve ballkanike të kohës, që shqiptarët nuk i konsideronin si komb. Sipas tij, Kuvendi i Prizrenit ishte kuvend përfaqësues i të gjithë shqiptarëve dhe jo vetëm i popullatës së disa krahinave, shqiptarët ishin një komb, që do të thoshte se territori ku jetonin u takonte atyre dhe se vetëm ata mund të vendosnin për veten e tyre, ndaj shqiptarët kërkonin vetëvendosje, të drejta të njëjta me kombet e tjerë të lirë të Evropës, theksoi kryeministri dhe nënvizoi se “Lidhja e Prizrenit është një program sepse forcimi i shtetit dhe i sovranitetit është garancia më e mirë që ka një komb për sigurinë e tij, aleancat, zhvillimin ekonomik, bashkëpunimin e gjithanshëm ndërkombëtar dhe pjesëmarrjen në procese integruese rajonale, kontinentale dhe globale”.
Kryeministri Kurti foli edhe për krizën e rëndë me të cilën po përballet sot kontinenti i Evropës për shkak të agresionit rus dhe luftës në Ukrainë. „Jo shumë larg prej nesh, kombi ukrainas po lufton për ekzistencën, lirinë, atdheun dhe shtetin e vet”, tha ai dhe shtoi se Rusia, në vend që të bashkëpunojë për sigurimin e paqes në botë, po ringjall ëndrrat perandorake të fashizmit e komunizmit sovjetik. “Sot nevojitet solidariteti me viktimën dhe dënimi i agresorit. Nevojitet ndihma ndaj luftës çlirimtare dhe izolimi i agresorit, njëjtë si në vitet 1998-1999 kur NATO i erdhi në ndihmë popullit shqiptar të Kosovës”, tha kryeministri Kurti.
Në fjalimin e saj, kryetarja e Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, Lindita Nikolla tha se Lidhja Shqiptare e Prizrenit, ishte mision historik kombëtar që themeloi një organizatë politike e ushtarake, për mbrojtjen e interesave të shqiptarëve, me një qendër drejtuese kombëtare e degë në të gjitha krahinat e vendit, njëherit ishte edhe një shenjë kombëtare që tregoi se interesat atdhetare duhet të mbizotërojnë ndaj interesave politike, fetare a të natyrave të tjera. Ajo nënvizoi se krahasuar me kohën e Lidhjes, sot shqiptarët, nuk janë të injoruar e mohuar. -“Përkundrazi, jemi vendosur në anën e duhur të historisë, duke u bërë partnerët strategjikë më të besueshëm të demokracive të kohës, Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian. Përshpejtimi i integrimeve rajonale rrit shpejtësinë e integrimit evropian të vendeve të rajonit. Sot është momentumi që Shqipëria dhe Kosova e të gjithë shqiptarët të shndërrohemi në një motor të bashkëpunimit dhe integrimit rajonal” tha ajo dhe shtoi se „Shqipëria po mbështet kërkesën e Kosovës për t’u anëtarësuar në Këshillin e Evropës dhe këtë po ua kërkonë të gjitha shteteve anëtare”.

