l
Faqe e Pare
Organizata

veterani arkiva
veterani Veterani

link Linke

 

Strategjia Kombëtare - 2035:

Strategjia Kombëtare - 2035:
“Vizion, Vullnet dhe Përgjegjësi e Lartë Shtetërore”

Gjeneral ® Piro AHMETAJ*

Me definicion: “Strategjia eshte shkenca dhe arti i parashikimit, vlerësimit dhe balancimit të rreziqeve dhe oportuniteteve, për zhvillimin e integruar të 4 shtyllave të fuqisë kombëtare si dhe përmbushjen e objektivave strategjike të vendit”. Pothuajse çdo vend ka një dokument të SSK (Franca Librin e Bardhë) e cila harmonizon ‘objektivat, mënyrat dhe mjetet’ për garantimin e sovranitetit territorial si dhe për mbrojtjen dhe zhvillimin e interesave kombëtare. E thënë edhe më qartë, pas Kushtetutës, SSK është dokument thelbësor i përgjegjshmërisë shtetërore ndaj vendit.
Dokumenti i fundit i SSK të RSh është miratuar në 2014. Rishikimi perodik i saj mbetet jo vetëm parim bazë, që “imponohet” nga dinamika e ambjentit te sigurisë, nevoja e peshimit te kërcënimeve dhe oportuiniteteve strategjike por edhe e përcaktuar në ligjin përkatës: “SSK rishikohet jo më vonë se 3 vite nga data e miratimit të saj !
Rishikimi ciklik i SSK mbetet domosdoshmëri për të përditësuar sistemin, konsoliduar instrumentet dhe modernizuar kapacitetet e sigurisë kombëtare, për të reflektuar ndryshimet e konceptit strategjik si dhe përmbushur detyrimet në kuadër të NATO dhe UN.
Në ditët e sotme, rishikimi i SSK imponohet si “emergjencë” pas riciklimit të rreziqeve tradicionale (rasti i sulmit barbar të Rusisë ndaj Ukrainës) dhe para së gjithash për të përditësuar një standart të ri të demokracisë dhe sigurisë së qytetarëve në raport me lirinë. Dokumenti i ri i SSK po formulohet nga një grup pune i ngritur nga Kryeministri, i cili drejtohet nga Zv/MPJ dhe ka si anëtarë zv/ministra, dhe zyrtarë të sigurisë nga të gjitha institucione/Agjensitë. Besoj të gjithë e dimë, nuk duhet dhe nuk mundet të bëhet kështu një dokument nga më themelorët të seriozitetit të shtetit.
Në kapacitetin e eksperiencës ne reformat e Sigurise Kombetare, Rajonale dhe NATO-s, dhe si kontributor teknik në formulimin e SSK 2004 dhe 2014, po paraqes gjetje, parime si dhe 12 domosdoshmeri/këshilla kritike që shpresoj të konsiderohen ne procesin e hartimit dhe miratimit të SSK 2035:
1. Vullnet, atmosferë, përpjekje dhe masa gjithëpërfshirëse jo vetëm në rrafshin e vendimarrjes politike, por në të gjitha hallkat dhe fazat e përgatitjes së draftit. E thënë më qartë, grupi i punës nuk do duhet të përbëhet dhe as drejtohet nga thjesht “burokratë të emëruar”, por nga strategjistë/personalitete te mirënjohur, shtetarë të përgjegjshëm, patriot të ditur si dhe me eksperiencë te spikatur në fushën e mendimit strategjik.
2. Gjithëpërfshirjë dhe konsensus sa më i gjerë mbeten jetike për SSK. Në 30 vjet e kemi mësuar se një strategji pa konsensus dhe e prodhuar në frymë konfliktuale, mbetet një dokument i padobishëm pra një dokument inventar, që dublikon “pa kurrfarë lidhje” programin e qeverisë. Gjithesesi unë vijoj të besoj se është plotësisht e mundur që për çështje të vendimarjeve strategjike të arrihet konsensus i gjere.Thënë këtë, nuk e kam fjalën vetëm për numrat në sallën e Kuvendit, por përgjatë gjithë procesit të përgatitjes së produktit/draftit të Strategjisë që i paraqitet për miratim Kuvendit. Nga ana tjetër, në shumicën dërrmuese të ekperiencave objektivat strategjike tejkalojnë mandatin e një qeverie. Pra është potencialisht e mundshme që objektivat e SSK të vijojnë të përmbushen nga një maxhorancë ose koalicioni tjetër. Është po ashtu fakt se në 3 dekada të përpjekjeve për ndërtimin e modelit shumë-partiak, të bazuar në parimin “check and balance”, një nga vlerat e gjithë-pranuara që duhet te “gjunjëzohet” klasa politike shqiptare për qëndrime të përbashkëta për sa përket çështjeve të sigurisë dhe mbrojtjes kombëtare, anëtarësimi ne NATO, BE, etj. Kjo qasje do të demonstronte pjekuri dhe përgjegjshmëri të klasës politike dhe po ashtu do kishte qenë një mesazh i fortë pozitiv për aleatet strategjik, SHBA, NATO, BE etj.
