l
Faqe e Pare
Organizata

veterani arkiva
veterani Veterani

link Linke

 

100 VJET NGA LUFTA E DIBRËS –KONFERENCË SKENCORE NË AKADEMINË E SHKENCAVE

Dukuri të artit ushtarak të shfaqura në Luftën e Dibrës 1920-1921

Prof. Asoc. Dr. Beranrd Zotaj

Lufta e Dibrës në sfondin historik

100-vjetori i Luftës së Dibrës shënon një ngjarje të madhe përkujtimi, por dhe zhvillim të vlerave të historisë e të traditës tonë kombëtare. Festimi i këtij jubileu nuk është thjesht një cermonial, apo një borxh nderimi për paraardhësit tanë dhe veprën e tyre. Është më tepër se kaq. Lufta e Dibrës e cila u zhvillua për liri, pavarësi dhe sovranitet, u jetësua në betejat popullore të luftëtarëve në Nëntë Malet e Dibrës, kundër një ushtrie të huaj e të organizuar me ambicje të njohura pushtuese ndaj Dibrës dhe Buqizës që ndodhej në “vijën strategjike”, dhe në saj të vendimmarrjes së burrave të shquar dibran, bëri të mundur dhe ja zbardhi faqen Shqipërisë, duke mundur një mbretëri dhe Fuqi të Mëdha që qëndronin pas saj.
Në Luftën e Dibrës morën pjesë pothuajse të gjitha forcat e grupet shoqërore të popullsisë. Lufta mori karakterin e një lufte ballore, që dëshmonte për ndryshime në përmasa, në organizim të veprimeve luftarake, si dhe të disa dukurive të shfaqura të artit ushtarak shqiptar. U krijua kështu një front i gjerë lufte kundër ushtrisë serbe, që përbënte dhe tiparin kryesor të saj.
Në udhëheqje të Luftës së Dibrës dolën përfaqësues të patriotizmit, njerëz fisnikë, të kamur në pasuri, drejtues të organizimeve ushtarake, klerikë, si dhe atdhetar të qytetit dhe të fshatit.

Çetat ishin bashkime të luftëtarëve

Në Luftën e Dibrës u manifestua shpirti luftarak i luftëtarëve, por dhe i popullit patriot të saj. Zgjimi i masave popullore të fshatit dhe të qytetit në vitet 1918-1920 ishte një nga dukuritë kryesore që i dhanë Luftës së Dibrës karakter luftarak dhe rritje të frymës patriotike. Nga pikpamja e organizimit ushtarak, formacionet luftarake, çetat ishin bashkime të luftëtarëve të fshatrave dhe të krahinave me lidhje të përkohshme dhe me përbërje të thjeshtë. Një fshat ose lagje qyteti formoi një çetë prej disa dhjetra luftëtarësh deri në ndonjë rast edhe mbi njëqind. Në vartësi të numrit të shtëpive (familjeve), një krahinë formoi disa çeta, të cilat bënë një forcë të madhe me luftëtarë.
Lufta e Dibrës edhe pse me një brumë njerëzor, jo ushtarak, por vullnetarë (luftëtarë) ka zënë një vend në studimin e Artit Ushtarak Shqiptar. Dukuritë lidhen me njëri-tjetrin. Ato janë sa ushtarake aq dhe politike, të brendshme dhe ndërkombëtare. Në këto kushte para popullsisë dibrane dilte nevoja që të organizonte rezistencën e armatosura. Deri tani gjithë veprimtaria ishte kufizuar në kundërshtimin me armë të armikut në fshatrat Arras, Vajkal e Steblevë si rezultat i së cilës u konkretizua një Vijë fronti në Dibër të Poshtme që nga Ura e Dodës e deri te Ura e Topojanit për së gjati lumit Drin i Zi, në Bulqizë për së gjati Zallit të Murës e deri te Kulla e Shabës, kurse në Gollobondë për së gjati Zallit të Okshtunit e në Shkallë bë Borovës, në pritje të çastit të përshtatshëm për t’u hedhur në sulm.

