l
Faqe e Pare
Organizata

veterani arkiva
veterani Veterani

link Linke

 

LIBRI
QËNDRESA E POPULLIT TË
BULQIZËS NË LUFTRAT PËR LIRI

Prof. Asoc. Dr. Bernard Zotaj

Në përfundim të një pune disavjeçare, Bashkim Lami boton këtë libër ku pasqyron qëndresën e popullit të Bulqizës bashkë me luftëtarët e krahinave përrreth në luftrat heroike me pushtuesit e huaj në dy shekuj, duke renditur me fakte, që burojnë nga populli, nga librat dhe nga arkivat për historinë e kësaj krahine. Ai ka jetuar shumë kohë me ndjenjën e përgjegjësisë, për të pasqyruar heroizmin e sakrificat në vendlindjes, në kujtim të përpjekjeve mbinjerëzore të luftëtarëve bulqizakë, përkrah luftëtarëve dibranë në luftën për liri.

Libri “Qëndresa e popullit të Bulqizës në luftrat për liri” i autorit bulqizak Bashkim Lami sjell një ndihmesë të dukshme në trajtimin e plotë të zonës së Bulqizës, për kohën kur luftuan dhe vepruan luftëtarët bulqizakë në roje të tërësisë territoriale të vendit. Hapsira kohore e viteve 1912-1921 në Bulqizë reflekton e shëndrit në historinë e popullit e të kombit tonë.
Ky libër përbën një ndihmesë të çmuar në fushën e historisë. Autori nëpërmjet mjaft burimeve dhe këngëve të ruajtura në kujtesën popullore ka arritur të rindërtojë qëndresën e bulqizakëve, me veçoritë e veta dalluese, si në organizim dhe në veprimtarinë e dëndur luftarake. Autori Bashkim Lami në faqet e këtij libri na ka sjellë një vlerë, që meriton plotësisht vëmendjen për të plotësuar historinë e shkruar deri më sot për Bulqizën e viset e tjera dibrane. Autori, pas një përpjekje serioze, të shtrirë në shumë vite, ka hulumtuar dhe ka mundur të na sjellë një përmbledhje të vyer mbi pjesmarrjen e Bulqizës e bulqizakëve në qëndresën ndaj pushtuesve në shekujt paraardhës.
Në këtë libër autori me shumë kujdes dhe vëmendje të madhe ka prurë organizimet ushtarake, çetat, prijësat, luftëtarët dhe vendosmërinë e këtij populli deri në sakrifitë, për të ruajtur nderin dhe traditën. Në libër autori ka sjellë organizimin e detajuar luftarak, ka prurë të dhëna për drejtuesit kryesor, që janë personazhe tipike që i kanë shëndrit e do t’i shëndrisin për jetë të jetës jo vetëm Bulqizës por gjithë Shqipërisë, duke sjellë rëndësishëm dukuritë e risitë e veprimtarisë luftarake të çetave që vepruan e luftuan kundër serbëve në zonën e Bulqizës.
Autori me një gjuhë të thjeshtë dhe stil të veçantë, ka paraqitur rrjedhshëm duke operuar me faktet dhe materiale të marra në arkiva, muze, biblioteka, kumtesa e gojëdhëna të ruajtura në kujtesën e banorëve, duke risjellë në mënyrë të plotë formatin dhe përmbajtjen organizative, luftarake dhe prijësat në zonën e Bulqizës. Në këtë punim monografik, por si një enciklopedi ai kontribon në publikimin e veprimtarisë së drejtuesve, në luftrat e atyre viteve, duke sjell vlera njohëse dhe shkencore. Autori ka meritë se ka ditur të na i japë disa dukur dhe veçori duke shmangur përsëritjen. Në libër jepet një imazh i qartë dhe i plotë i veprimtarisë së luftimeve, me pozicionet, me dëndurinë e formacioneve luftarake që vepruan në një periudhë dhjetë vjeçare luftë dhe përpjekjesh për liri dhe pavarësi të vendit.
Libri është ndërtuar mbi bazën e një strukture të qartë, dhe përshkruan një tabllo të plotë për rezistencën e popullit, të burrave e grave të Bulqizës në një kohë tepër të vështirë, por të lavdishme për fatet e popullit shqiptar. Me interes janë informacionet për çetat, për prijësat, për kullat, për fiset, për dëshmorët dhe për atdhetarët popullorë dhe fetarë, të cilët me urrëtsinë e tyre ju dhanë rrugë problemeve të kohës.
