Kaloi një vit pa mikun e shokun tonë të mrekullueshëm, Nikoll Brozi, një ish kuadër i njohur në rrethet Mirditë e Kukës. Largimi i tij nga kjo jetë, na preku shumë, sepse ishte një njeri me vlera të shumta njerëzore dhe intelektuale, që la pas një emër të respektuar e të nderuar për të gjithë ata, që e kanë njohur. Ai, sot i mungon jo vetëm familjes së tij, por edhe ne shokëve, që e kishim si lezetin e muhabetit e të humorit, në takimet tona, në bisedat e kafesë së mëngjesit, e kudo tjetër. Kaloi një vit pa Nikollën tonë të dashur e të respektuar dhe ne e ndjejmë shumë mungesën e tij. Ndaj, ne, ish shokët e tij më të afërt: Mark Prendi, Ndue Dodbiba, Bardhok Gjikolaj e Xhelal Marku, vendosëm të shkruajmë diçka për Nikoll Brozin, në shenjë respekti, mirnjohje e konsiderate për të, sepse na ka lënë një vend bosh në karriket e tavolinës tonë, ku takoheshim shpesh.
Nikoll Brozi ka lindur më 20 gusht të vitit 1935, në fshatin Perlat të rrethit të Mirditës. Mësimet e para ai i kreu në vendlindjen e tij dhe më pas u kompletua edhe me arsimin e mesëm e të lartë dhe u bë një kuadër i devotshëm, duke plotësuar me sukses çdo detyrë, që i është ngarkuar. Thuhet, se i miri e ka në gen vënjesën e tij dhe ne bashkohemi me këtë thënie, pasi shpesh përsërisim edhe fjalët: “Më bë baba, të të ngjaj”. Dhe si mund të ndodhte ndryshe, me Nikoll Brozin, me një baba fisnik e të mrekullueshëm, si Mark Brozi, që kishte ai? Mark Brozi u martua me Dila Sulejmanin, nga shtëpia e Preng Nikoll Sulejmanit, e njohur në krahinë për mikpritje e bujari. Sigurisht, nga dy prindër të mençur e fisnikë, një djalë i mirë si Nikoll Brozi do të dilte, i cili mori cilësitë më të mira njerëzore të prindërve të vet. Nikoll Brozi i përkiste gjeneratës së brezit, që mori përsipër rindërtimin e vendit të sapo dalë nga lufta Antifashiste Nacional – Çlirimtare. Ai ishte një kuadër me formim të gjërë dhe integritet të admirueshëm, i aftë dhe i përkushtuar për të bërë realitet çdo detyrë, që i ngarkohej. Ndaj, kudo që punoi, Nikoll Brozit i shkëlqeu puna dhe la pas një emër të mirë. Nikoll Brozi ishte mjeshtër i fjalës dhe i muhabetit, që dinte të komunikonte mirë e bukur me të gjitha nivelet e moshat, ndaj e donin të gjithë atë. Dhe mbi të gjitha, tek Nikoll Brozi shkëlqente thjeshtësia e kuadrit, që jetonte me hallet e popullit dhe luftonte me të gjitha mundësitë e tij, që t’i ndihmonte ata, t’u zgjidhte çdo kërkesë të drejtë e të ligjshme. Ai ishte një kuadër i përkushtuar e dinjitoz, që fjalën e dhënë do ta çonte deri në fund, duke fituar besimin e njerëzve, se po takove Nikoll Brozin, ke takuar njeriun, që i jep zgjidhje problemit dhe nuk i mban peng hallexhinjtë, me sorollatje burokratike. Ndaj dera e zyrës së tij si drejtues kryesor në rrethin e Kukësit, ishte përherë e mbushur me njerëz, sepse besonin në fjalën e tij dhe në drejtësinë e tij, për të mbështetur njerëzit në nevojë.