Tiparet që u manifestuan gjatë organizimit

Tipar dallues i Luftës së Dibrës ishte masiviteti dhe vullnetarizmi. Fshatarët u organizuan në çeta siç ishte çeta e katundit Vajkal e komanduar nga Mehmet Duriçi, që ruanin territorin ditë e natë dhe kundërshtonin përpjekjet e armikut për të kapërcyer kufirin strategjik. Përpjekjet e bëra prej serbëve në zonën e Gollobordës për të zënë Qafën e Dërstilles, mbi fshatin Zabzum, pësuan disfatë të plotë përballë qëndresës së forcave shqiptare.
Parimi i pjesëmarrjes ose i mobilizimit për luftë ishte vullnetarizmi që mbështetej në zakonet dhe traditat popullore, sipas të cilëve “çdo derë” (shtëpi) nxirrte nga një luftëtar. Çdo njësi e banuar, fshat, lagje qyteti, krahinë etj., do të nxirrte çetën e grupit të vet me një numër përafërsisht të përcaktuar luftëtarësh. Zakoni po merrte formën e detyrimit të pakundërshtueshëm. Mobilizimi i forcave kryengritëse u bë mbi baza vullnetare. Patriotët dibranë, me qëndrim në Tiranë, sidomos deputeti Ramiz Daci, patrioti Ramiz Dibra etj., iu drejtuan qeverisë së Tiranës e kërkuan që të bëhej organizimi i administratës civile të prefekturës së Dibrës. Kështu nga fundi i muajit korrik 1920 në fshatin Arras të Peshkopisë u vendos administrata e krahinës me prefekt Ramiz Dibrën. Administrata e vendosur mbante lidhje me krahinat e pushtuara dhe bënte pregatitje për luftën e armatosur. U arrit të lidhej një “besë e përgjithshme” në të gjithë krahinën që gjithë vëmendja të drejtohej kundër pushtuesit.
Si rregull para nisjes së luftës mblidhej një kuvend krahinor ose ndërkrahinor i cili shpallte vendimet dhe përcaktonte qëllimin dhe etapat përkatëse të luftës, masat organizative, detyrat, numrin e forcave dhe detyrimin për çdo fshat e krahinë, zgjidhte prijësat apo drejtuesit e luftës. Autoriteti i Këshillit të Prefekturës u rrit shumë. Krahas tij u krijua dhe komanda ushtarake nën drejtimin e Elez Isufit. Kjo komandë mori në shqyrtim dislokimin e forcave armike dhe caktoi zonën e luftimeve për çdo repart fshatarësh në sulm ose në prapavijë të armikut. Ushtria serbë që vendosur në pikat më dominuese të krahinës. Të gjashtë batalionet e vendosura në Dibrën e Poshtme, shtabin kryesor e kishin në Kodrat e Llasenit, në jug të Peshkopisë. Forcat ushtarake ishin shpërndarë në këto vende: në Majë të Llogorit, te Lisat e Trenës, në Smollaviç, në Kodër të Bullgarit, në Qafë të Kërnelit, që të gjitha në territorin e fshati Dohoshishtë. Më nga veriu e nga verilindja ishin vendosur në Gjarica të Brezhdanit, në Kodër të Kabe, në Pasma të Kishavecit, në Ostësh të Laçes, në Kodër të Kshtejës të katundit Kastriot, në Salbatër të Fushalies, në Shkeka të Shumbatit dhe në Kala të Dodës.