Punën e organizimit të luftës në Bulqizë në vitet 1912-1921, një shekull më parë, autori e shikon me një vizion të gjerë, si në organizim, në veprimtari luftarake, në prapavijë, në mobilizim të popullit për qëndresë dhe në zhvillimin e betejave deri edhe në kulla që kanë bërë emër në histori. Nëpërmjet këtij libri evidentohen qartë vlera dhe roli i madh që kanë luajtur çetat luftarake dhe prijësat popullor në këtë periudhë. Në libër autori ka treguar kujdes të pasqyrojë gjëndjen ekonomike dhe problemet në çdo fshat që organizatorët e qëndresës i kishin në qendër të kujdesit për të mbajtur popullin të bashkuar me njëri tjetrin me gjithë sakrificën që duhej të përballonin, luftën me pushtuesin dhe varfërinë e tejskajshme.
Bulqizakët shfaqen si shqipja në palën e flamurit që nuk u asimilua. Bulqizakët nuk u shitën e nuk u përkulën. Libri shquhet për mendim të rrjedhshëm dhe të qartë, rezultat e një pune voluminoze në studim literature në arkiva dhe në botime të mëparëshme të cilën autori e ka përdorur si sintezë e asaj qëndrese popullore.
Libri “Qëndresa e popullit të Bulqizës në luftrat për liri” është një punim i ri, me vlera të reja dhe me dimensione të trajtuara për herë të parë pas një shekulli. Autori Bashkim Lami ka shkruar me kopetencë dhe përgjegjësi për formacionet, betejat dhe prijsat popullor më të spika tura e më të rëndësishme të luftës së bulqizakëve në kohën e ruajtjes dhe të mbrojtjes së tërësisë territoriale të Shqipërisë.
Autori ka ditur të shfrytëzojë me kujdes të gjitha ngjarjet dhe periudhat e kaluara dhe të nxjerrë në dukje një punim me përmasa të duhura, duke depërtuar në të gjitha problemet e detyrat që mori përsipër lufta bulqizake kundër pushtuesit serb dhe zgjidhjen e tyre në kohë e me sukses.
Aspekt mjaft domethënës në këtë periudhë ishte konsolidimi dhe rritja e veprimtarisë luftarake të saj.
Në përshkrimin e pozicionit gjeografik, të gjitha krahinat dalin natyrshëm me të gjitha vetitë e terenit dhe përshtatja e tyre për veprimet në organizimin e qëndresës ndaj pushtuesve në zonën e Bulqizës. Gjendja politike dhe ushtarake e forcave deri në formimin e shtabit luftarak paraqiten të lidhura ngushtë terrenin mbi të cilin do të veprohej nga çetat dhe formacionet luftarake, në përgatitjen e popullit për luftë e qëndresë, për organizimin të prapavijës dhe ruajtjen e popullatës nga sulmet e pushtuesit.
Në libër kanë dalë mirë dhe kanë zënë vend problemet e mobilizimit, të furnizimit të formacioneve luftarake me luftëtarë, sigurimi i të dhënave informative, puna sqaruese me popullin, si dhe mbrojtja e tij, në betejat që zhvilloheshin etj.
Dukshëm ka dalë ndihma që ka dhënë organizimi ushtarak i popullatës për kapërcimin e vështirësive, sidomos të familjeve të luftëtarëve, të dëshmorëve, të atyre të vobegëta, si dhe atyre që kanë pësuar dëme nga lufta etj.
Autori librin e ka ndarë në disa pjesë dhe çdo pjesë ka një risi të re. Në Pjesën e I-rë me objekt “Bulqiza para vitit 1912”, ka trajtuar problemet si Viset dibrane në organizimin osman; Fiset më të njohura në Bulqizë dhe patriotët që organizuan qëndresat kundër pushtuesve. Lëvizja kaçake në Dibër e Bulqizë frymëzuar nga Rilindja Kombëtare ishte formë e kundërshtimit të reformave të Tanzimatit; Luftëtarë nga Gryka e Madhe e Bulqiza të rënë në luftë me osmanët para vitit 1912 dhe Jehona e pavarësisë së Shqipërisë dhe ngritja e flamurit në Vajkal.