Rëndësia e Lidhjes së Prizrenit për mbijetesën e lirinë e kombit shqiptar

Rëndësinë e Lidhjes së Prizrenit për mbijetesën e lirinë e kombit shqiptar, gjatë shënimit të 144-vjetorit të kësaj ngjarjeje historike, para Kompleksit memorial të Lidhjës së Prizrenit e përkujtoi akadmiku Pëllumb Xhufi i cili tha se përvjetoret e Lidhjes së Prizrenit janë dhe duhet të jenë takime të veçanta i çdo shqiptari me historinë sepse faqja e shkruar më 10 qershor 1878 shënoi fillimin e një epoke të re.
Ai theksoi se në Kongresin e Berlinit më 13 qersor 1875, Fuqit e mëdha dhe Porta e lartë u mblodhën për të rikonfirmuar mosnjohjen e kombësisë shqiptare dhe për të shpërblyer klientët e tyre ballkanik me copat e territoreve shqiptare. -“Shqiptarët u trajtuan në atë Kongres si relikt i historisë. Në fakt, i vetmi „kujdes” që fuqitë e mëdha treguan ndaj shqiptarëve ishte propozimi i përfëshirjes së tyre në sistemin mesjetar, në vend të shtetit kombëtar të shqiptarëve propozuan një zgjidhje primitive për Malësin e mbi Shkodrës. Kjo ishte mënyrë më cinike për t‘iu mohuar shqiptarëve kombësinë dhe shtetin kombëtar dhe për të rikonfirmuar politikën europiane të ndarjes dhe të përçarjes mes shqiptarëve duke luajtur me ndarje teritorijale dhe fetare”, tha historiani i njohur, akadmiku Pëllumb Xhufi dhe shtoi: -“Këtu vjen roli vendimtar i Lidhjës Shqiptare të Prizrenit. Pjesëmarrja e delegatëve në këtë Kuvend ishte mbarëshqiptare. Organizimi gjithashtu me krijimin e tre degëve të Lidhjes, dega e Prizrenit, ajo e Shkodrës dhe dega e Janinës. Mbi të gjitha, programi ishte një program. Dy ishin detyrat prioritare të përcaktuara nga Lidhja 1. Mbrojtja e territoreve shqiptare dhe 2. Bashkimi i katër vilajeteve shqiptare në një vilajet i vetëm autonom, me ushtri, administratë, shkolla e gjykata shqiptare. Komiteti Kombëtar i Lidhjes së Prizrenit me Haxhi Ymer Paçarizin, Abdyl Frasherin, Suliman Vokshin, Shaip Salihun etj. e shpalli vehtën qeveri të përkohëshme dhe vuri të realizon në praktikë autonomin dhe eventualisht pavarësinë e Shqipërisë”, nënvizoi akademik Xhufi.
Sipas tij, me Lidhjen e Prizrenit ishte hera e parë që shqiptarët nga të gjitha krahinat, të gjitha besimeve fetare dhe të gjitha shtresave shoqërore u bashkuan rreth qëllimit të shenjët. Përfshirja e intelektualëve patriot i dha luftës së Lidhjes objektiva të qarta kombëtare, krijimin e një shteti të bashkuar kombëtar në kufijt e tij historik dhe etnik të një shteti laik me institucionet të zgjedhura nga populli, me shkollë, arsim dhe kulturë kombëtare, të një shteti orijentuar nga Europa dhe vlerat e saj.
Për fat të keq, nënvizoi akademik Xhufi idetë e tilla nuk hodhën rrënjët në kryeqytet Europiane dhe shqiptarëve u desht të luftonin vetëm dhe të realizonin shtetin e tyre më vitin 1912, por me humbje të mëdha kohe, njerzëzish dhe territore. Sipas tij, historia nuk mbaron aty. Porosia e madhe e Lidhjes së Prizrenit mbetej për të plotësuar. Ajo vazhdoi të mobilizoj brezet e rinj që me gjak dhe sakrifica të panumërta mundësuan që pikërisht sot ne këtu të mblidhemi për të përkujtuar 144 vjetorin e saj në Prizrenin e Kosovës së lirë, të vetëdijshëm se duhet të punohet dhe luftohet edhe më shumë për të realizuar ato që vendosën në Prizren në vitin 1878 ata shqiptarë të mirë trima të ditur që ndryshuan historinë, përkujtoi akademik Pëllumb Xhufi.
Kryetarët e komunave shqiptare të rajonit që zhvilluan një takim simbolik para Kompleksit memorial të Lidhjes së Prizrenit, për të shënuar përvjetorin e Kuvendit të Prizrenit që në historin e popullit shqiptar ishte tubim më i organizuar politik pas Lidhjes dhe themelimit të Kuvendit të Lezhës në vitin 1444, theksuan se Lidhja mbetet frymëzim i shumë gjeneratave të shqiptarëve. Njëherësh ata bënë thirrje për nevojën e unitetit dhe shtim të bashkëpunimit të ndërsjellë.