Strategjia ushtarake dhe organizimi ushtarak

Strategjia ushtarake e kësaj lufte e mbështeti dhe e përshtati organizimin ushtarak në traditën popullore luftarake të trashëguar duke i dhënë përmbajtje bashkëkohore krijimit të çetave të fshatrave, të krahinave, si dhe të Komandës Ushtarake. Këto dukuri të thjeshta, mbështetur në frymën atdhetare të popullit ju përgjigjën forcave, mjeteve e mundësive në plotësimin e detyrave të rëndësishme luftarake. Ato siguruan shpejtësi në mobilizimin, lehtësi në veprimet taktike dhe mundësi për të përdorur metoda të luftës tradicionale dhe të luftës me front të rregullt, që kushtëzonte karakteri deri i fortifikuar i garnizoneve armike. Forcat kryengritëse nga fshati Arras më 13 gusht 1920 i dërguan një ultimatum komandës së ushtrive serbe ku kërkohej që brenda 24 orëve të tërhiqeshin në kufirin e 1913, por serbët nuk pranuan. Atëherë sipas planit të përpunuar që më parë, u vendos të sulmohej ushtria armike e përqëndruar në “Shkeka të Shumbatit” e pastaj në të gjitha vendet e tjera. Sulmi do të kryhej nga forcat e Ujë e m’ujës dhe të Reç e Dardhës nën komandën e Suf Xhelilit, të cilëve do t’u shkonin në ndihmë forcat e Arrasit. Pozita natyrale favorizuese e Kodrinës së Shkekës ishte e tillë që paraqiste vështirësi shumë të madhe. Për të sulmuar malësorët nga çdo anë që të ndërmerrnin veprimin do të gjendeshin të zbuluar nën zjarrin e armëve serbe.
Ndërsa ushtria serbe ishte e fortifikuar në transhe të thella, pozicionet (nozullimet) ishin futur në tokë dhe pozicionet kryesore ruheshin nga disa prita të avancuara në pararojë dhe praparojë të tyre. Në këtë pikë dominuese ishin vendosur dhe katër topa me rreze veprimi të gjatë. Marrja e kësaj pozite ishte vendimtare për kryengritjen, prandaj edhe sulmi i saj u studiua dhe u përgatit me shumë kujdes. Në radhë të parë u vendos që të sulmoheshin natën pikat e avancuara që kështu t’i afroheshin fshehurazi sa më shumë objektivit. Forcat e Ujë e M’ujës, nën komandën e vetë Suf Xhelilit zunë postën serbe në katundin Shumbat duke i sulmuar në befasi; ata dollën kështu pa as më të voglën zhurmë Shkekës në verilindje. Forcat e Reç Dardhës likuiduan postën në krah të Zall Kalisit dhe iu afruan në heshtje Shkekës nga veriperëndimi. Ndërsa në mëngjez u dha sinjali i sulmit. Luftëtarët duke i mashtruar serbët me sulme fiktive, me britma të fuqishme “o besa besë” e me të shtëna me armë iu afruan shumë pozicioneve armike. Zjarri i armikut ishte shumë i dëndur, si dhe terreni mjaft i disfavorshëm, megjithatë sulmuesit, nuk e ndalën përparimin e tyre drejt llogoreve armike.


