Maliq Topuzi, dhëndërr i dasmës së lirisë
“ Se ky popull ka djem me huqe, Këmishën e zezë ta bëjnë të kuqe”
Nga Shaqir Çerpja
Vapë, shumë vapë ishte. Ishte verë dhe ditët ishin shumë të nxehta, por as dhe netët nuk ishin të freskëta. Nuk qe vetëm vera e nxehtë, i gjithë viti qe i nxehtë. Dhe nuk dihej kush nxente më shumë atë mot: dielli përvëlues i verës apo flakët e nxehta të pushkëve, mitralozëve dhe bombave. Sepse kohë lufte ishte dhe lufta ishte në kulmin e vet. Lashkiza e ashpër, e rrethuar me male të larta dhe shkëmbinjë të sertë, nuk pati kohë të mendonte, të fliste, të bisedonte dhe të kuvendonte për arat dhe stanet, për pemët dhe bletët, për verën qe po ikte dhe për vjeshtën që po vinte, por vetëm bëri apelin e djemve të saj, ua bekoi ditëlindjet te gjithëve, i bekoi dhe ata dhe u bëri thirrje t’i bashkoheshin luftës Nacionalçlirimtare, duke u rrjeshtuar në rradhët e brigadave partizane. Dy vëllezërit e Imer Topuzit, Selman dhe Met Topuzin, mosha më shumë i afronte me nipin e tyre, djalin e Imerit, Maliqin, se sa me vëllan e tyre të madh, Imerin. Ato ditë, në familjen e tyre ishte folur dhe biseduar shumë për luftën. Kishin vendosur që edhe familja e tyre t’i bashkohej direkt luftës Nacionalçlirimtare. Atë natë në mbrëmje, të dy vëllezërit, Selmani dhe Meta, vetëm për vetëm, pa dijeninë as të Imerit dhe as të Maliqit, kishin folur përsëri për këtë problem dhe secili prej tyre kishte këmbëngulur që do të shkonte vetë partizan, por të dy kishin vendosur që, Maliqi, të qëndronte në shtëpi dhe të kujdesej për familjen. Kjo, ndoshta, edhe sepse Maliqi ishte djali dhe fëmija i vetëm i Imerit, ishte më i riu në familjen e tyre dhe nuk kishte shumë kohë që ishte martuar. Të nesërmen në mëngjes, kur xhaxhallarët e tij Selmani dhe Meta, nuk ndosheshin ne shtëpi, Maliq Topuzi, mbylli derën e vathës së bagëtive, ledhatoi qenin, i foli dhe i tha diçka atij; ndoshta e porositi të kujdesej për tufën e bagëtive. Edhe qeni, në shenjë mirëkuptimi me të zotin, lëvizi ledhatueshëm kokën, shtriu me përkeledhi dy këmbët e përparme dhe në shenjë premtimi se do ta zbatonte porosinë, përkuli trupin dhe tundi bishtin. Pastaj, Maliqi, u përqafua dhe u përshëndet me prindërit e tij të dashur, babë Imerin dhe nënë Fatimen, por shpejt u shkëput nga krahët e tyre, nga përqafimi i tyre i ngrohtë dhe i përmallshëm dhe u fut midis partizanëve. Pak çaste më vonë, nga mesi i partizanëve, përshëndeti përsëri me dorë prindërit e tij; ndoshta me atë lëvizje dore përshëndeti edhe tufën e bagëtive në vathë, edhe qenin, edhe pemët dhe muret. Pastaj eci përpara , eci lart, kaloi kodrën matanë dhe eci rrugës së malit, rrugëve të maleve, rrugës së gjatë të lirisë. Burrë e grua, Imer e Fatime Topuzi, për një copë kohë, mbetën në oborrin e shtëpisë, ashtu, me sytë nga rruga, drejt kodrës, drejt malit, andej nga u nis e shkoi biri i tyre, Maliqi. Vetëm