3. Vizion strategjik, për te peshuar dhe balancuar skenarët e kërcënimeve të mundshme me potencialet e zhvillimit ekonomik si dhe projektuar Shqipërinë moderne përtej 2035. Prandaj në draftimin e SSK 2035, duhet angazhuar personalitete me ekspertizë të spikatur në fushen e politikes, ekonomisë, diplomacisë, inteligjencës, informacionit, mbrojtjes, gjenerale, emergjencave civile, policisë shtetit, akademia e shkencave, etj.
4. Konsultim me aktorët e shoqërisë civile, qëndrat e studimeve strategjike, akademikë të mirënjohur dhe grupet e interesit është jo vetëm një “kërkesë në modë”, por para së gjithash një detyrim dhe provë e përgjegjshmërisë shtetërore, për të ndërtuar ura komunikimi ndërinstitucionale dhe për t’i dhënë dokumentit frymën e kohezionit kombëtar. Vendet perëndimore, për zhvillimin e dokumenteve strategjikë angazhojnë personalitete dhe institucione civile të specializuara. P.sh NATO, për konceptin Strategjik angazhon “grup të urtësh” dhe ekspertë me peshë strategjike dhe jo grupe pune nga “burokracia/zyrtarë të emeruar”!
5. Kohezionit mbarëkombëtar që konsideron lirinë, bashkëjetesën fetare dhe pronat, për të mbjelle harmoni me sfidat dhe oportunitetet që afron mjedisi mbarëkombëtar, rajonal, Mesdhe dhe ai Global. Nuk po them se do pyetet “çdo delinkuent i gjithëditur as puthadorët e shefit të radhës”. Organizimi i konferencave shkencore apo debateve publike për strategjinë, duke hapur edhe website të posaçëm, si ndodh në vendet e tjera, ku çdo qytetar i interesuar shpreh opinionet e veta. Konsideron dhe konsultohet me vendet, Kolegjin e NATO-s Romë, “Qendrën Marshall”, per të nxjerrë një produkt që ka “certifikatën” e institucioneve elitare ne fushen e mendimit strategjik.
E parë nga sa sipërpërmendur: çdo strategjie burokratike, qe do i mungonte gjithëpërfshirja, konsensusi dhe konsultimi “do mbetej në klasë si dokument inventar” dhe do ti shkonte shprehja Amerikane “breathing new life into dead reckoning”, ose e përkthyer, “të konsiderohet i/e vdekur pa e lindur ende” !?
6. Peshon rreziqet konvencionale dhe dinamikën mjedisit të sigurisë. Ukraina na tregoi qartë, se jetojmë në një realitet, ku krahas riciklimit te rreziqeve konvencionale ndaj integritetit territorial, kërcënimet po sofistikohen nëpërmjet përdorimit të formave të reja si referendumeve të mbështetura nga jashtë, rreziqet kibernetike, fondamentalizmit fetar, destabilitetit financiar, krimit të organizuar, qeverisjet e dështuara, etj.
7. Anetarësimi në BE, mbetet të rikonfirmohet si një aspiratë, mision, opsion i vetëm dhe projekt që i bashkon mbarëshqiptaret, rreth vlerave perëndimore, të drejtën e jetës, fjalës së lirë, besimit në fe, pronës dhe tregut te lirë. E thënë nga “Profesor Sami Repishti, një mendje me kthjelltësi Atërore”, integrimi në bashkësine Euro-atlantike dhe vlerave demokratike (BE/27 vende me 450 milion banorë) është shprehje e aspiratës dhe «Fat i bardhë i së ardhmes së Shqipërisë dhe Kosovës”! E ri-vendosur kështu ne dokumentin e SSK – 2035, ky përcaktim strategjik mbetet detyrim kombëtar i panegociushem për aktoret dhe pushtetarët e pertej 15 viteve që vijnë !
8. Angazhimet në operacionet e mbështetjes së popullsisë civile në raste të emergjencave natyrore, industriale dhe njerëzore është e mirë përcaktuar ne kushtetutën dhe paketën ligjore të RSh. Ndërsa mbetet te përmirësohen mekanizmat e kontrollin civil demokratik te strukturave/agjensive te SK pa lenë hapësira të përdorimit te pakontrolluar, të devijimit nga misioni kushtetues, si dhe për me keq për te shmangur shpërdorimit nga klientet e politikë të burimeve te mbrojtjes kombëtare.