Fill pas sulmit në Shkeka filloi edhe sulmi në Arras. Fshatarët e Çidhnës e një pjesë të Dardhës i udhëhiqte Elez Isufi. Sipas planit të vendosur të luftimeve, luftëtarët të veshur, kaluan lumin Drini i Zi dhe, nën goditjen e artilerisë serbe, përshkuan me vrap Fushalien dhe u ndanë në dy drejtime: një pjesë mësynë Salbatrën, nën Shkeka të Shumbatit dhe një pjesë u drejtuan kah Ostushi në jug. Forcat që mësynë Salbatrën me shpejtësi i detyruan forcat armike të tërhiqen dhe pastaj u. drejtuan për në Shkeka. Ushtria serbe në Shkeka të Shumbatit bëri një qëndresë të dëshpëruar, por sulmi i fshatarëve dibranë qe i rrufeshëm. Në shumë pika u kalua në luftim trup me trup me armikun brenda llogoreve të tij. Ushtrinë serbe e zu paniku dhe u vu në ikje pasi la mbi 1.000 vetë rob e të vrarë. Trimëri të jashtëzakonshme tregoi luftëtari Osman Tahir Paci, i cili ra dëshmor. Aktet heroike të luftëtarëve ngjallnin kurajo e mobilizim në radhët e fshatarëve.
Me sukses përfundoi edhe sulmi i forcave të Muhurrit dhe të fshatrave rreth Kastriotit kundër “Çapit të Brezhdanit” pas të cilit u pushtua “Gjanica”. Armiku nuk u la i qetë dhe në prapavijat e tij. Forcat serbe në Kodër të Kabe u detyruan të tërhiqen në drejtim të Zimurit, ku u likuiduan plotësisht. Në këtë pritë u shqua luftëtari Melaim Kulemani, i cili vrau disa ushtarë dhe më në fund ra edhe vetë dëshmor i Atdheut.
Lufta e Dibrës dëshmoi edhe një herë vlerën morale se luftën nuk e fitojnë ata që kanë shumë armë, topa dhe vegla të luftës, Ushtria serbe, që ishte përqëndruar në Kodër të Pollozhanit, nën goditjen e fshatarëve, u detyrua të ikë drejt malit Skërtec, por u likuidua gati e tëra nga prita që i bëri fshati Rabdisht.


Goditje e fortë ju bë ushtrisë serbe të dislokuar në afërsi të qytetit të Peshkopisë dhe veçanërisht shtabit serb në Kodrinat e Llasenit. Sulmin e filluan fshatarët e Dohoshishtit dhe të Grevës, dhe e vendosën armikun midis ry zjarresh. Në ndihmë të tyre shkuan edhe fshatarë të tjerë. Pas një lufte, që zgjati disa orë, serbët u tërhoqën në panik dhe lanë në duart e shqiptarëve topat, mitralozët dhe mjaft të vrarë e robër. Mësymja e armikut në Dibër të Poshtme u pasua nga sulmet kundër Vajkalit e Steblevës. Në fund të datës 15 gusht 1920 serbët u zbuan përtej kufirit të 1913-s duke lënë disa qindra të vrarë, shumë robër, mjaft armë e municione, të gjitha topat, disa dhjetëra mitralozë, etj. Edhe pse armiku kishte ushtri e armatime të panumërta, forcat kryengritëse mundën të arrinë suksese, në radhë të parë, në saje të vendosmërisë së tyre.
Nga ana taktike kryengritësit zbatuan me sukses sulmet e rrufeshme, goditjen natën, tërhoqën vëmëndjen e armikut me sulme fiktive dhe vepruan njëkohësisht edhe në prapavijat e armikut, si brenda kufirit të 1913-s edhe jashtë këtij kufiri për qëllime zbulimi.
Kryengritësit shqiptarë vendosën lidhje me forcat e armatosura maqedone, të cilët kundërshtonin politikën serbomadhe.
Pjesëmarrja masive e popullit në luftë ishte faktor vendimtar e më shumë rëndësi për suksesin në lëmin ushtarak. Menjëherë në qytetin e Peshkopisë u vendos administrata e prefekturës me Ramiz Dibrën në krye. Forca mbështetej në një ushtri shumë të kufizuar dhe në gatishmërinë e fshatarëve kryengritës për të vazhduar luftën në mbrojtje të kufirit të 1913-s. Ndër detyrat më urgjente që i doli administratës ishte ruajtja e kufirit.
Këtë detyrë e morën përsipër vullnetarisht fshatarët duke u vendosur në pika të ndryshme. Administrata e prefekturës, për mungesë organizative, u gjend në vështirësi të mëdha për të përballuar situatën e re. Gjithashtu edhe Qeveria e Tiranës nuk kishte mundësi që të dërgonte forca ushtarake për sigurimin e kufirit.
Qarqet shovinisbe serbe përgatitën forca të shumta ushtarake dhe nga fundi i muajit gusht 1920 sulmuan gjatë gjithë vijës së kufirit me mbi 40 batalione me ushtarë, të pajisura me armë nga më të rëndat që dispononin. Ushtritë serbe ndeshën me qëndresën e fshatarëve dhe sulmi armik u praps për tri ditë rresht. Disa qindra fshatarë, me pak fishekë, të vendosur që ta mbronin me çdo kusht kufirin e Atdheut, u bënë ballë heroikisht ushtrive të panumërta serbe.