pas një cope të gjatë kohe, me sytë nga mali, Imer Topuzi kthehet nga e shoqja, Fatimja dhe, në atë përhumbje mendimi dhe shikimi, përpara se të shihte atë, pa lotin në sytë e saj. Lotë të ngrohtë. Lotë të nxehtë. Lotë nëne. Nuk i foli dhe nuk i tha asnjë fjalë, por lotëve të saj ju përgjigj me lotë. Të dy, burrë e grua, ashtu në heshtje, u panë gjatë sy më sy, pa folë dhe pa thënë asnjë fjalë. Secili prej tyre, atë çast, kishte nevojë për fjalën e tjetrit, por asnjeri s’e hapi gojën, asnjëri asnjë fjalë s’e tha, por vetëm heshtën. Sa shumë fjalë fshihte ajo heshtje. Ata vetëm heshtën, por nuk folën, sepse, ndoshta, do të kishin kohë për të folë. Do të flisnin gjithë jetën e tyre për këtë ditë, për këtë cast. Dhe ashtu, duke u parë sy më sy, të dyve, u rrodhën lotët. Lotët e të dyve, në oborrin e shtëpisë, mbi një rrasë guri u ranë dhe kurrë, asnjëherë, s’u thanë. Ata heshtën, por foli loti. Ata nuk folën, por foli heshtja. Ajo heshtje foli shumë, ajo heshtje foli gjatë. Akoma, edhe tani, pas kaq shumë vitesh, flet loti dhe heshtja e gjatë e asaj dite të gjatë dhe të nxehtë vere. As derën e vathës së bagëtive nuk e hapën atë pasdite. Harruan ta hapnin. Edhe pse ishin aty, mu pranë tyre, as kumonët, as blegërimat e bagëtive, as lehjen e qenit s’e dëgjuan të zotët e shtëpisë. Kishin humbur thellë në ca mendime të trazuara dhe të ngatërruara, secili në mendimet e veta, pa ja thënë dhe pa ja treguar njëri tjetrit. Se malli dhe meraku i prindërit për fëmijën e tij peshon shumë. Vetëm prindi e di. Çdo prind e di. Vetëm vonë pasdite, kur në konakun e tyre erdhi Elez Rasha dhe burra të tjerë të fshatit, dy të zotët e shtëpisë, u kujtuan për bagëtitë, që atë pasdite nuk i lëshuan në kullotë. Vetëm atëherë kaluan pragun e derës dhe u futën në kullë. Atë pasdite vere në konakun e Imer Topuzit, dy të zotët e shtëpisë dhe burrat e fshatit, folën e biseduan gjatë. Nuk folën dhe nuk biseduan as për berqetin dhe as për bulmetin, nuk folën e nuk biseduan për punët e hallet e tyre, por gjatë, shumë gjatë, folën e biseduan për hallet e atdheut, për luftën, për partizanët, për lirinë. Sigurisht, burrat e fshatit nuk i ngushëlluan Imer e Fatime Topuzin, por i uruan për djalin e tyre, Maliqin, që ishte rritur dhe burrëruar dhe që doli partizan.
*
Maliq Topuzi u lind më 11 tetor 1923, në fshatin Lashkizë të Dibrës. Ishte fëmija i vetëm i Imer dhe Fatime Topuzit (Leka). Ishte djalë i urtë, shumë i sjellshëm dhe i dashur dhe shumë punëtor. Bënte të gjitha punët e shtëpisë, me shumë dëshirë, pa bezdi e papërtesë, duke i ndihmuar prindërit e tij, të cilët lumturoheshin kur shihnin djalin e tyre të dashur, tek rritej i shëndetshëm, i shkathët dhe i papërtueshëm, tek e shihnin përkrah tyre, në ara e në stan, në bjeshkë e në mal. Binte gjumë vonë, vetëm kur i kishte mbaruar të gjitha punët e ditës dhe të nesërmen çohej përsëri herët, për të