9. Objektivat të shoqërohen me një Plan/matricë veprimi me aktivitete, masa, pergjegjesi shtetërore të matshme dhe burimet financiare adekuate. Prandaj ndër gjetjet thelbesore mbetet konfirmimi i konceptit DIME (Diplomacy – Intelligence – Military -Economy). SSK-2035 do duhet te të projektoje ngritjen e nje mekanizmi (p.sh Agjensi e Sigurise Kombetare), e cila do të shërbejë për t’u siguruar në kohë reale, Ekzekutivit/Autoriteteve shtetërore, peshën e kërcënimeve, si dhe do të luajë një rol thelbësor në formulimin e dokumentave të Sigurisë Kombëtare (SSK, SU, PAZH), përgatitjen e paketës ligjore, monitorimin e realizimit të objektivave sipas matricës së detyrimeve nderinstitucionale, që i bashkëngjitet SSK !
10. Kohezion te pakushtezuar, permbushje e detyrimeve dhe permiresimi i kredibilitetit te RSh ne NATO. Shqiptaret e kane tejkaluar perceptimin e NATO-s si «robot alienësh qe garanton falas paprekshmërimë teritoriale të 30 vendeve anëtare! Nderkohë që Aleanca ndan barren si dhe balancon përballjen me kercënimet dhe interesat e perbashketa. Thene kete, si shembull, RSh duhet te ri-Konfirmojë në Samitin e radhes se do të mbajë premtimin e rritjes se Buxhet të Mbrojtjes në 2% të GDP deri në vitin 2024.
11. Të presë dhe reflektojë gjetjet e Konceptit te Ri te NATOs që do të miratohet në Samitin e radhës (28-30 Qershor 2022). Sami që për herë të parë mbas 73 vjetësh (1949), do të adresojë Aleancën në raport me “sulmin banditesk të Rusisë kundër sovranitetit teritorial të Ukraines”, si dhe duke shkelmuar paqen dhe sprovuar jo vetem rendin global por edhe solidaritetin, fuqinë ushtarake interesat gjeopolitike të Aleancës Transatlantike ( USA & NATO & BE)
12. Në shtesë, do t’i riKëshilloja publikisht dhe vllazërisht aktorët politik dhe faktorët institucional në Tiranë (dhe Prishtinë,) që për interesa jetike kombëtare, “të përulen në gjunjë para historisë së përgjakshme si dhe përgjegjësive shtetërore, duke projektuar dhe zyrtarizuar nje qasje te drejte, te forte dhe historike në SSK-2035: “Dy shtete sovrane një komb i vetëm” mbështetur mbi konceptin “Smart/mënçur” mbi sovranitetin, mbrojtjen dhe zhvillimin e interesave mbarëkombëtare. E ritheksoj se kjo “qasje e forte por e vonuar” nuk kërcënon asnjë vend, përkundrazi do të kontribuojë si balancë funksionale për paqen afatgjate të rajonit.
13. E thënë më qartë, në SSK-2035 (më tej edhe ne Kushtetutë) do duhet të përcaktohet se: “çdo sulm kundër sovranitetit territorial ne Republikën e Shqipërisë, konsiderohet e njëjtë edhe për Republikën e Kosovës dhe anasjelltas” ! Për të tejkaluar nje “kujdes të tepruar diplomatik”, sjellim shembullin e vendeve skandinave (Norvegji, Suedi, Finlandë); atyre Balltike (Lituani, Letoni, Estoni) dhe të Vishegradit ; qasjen zyrtare te Turqisë dhe Greqisë në raport me Qipron ; rastin e marreveshjes USA me Islandën (1951), etj.
Në mënyrë të përmbledhur, SSK-235, kërkon domosdoshmërisht: “vizion afatgjatë dhe ekspertizë elitare; vullnet dhe konsensus politik të cilësuar; gjithëpërfshirje dhe konsultim të gjerë; kohezion mbarëkombetar; kurajo dhe përgjegjshmëri të lartë shteterore”.
Thënë sa më lartë, ripërsëris detyrimin për të kontribuar me ekspertizë, përulësi dhe përgjegjshmēri shtesë në modernizimin e sistemi te Sigurise dhe zhvillimin e interesave mbarëKombëtare.

*Senior Expert për SK, Rajonin & NATO-n;
Zv/President i Këshillit të Atlantikut, Ish:
Këshilltar Ushtarak i Presidentit të RSh;
Zv/ShShPFA & Përfaqësues në SHAPE/NATO.







 



Kololel Sotir Budina Kryetari i OBVL-së


 

Arkiva e gazetes