l
Faqe e Pare
Organizata

veterani arkiva
veterani Veterani

link Linke

 

Presidenti Meta vlerëson atdhetarin dhe intelektualin Ismail Bara (pas vdekjes)
Me propozimin e OBVL, Ismail Bara
vlerësohet me “Dekoratën e Artë të Shqiponjës”

Presidenti i Republikës, Sh. T. Z. Ilir Meta vlerësoi me “Dekoratën e Artë të Shqiponjës” atdhetarin e spikatur gjatë luftës për çlirimin e vendit nga pushtuesit nazifashistë dhe intelektualin Ismail Bara (pas vdekjes): “Me vlerësim për kontributet e spikatura gjatë Luftës Antifashiste-Nacionalçlirimtare dhe pas çlirimit të vendit, si një personalitet i angazhuar, atdhetar dhe intelektual. Me mirënjohje të veçantë për veprimtarinë e tij të pasur si qytetar aktivist e me vlera të mëdha humane, i përkushtuar ndaj lidhjeve njerëzore, duke përçuar mençuri dhe përgjegjësi maksimale ndaj angazhimit qytetar.” Duke iu drejtuar familjarëve dhe veteranëve pjesëmarrës në ceremoninë e dekorimit të mbajtur në Institucionin e Presidentit me rastin e 5 Majit, “Ditës së Dëshmorëve” Kreu i Shtetit vuri në dukje se:
“Të nderuar pjesëmarrës, të dashur veteranë dhe familjarë.
Jam shumë i kënaqur, që ndodhem sot me ju, për të vlerësuar një personalitet, që ka dhënë një kontribut të shquar gjatë Luftës Antifashiste-Nacionalçlirimtare, por edhe pas çlirimit të vendit, Ismail Bara.
Z. Bara, gjatë gjithë jetës së tij, ka përçuar mirësinë, urtësinë dhe mençurinë dibrane dhe është nderuar e respektuar për vlerat e rralla intelektuale dhe njerëzore.
I lindur në një familje me tradita patriotike dhe atdhetare, zoti Bara u edukua dhe brumos me dashurinë për Atdheun. Që në moshë të re, u radhit në çetën partizane të Dibrës, ku luftoi deri në çlirimin e plotë të Atdheut, nga pushtuesit nazi-fashistë.
Ajo çka e dallonte Ismail Baran në të gjithë detyrat e ndryshme që mbuloi gjatë jetës ishte lidhja e ngushtë me njerëzit, të gjendurit pranë tyre në raste gëzimi dhe hidhërimi, mbështetja dhe kurajo që i jepte kujtdo, që kishte nevojë për ndihmën e tij.
Zoti Bara dhe familja e tij ishin shembull qytetarie dhe mikpritje dhe vetë zoti Bara, ishte një qytetar i angazhuar dhe model. Dalja në pension shënoi një etapë të re në angazhimet e tij, duke vazhduar të japë kontributin e tij të rëndësishëm për shoqërinë, për një nga problematikat e mëdha të zonës ku jetonte, gjakmarrjen. Për 15 vite, ai kontribuoi, si Anëtar i Misionit Mbarëkombëtar të Pajtimit të Gjaqeve dhe në zgjidhjen e konflikteve të ndryshme.
Me fjalën e tij të urtë dhe mençurinë e rrallë ka arritur pajtimin e 13 gjaqeve dhe zgjidhjen e dhjetëra konflikteve.
Po kështu u angazhua, për të mbrojtur të drejtat e një shtrese të shoqërisë, që ka gjithmonë nevojë për mbështetje të madhe, të drejtat e pensionistëve.
Në vitet e transizionit të gjatë dhe deri në ndarjen nga jeta, zoti Bara vazhdoi të jepte kontributin e tij, për shumë çështje të lidhura me qytetarët dhe vendin, si çarmatimi i popullsisë, hartimi i Kushtetutës, vlerësimi i figurave të shquara të vendit, si Shën Nënë Tereza dhe personalitete të tjera.
Zoti Bara vazhdon të kujtohet nga miqtë dhe shokët, me respekt e me dashuri dhe me vlerësim, si një aktivist dhe njeri me vlera të mëdha.
Gjej rastin të falënderoj Organizatën e Bashkuar të Veteranëve të LANÇ-it, për propozimin e tyre për vlerësimin e zotit Ismail Bara, por edhe figurave të tjera të rëndësishme, si për punën e tyre, por kështu edhe për edukimin atdhetar të shoqërisë dhe të brezave më të rinj. Në vlerësim të kontributit të shquar gjatë Luftës Antifashiste-Nacionalçlirimtare, si dhe për angazhimin e vazhdueshëm qytetar, vlerësoj sot zotin Ismail Bara (pas vdekjes), me ‘Dekoratën e Artë të Shqiponjës’.
I përjetshëm kujtimi i tij. Faleminderit!”
Përgatiti : Kimete RAMA


 



Kololel Sotir Budina Kryetari i OBVL-së


 

Arkiva e gazetes