filluar punët e ditës tjetër. Por një ditë të bukur e të nxehtë vere, Maliq Topuzi, la prindërit e tij të dashur, nënë Fatimen dhe babë Imerin, la arat dhe pemët, la stanin dhe bagëtitë, la rrugët dhe lëndinat dhe doli malit partizan, duke u rrjeshtuar në rradhët e brigadës 4- Sulmuese. Veçse guximtar dhe trim i papërkulur në luftë, përballë armikut, Maliqi, ishte partizan shembullor, i gatshëm në çdo kohë dhe në çdo rast, në çdo sulm dhe aksion luftarak, i dashur me shokët, i kujdesshëm për shokët, për armën, armatimin dhe municionin. Pas luftimesh të ashpëra dhe heroike në fusha dhe male, në fshatra dhe qytete të Shqipërisë, në prag të mbarimit të luftës dhe çlirimit të Shqipërisë, brigada e 4 Sulmuese u ngarkua me misionin e rëndësishëm, asaj ju dha detyra luftarake, që në bashkëpunim dhe bashkëveprim me brigadën e I Sulmuese, të çlironin kryeqytetin, Tiranën. Në ditët e para të nëntorit 1944, harku i rrethimi të kryeqytetit, Tiranës, ishte ngushtuar shumë dhe nazistët gjermanë, të egërsuar në kulm, mbroheshin me të gjitha llojet e armëve. Tirana ishte në çastet finale të çlirimit dhe atë natë, kompania ku ishte Maliqi ishte vendosur në Sauk dhe kishte marrë për detyrë të sulmonte dhe të asgjësonte garnizonin gjerman, i cili ndodhej po në Sauk, në një rreze të shkurtër nga qendra e Tiranës. Garnizoni gjerman ishte i rrethuar në të gjithë perimetrin e tij me gardh me tela me gjemba dhe ruhej me ushtarë nga të gjitha anët. Sipas planit të sulmit të asaj nate, të natës midis 14 dhe 15 nëntorit 1944, në fillim do të minohej garnizoni gjerman pastaj, në çastin kur do të shpërthenin minat, në kulmin e hutimit të ushtarëve gjermanë, kompania do të sulmonte me zjarrin e armëve, për asgjësimin e plotë të garnizonit gjerman. Maliq Topuzi kishte marrë përsipër vullnetarisht, për të minuar garnizonin gjerman. Me të marrë urdhërin për veprim, hidhet përmbi gardhin me tela me gjemba, futet brenda rrethimit të garnizonit gjerman, bën minosjen dhe pastaj tërhiqet për të dalë jashtë rrethimit. Dhe vetëm pak çaste përpara se të shpërthenin minat, në çastin kur ishte hedhur mbi telat me gjemba, për të dalë jashtë rrethimit, një breshëri e gjatë mitralozi i preu hovin. Krisma pushkësh dhe mitralozësh, shpërthime minash dhe granatash. Tym, flakë dhe prush baruti brenda garnizonit gjerman. Dhe atë natë, duke u gdhirë mëngjesi i 15 nëntorit 1944, dy ditë, vetëm dy ditë para çlirimit të Tiranës, Maliq Topuzi mbeti përmbi tela.Gjaku i tij u derdh, aty përmbi tela me gjemba dhe skuqi tokën e përzhitur e të djegur nga flakët e pushkëve, mitrolozëve e bombave. Barbaria gjermane, e egërsuar dhe e tmerruar në kulm, të gjithë perimetrin e gardhit me gjemba, e njomën me benzinë dhe i vuri flakën, duke e rivrarë , duke e djegur në flakën e benzinës edhe trupin e përgjakur dhe të pajetë të partizanit të ri djaloshar, trim dhe guximtar, Maliq Topuzi.