Erion Veliaj: Lidhje moderne e kryetarëve të komunave mbarëshqiptare

Kryetari i Tiranës, Erion Veliaj, takimin simbolik e quajti lidhje moderne e kryetarëve të komunave mbarëshqiptare për t’a shënuar 144-vjetorin e Lidhjes së Prizrenit. “Në këtë shtëpi historike besoj fort që ky takim i sotëm e ka edhe përmasën e vet historike”, tha Veliaj.
“Dua ta quaj një lidhje moderne të Prizrenit. Një lidhje të re që na bën bashkë si dikur paraardhësit tanë nga të gjitha trevat shqiptare. Sigurisht koha është tjetër. Situata është krejt tjetër nga ajo e 144 vjetëve më parë. Ne nuk jemi në luftë. Jemi në paqe. Nuk kemi rreziqe territoriale, synimi ynë nuk është vendosja e kufijve. Përkundrazi, është shkrirja e kufijve dhe rritja e bashkëpunimit mes vete”.Veliaj tha se ndonëse s’ka luftë, ka besë mes shqiptarëve për vijim të bashkëpunimit dhe ruajtjes së trashëgimisë..“Ne duam dhe duhet t’i japim dhe të marrim nga njëri-tjetri.
Ne duhet të bëhemi bashkë, për të bërë diçka, për të bërë punë të mira së bashku”, tha pos tjerash kryetari i Tiranës Erion Veilija.
Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, vlerësoi se bashkëpunimi i pushteteve lokale mund të shtrihet në fusha të ndryshme e veçanërisht në aktivitete kulturore. Ai pati disa kërkesa për Shqipërinë, që të ndihmojë Kosovën në rrugën e saj euroatlantike. “Si kryetar i kryeqytetit të Kosovës po bëj thirrjen time publike që Shqipëria të përdorë zërin e saj për të folur me gojën mbarë shqiptare këtë muaj që shqiptarët kryesojnë në OKB. Është lajm i mrekullueshëm fakti se në agjendën e Këshillit të Sigurimit do të hapet këto dite çështja e përjashtimit në masë të shqiptarëve nga listat e votimit në Luginën e Preshevës të cilën Komiteti i Helsinkit e ka quajtur spastrim etnik administrative”.
Në këtë kontekst foli edhe kryetari i Komunës së Preshevës, Shqiprim Arifi, theksoi se shqiptarët e Luginës së Preshevës ende përballen me diskriminim nga Beogradi dhe se presin prezencë më të madhe të qeverive të Shqipërisë dhe të Kosovës, sikurse edhe bashkëpunim me komunat shqiptare të rajonit. Ai tha se ndonëse situata për shumicën e vendeve shqiptare është shumë më e mirë se sa ajo e 144 vjetëve më parë, një gjë e tillë nuk vlen për Preshevën. -
“Fatkeqësisht ne nuk kemi një komunë normale. Në Maqedoni, komunat janë pjesë e shtetit i cili është pjesë e NATO-s. Në Shqipëri kemi ecur shumë më larg. Në Kosovë jemi në një shtetë të lirë, kurse në Preshevë është ndryshe. Diskriminimi të cilin ju e keni përjetuar viteve nëntëdhjeta, ne e përjetojmë ende. Nuk kemi investime nga qendra. Punësimin e kombësisë serbe nëpër strukturat shtetërore brenda Luginës së Preshevës e kemi ashtu qysh ka qenë në Kosovë sidomos në vitet 90-ta”, u shpreh kryetari i komunës së Preshevës. Arifi kërkoi që Presheva të mos shihet vetëm si jetime, por si pjesë e kombësisë shqiptare, duke kërkuar vizita të njëpasnjëshme nga liderët e komunave shqiptare.
Ndërsa, kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Hasami tha se po angazhohen për ndërtimin e rrugës Prizren -Tetovë qe sipas tij do te ishte një lidhje tjetër që do të bashkoj shqiptarët dhe do të fuqizoj këmbimin në mes të dy qyteteve në frymën e vëllazërimit dhe vlerave europiane.
Pa Lidhjën e Prizrenit rrjedha e historisë sonë kombëtare nuk do të ishte e njëjtë. Nuk do të kishim 28 nëntorin e vitit 1912, nuk do të kishim Luftën Antifashiste Nacionalëlirimtare, lëvizjen kombëtare për çlirimin e Kosovës e cila arriti kulminacionin historik me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës dhe me shpalljen e pavarësisë së Kosovës në shkurt të vititi 2008-.thanë shumë pjesëmarrës në këtë manifestim madhështorë.




 



Kololel Sotir Budina Kryetari i OBVL-së


 

Arkiva e gazetes