Përcaktim i drejtimit të goditjes kryesore

Kryengritja e gusht-shtatorit e 1920-s e bërë nga populli i Dibrës kundër pushtuesit serb luajti një rol të rëndësishëm edukativ dhe mobilizues për periudhat e mëvonshme. Së pari, u rrënjos edhe më tepër te masat e popullit urrejtja për pushtuesin e huaj, i cili e tregoi fytyrën e vërtetë prej shtypësi e vrasësi. Së dyti, u shtua dhe u forcua edhe më shumë ndjenja e patriotizmit të masave të popullit. U forcua dhe u shtua edhe më shumë bashkëpunimi tradicional midis dibranëve dhe kosovarëve në luftë me të njëjtin armik. Së treti, spikati trimëria, guximi deri në vetëmohim dhe heroizmi masiv i malësorëve dibranë që në kushtet e pushtimit, pa marrë parasysh sakrificat në njerëz dhe në ekonomi, u përleshën me një ushtri të rregullt, të armatosur më së miri dhe në numër shumë herë më të madh. Së katërti, u provua dhe një herë aftësia luftarake dhe taktika popullore. Së pesti, u demaskua reaksioni vendas. Së gjashti, u hodhën poshtë akuzat falso të qarqeve të larta të borgjezisë serbe mbi “egërsinë” e dibranëve, të cilët, megjithëse kishin pësuar shumë në kurrizin e tyre, u sollën në mënyrë njerëzore ndaj të plagosurve dhe robërve duke i mjekuar ushqyer e përcjellë deri në destinacion. Së shtati, u bënë përpjekje, sado të kufizuara, për të bashkërenditur veprimtarinë me qarqet politike maqedone që vepronin kundër politikës serbomadhe, për mevetësinë e Maqedonisë. Së fundi, u bë e qartë për elementët e mashtruar, esadistë të Dibrës, se politika e serbëve ndaj Shqipërisë ishte një politikë armiqësore dhe çdo bashkëpunim i mëtejshëm me ta ishte në dëm të interesave kombëtare. Mësymja në përgjithësi filloi nga rajonet malore dhe u drejtua mbi garnizone dhe qendra të vogla, sipas vendimit të kuvendit, çetat dhe forcat luftarake u nisën në drejtimin e objektivit të mësymjes sikurse ishin përforcimet serbe. Luftëtarët ju afruan objektit në kolona marshimi dhe rreth 2 km pranë objektit të sulmit, ndalonin në vende të maskuara. Këtu pas njohjes me terrenin dhe objektivat, përcaktuan detyrën luftarake për luftim dhe kohën kalimit në sulm me sinjale. Sulmet zakonisht ishin rrethore dhe të vrullshme mbi garnizonin. Brenda ditës luftimet ishin të përfunduara dhe me fitore të forcave kryengritëse.


Mbrojtja zakonisht fillonte kur luftëtarët kishin kapur pozicione të rëndësisë taktike dhe deri operative dhe ishin afër rajoneve të fortifikuara. Mbrojtja e luftëtarëve u karakterizua gjithmonë nga manovra e shpejtë dhe krahëmarrëse. Pikënisja e luftimeve ishte ndeshja në një vijë dhe pozicion të caktuar terreni, ku luftëtarët organizuan mbrojtje, prita dhe kurthe.
Forcat kryengritëse kaluan në mësymje dhe duke realizuar objektivat operativë me metodat taktike, me goditje të njëpasnjëshme, e nga disa drejtime duke shfrytëzuar sistemin e mbrojtjes armike të përbërë nga garnizone të veçuara, me largësi ndërmjet tyre, si dhe përfituar nga karakteri i thyer i terrenit.