Tek Pjesa e II me objekt “Pushtimi i Dibrës nga serbët dhe lufta në Peladhi në nëntor 1912” trajtohen gjerësisht: Të rënët në luftë me pushtuesit serb në vitet 1912-1913; Konferenca e Ambasadorëve në Londër e ndau Dibrën; Populli i pamposhtur nga masakrat serbe; Bulqizakët në Luftën e Gjoricës; Masakra e Serbëve në Dragu; Dibranët organizohen për ti dalë zot vendit; “Çeta e Bulqizës” riorganizohet për qëndresë; Sigurimi i popullsisë dhe bazat e aksionit luftarak; Rezistenca heroike dibrane dhe lidhja me qeverinë e Vlorës; Me pushtimin e Vlorës, bulqizakët mbetën vetëm përpara serbëve që nxisin përçarjen dhe Lufta e Parë Botërore, koha e zisë së madhe 1917. Po këtu shkruan gjërësisht për patriotët Sheh Hysen Kuçi, Sheh Sula dhe Mehmet Duriçi, etj. Është e vërtetë që rolin kryesor në ato luftra e kishin atdhetarët patriot dhe klerikët fetarë që i dëgjonte populli, pasi shteti në të shumtën e rasteve mungonte ose ishte akoma i pa konsoliduar.
Pjesa e III me objekt “Populli në luftë” zënë vend të rëndësishëm problemet: Pushtimi dytë i Serbëve, më 1918; Populli në mjerim, por shpresa e pathyeshme; Qeveria e Lushnjës një shpresë më shumë; Çeta e Bulqizës e gatshme për aksion; Beteja në Kullën e Muçës, djemtë e Bulqizës dhanë gjakun për vatanin; Mençuria dibrane në aksion për fitore; Vëllazërimi i prijësve dhe rruga e fitores; Beteja në Kullën e Shabës; Beteja tek Kulla e Licit në Dragu, “Nuk ka Fe, pa Atdhe”; Liria erdhi nga vendosmëria e luftëtarëve të bashkuar për çështjen e atdheut; Gratë e vajzat e Bulqizës, bëjnë luftë bashkë me burrat; Të rënët në luftë me pushtuesit serb në vitet 1914-1921; Bulqizakët në fillimet politike; Lirinë e fituar me gjak e sakrifica, populli e mban në mendje e në zemër; Ushton Gryka e Bulqizës.
Në Pjesa e IV trajtohen “Prijësit bulqizakë, shëmbull i traditës së atdhedashurisë” dhe më gjerësisht flitet për Baba Fejzë Bulqiza (1803-1860); Teqja e Madhe e Bulqizës dhe Sheh Zyberi; Kënga e Urës së Qytetit; Myhyrin e Bajram Karajit e pasuan Dalip, Osman e Maliq Karaj; Eba Myslimi i njohur Sheh Myslimi; Jeta dhe veprimtaria e Eba Muslimit (1835-1905); Fisi Duriçi në Bulqizë; Mehmet Duriçi (1852-1925); Hasan Alla, dëshmori i atdheut; Sulë Hupi njeriu i aksionit;
Autori e mbyll studimin e tij me listat e dëshmorëve që dhanë jetën për lirinë e Atdheut bazuar në dokumentat e Ministrisë së Mbrojtjes së Republikës së Shqipërisë. Të rënët në luftë me Osmanët para vitit 1912; Të rënët në luftë me pushtuesit Serb në vitet 1912-1921 dhe tregimtarët gojorë. Autori librin e tij e mbyll me disa përfundime si dhe me bibliografinë ku është mbështetur gjatë studimit të historisë së qëndresës nga populli i Bulqizës dhe Dibrës në luftë për liri.
Nëpërmjet këtij libri evidentohen qartë vlera dhe roli i madh që kanë luajtur organizimi i qëndresës kundër pushtuesve nga populli i Bulqizës në një periudhë të vështirë për kombin shqiptar. Ky libër është rrjedhojë e një pune tepër të gjatë dhe voluminoze, me një studim të gjërë të literaturës së botuar, të cilën autori e ka përdorur mjaft mirë.
Në këtë libër historik autori ballafaqon të dhënat arkivore dhe shkrimet e autorëve të tjerë me gojëdhënat në kujtesën popullore që gjejnë një përputhje bindëse, për atë që ka ndodhur në atë kohë lufte e qëndrese të pashembullt të popullit të etur për liri.
Libri “Qëndresa e popullit të Bulqizës në luftrat për liri” i autorit Bashkim Lami është një përpjekje serioze që bëhet për të pasqyruar sa më realisht dhe pranë dokumentave të kohës, gjithë veprimtarinë e qëndresës së lavdishme të popullit në trevat e Bulqizës dhe Dibrës të bërë nga populli për ekzistencë dhe për ruajtjen e tërësisë territoriale të Shqipërisë.

 



Kololel Sotir Budina Kryetari i OBVL-së


 

Arkiva e gazetes