Vetëm pak çaste më përpara se të jepej urdhëri për veprim, Maliq Topuzi, për pak kohë ra në ca kujtime dhe mendime të bukura. Me mendime dhe ëndërrime të ëmbla, i shtyu ditët përpara në kohë dhe, e mendoi vendin të çliruar dhe ju bë se liria kishte ardhur. Po e mendonte veten duke u kthyer në fshat fitimtar. Ju bë se dëgjoi zërin e nënës dhe në derën e kullës pa babain, pastaj, shumë shpejt, mendimeve ju ndërroi vend dhe ju bë se dëgjoi zërin e babait dhe në derën e kullës pa nënën. Sa shumë e kishte marrë malli për prindërit e tij të dashur, për përqafimin e tyre, për buzëqeshjen e ëmbël, për sytë e butë dhe për duart ledhatuese të nënës, për vështrimin, për zërin, brezin dhe kësulën e babait. E kishte marrë malli edhe për tufën e bagëtive, për pemët, për kroin, për rrugët dhe gurët. Mendimet e bukura, të përziëra me kujtime të ëmbëla e çuan me bagëtinë në Kunorë e në Mafushas, në Kryeshite e në Shpate, te Hurdha e Kalit e në Hurdhat e Majce, në Trojëza e tek Gurra e Ferexhit. Vëtëm Maja e Qelisë ju duk pak më e lartë se më parë. Ndoshta, ajo, Maja e Qelisë, atë ditë që Maliqi shkoi partizan, u zgjat pak më shumë, për të parë përtej kodrave e maleve, ku ecte dhe luftonte Maliqi. Ashtu, i përhumbur dhe i përmalluar, desh t’ja fshihte edhe vetes ca mendime, por s’mundi. Mendoi për nusen e tij të bukur, për përqafimin e saj të ëmbël, mendoi për shtatin dhe shtratin, për fëmijët që do të lindnin. I harruar në këto mendime të thella, nuk mundi ta pengonte lotin që i njomi sytë dhë faqet. Lot i ngrohtë. Lot i ëmbël. Lot pa kripën e dhembjes, por me mjaltin e shpresës. Këta lotë as nuk i pengoi dot, as nuk i fshehu dha as nuk i pa kur ranë, sepse u dha urdhëri për veprim dhe Maliqi, i la aty, edhe kujtimet, edhe mendimet, edhe lotët, edhe ëndrrat, edhe shpresat, ndërsa vetë fluturoi mbi telat me gjemba. Në ato çaste, kur Maliqi po mendonte për familjen dhe fshatin, mund të ju jenë kryqëzuar mendimet. Sigurisht edhe familja dhe fshati prej shumë kohësh për Maliqin mendonin. Ndoshta, për një çast, vetëm për një çast të vetëm, Imer Topuzi e mendoi veten njëzetë e tre vjet më parë, njëzetë e tre vjet më të ri, kur me Rrahman dhe Elez Rashën luftuan përkrah Misim Ahmetit në Maje të Karmës, në Qafë Gëlqere, në Kodrën e Soricës. Atëherë lufta zgjati shumë, por Imer Topuzi nuk mendoi gjatë për atë luftë, për rininë e tij, sepse mendimet e çuan tek i biri, Maliqi, te lufta që po bënte ai. Kushedi ku është tani?! Kushedi ku p,o lufton?! Të gjitheve në familje, ato çaste, të përhumbur në mendimet midis merakut dhe shpresës, ju duk se e panë Maliqin duke u kthyer fitimtar nga lufta, duke ardhur. I qeshur dhe i gëzuar, si lëndinë e bleruar në pranverë, si Livadhet e Bardha në maj, mbuluar me lulezonja, krenar dhe kryelartë si Maja e Qelisë, i ashpër dhe i sertë i Guri i Bletës, shpatullgjerë si bjeshka,…Këto po mendonin njerëzit e tij në fshat, ndërsa në Tiranë, djali i tyre Maliqi përmbi tela me gjemba, në flake, trupi i tij gjithë plagë e gjak, mbeti lapidar, ylber, flamur, bajrak. Aty, përmbi tela me gjemba ishte edhe dasma e tij dhe ai, përmbi tela me gjemba – dhëndërr në dasmën e lirisë… Maliq Topuzi nuk la fëmijë, sepse nazistët gjermanë nuk vranë vetëm Maliqin, por edhe fëmijët e ëndërrave të tij. Por, edhe tani pas kaq shumë vitesh, më shumë se shatatë dekadash, ai nderohet nga fëmijë e të rritur. Shkolla 9- vjeçare në vendlindjen e tij, në Lashkizë, mban emrin e tij. Një lapidar, po në vendlindjen e tij, në qendër të Zall Dardhës dhe një tjetër lapidar tek Kthesa e Kamzës, ngjitur me portën kryesorë të kompleksit maleizian të banimit në pllakat e mermerta, të gdhendur kanë emrin e Maliq Topuzit, dëshmorit të atdheut, ylberit që harkon mbi shekujt dhe historinë, birit të nderuar të Lashkizës e Zall Dardhës, Maliq Topuzit- dhëndërr në dasmën e lirisë…
|