Çështja e furnizimit me ushqime e materiale të tjera luftarake ishte një ndër problemet e ndërlikuara që u zgjidhën në luftë e sipër. Duke vlerësuar kushtet e vështira të furnizimit, u përcaktua si e vetmen zgjidhje, mbështetja në forcat e çdo fshtai për çetën e vet. Burim kryesor i furnizimit u bënë fshatrat e Dibrës. Masa e gjërë e fshatarësisë, megjithëse mjaft e varfër vunë në dispozicion të forcave kryengritëse të gjitha sendet e nevojshme ushqimore, blegtorale e bujqësore e siguruan ndihma të konsiderueshme dhe për mjaft materiale të tjera. Gruaja dibrane ka lozur një rol të rëndësishëm në mbajtjen në këmbë të prapavijës si në gatimin e ushqimeve, por dhe në rregullimin e teshave të luftëtarëve, si dhe mjakimin dhe trasportimin e luftëtarëve të plagosur etj. Burim shumë i rëndësishëm për furnizimi u bë dhe armiku, sidomos për armatim e municion. Sigurimi i armatimit duke ia rrëmbyer armikut në fushën e luftës, ishte një nga objektivat kryesore të planit të komandës së forcave kryengritëse, veçanërisht gjatë fazën e parë të luftës, i cili u realizua me shumë sukses dhe i përmirësoi në mënyrë të ndjeshme kushtet e armatimit të Forcave Kryengritëse gjatë fazës së dytë të luftës.


Taktika e luftimit përdori forma e metoda orgjinale që u mbështetën në traditën e pasur luftarake të popullit dhe që u mbajtën parasysh në format e organizimit ushtarak e shkallën e pajisjes me teknikë luftarake të Forcave Kryengritëse. Forcat Kryengritëse gërshetuan drejt taktikën e luftës në front të rregullt me format e metodat e luftës tradicionale. Taktika u shqua nga aktiviteti, dinamizmi dhe shpirti sulmues. Nëpërmjet goditjeve të befasishme, sulmeve natën, vendosmërisë në luftim, manovrueshmërisë e shfrytëzimit të terrenit, përdorimit me shpirt krijues i mjeteve rrethanore, etj., Forcat Kryengritëse kapërxyen pengesat me tela, shpërthyen pozicionet e fortifikuara dhe zgjidhin detyra të vështira në luftim. U bënë veçori e taktikës sulmet e pandërprera me forca të kufizuara, që nuk i lanë forcat serbe të merrnin frymë, i mbajtën në panik e në tension të vazhdueshëm nervor dhe u siguruan forcave kryengritëse iniciativën. Në Luftën e Dibrës përdorim të gjerë morën veprimet luftarake mësymëse, por në momente të caktuara u përdorën dhe luftimet mbrojtëse. Taktika e luftimeve mbrojtëse u karakterizua gjithashtu nga qëndrueshmëria, aktiviteti, ndërtimi i kurtheve, pritave etj.


Lufta e Dibrës e viteve 1920-1921 tregoi vitalitetin dhe energjinë luftarake të një populli që u ngrit në këmbë për të mbrojtur me gjak lirinë dhe pavarësinë e vet. Kjo luftë u bë një thesar i paçmuar i traditave luftarake të tij, u trashëgua e u ngrit në një shkallë të lartë nga formacionet partizane të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare. Këto tradita, kjo përvojë duhet të mësohen e të njihen nga ushtarakët e të gjitha strukturat e sigurisë në interes të rritjes së aftësive luftarake e të përdorimit me mjeshtëri në fushën e luftës të formave e metodave të luftimit sa më të gjalla e më të larmishme.








 



Kololel Sotir Budina Kryetari i OBVL-së


 

Arkiva e gazetes