Nikoll Brozin e karakterizonte ndërgjegja e lartë në punë, drejtësia në zgjidhjen e problemeve të popullit dhe këmbëngulja për t’i çuar deri në fund punët e nisura. Ishte një kuadër i guximshëm, për të mbrojtur të drejtat e qytetarëve dhe nuk u tjetërsua kurrë nga trysnia, cinizmi dhe hipokrizia e kohës, duke ruajtur të paprekur dinjitetin, karakterin dhe vlerat e tjera morale e njerëzore, me të cilat kishte fituar besimin dhe respektin e masës. Ai ishte njeriu, që nuk mund të qëndronte indiferent përballë mosrealizimeve, ishte i guximshëm për të thënë mendimin e tij me kurajo dhe nuk frikësohej nga kostoja e qëndrimit të tij kritik ndaj problemeve, që kishte administrata e rrethit apo ajo e bazës. Nikoll Brozin e karakterizonte pastërtia e figurës së tij moralo-politike dhe edukonte me shembullin e tij personal si kuadër i aftë e korrekt, që burokracinë e konsideronte si armikun më të madh të punës e të progresit. Ai nuk ishte dogmatik e fanatik dhe njeri i ngurtësuar në pikëpamje e mentalitete, por ishte një kuadër me plot energji pozitive, që me veprimtarinë e tij mbështeste gjithmonë idetë progresive e përparimtare të shoqërisë. Drejtësia dhe sinqeriteti, ishin cilësit e tij njerëzore, që e shoqëruan gjithë jetën Nikoll Brozin. Dhe për këtë, ai ndjehej përherë krenar, pasi në metodën e tij të punës spikaste mendimi krijues me moton: “Ta fillojmë nga e vogla, për të arritur tek më e madhja”.
Dinamizmi dhe vrulli në punë i Nikoll Brozit, ishin modeli më i mirë i punës së një kuadri me përvojë në drejtimin dhe organizimin e veprimtarive në rrethin e Kukësit. Nikolla ishte i dashur me shokët dhe nuk e pamë kurrë të mburrej për arritjet e tij. Edhe pse kapi nivele të larta të punës drejtuese në rrethe, ai mbeti përherë i njëjti Nikoll, i thjeshtë dhe me një komunikim të ngrohtë me këdo. Ai kishte dashuri e respekt të veçantë për kuksianët, me të cilët u përshtat mrekullisht, por ishte dhe plot nostalgji për mirditorët e Mirditën e tij, admironte shumë traditat e bukura dhe burrërinë mirditase. Nikolla punëshumë dhe bashkëshortja e tij, Liza, ishin edhe familjarë të mirë, që edukuan tek fëmijtë e tyre cilësitë më të mira njerëzore. Ndaj, e dëgjonim shpesh Nikoll Brozin të thoshte, se ndjehem krenar me familjen dhe me Lizën, e cila ka një kontribut të veçantë në edukimin e fëmijëve të mi.
Nikolla dhe Liza ishin dhe çifti më ideal, që kishin marëdhënie korrekte dhe me shumë harmoni e mirkuptim mes tyre. Ata lindën, rritën dhe edukuan pesë fëmijë, tre djem e dy vajza, njëri më i mirë se tjetri: Markun, Agimin, Viktorin, Marien dhe Vjollcën, një pasuri e madhe prindore kjo, për të cilën, Nikolla dhe Liza u përkushtuan me tërë kujdesin e tyre, që ata të shkollohen e të bëhen të dobishëm për familjen dhe për shoqërinë. E rëndësishme është, se fëmijtë e çiftit Brozi, u futën me dinjitet në rrugën e jetës dhe po punojnë e jetojnë nën shembullin dhe modelin e prindërve të tyre të mrekullueshëm. Ata e vuajnë shumë mungesën e prindërve të tyre dhe janë shumë të pikëlluar, që nëna e tyre Liza, ka vuajtur gjatë nga një sëmundje, por që nuk i ka munguar për asnjë çast kujdesi dhe shërbimi nga fëmijtë dhe bashkëshorti Nikolla, që i kanë qëndruar vazhdimisht pranë, duke e inkurajuar me shpresën se do të shërohet.
Nikoll Brozi ishte një njeri shumë aktiv edhe pas daljes në pension. Ai nuk e ndërpreu veprimtarinë e tij krijuese, shkruajti libra dhe lexonte shumë. Por, fati i keq, sëmundja e COVID-19, e rëndoi dhe u nda nga jeta më 15 nëntor të vitit 2020, duke sjellë dhimbje të madhe dhe lot në familje, tek miqtë dhe shokët e tij. Dhe sikur të mos mjaftonte kjo, ndodhi edhe fatkeqësia tjetër, pas katër a pesë ditësh ndërroi jetë edhe bashkëshortja, Liza, duke e dyfishuar dhimbjen në familje.
Ne ju shprehim ngushëllimet tona të sinqerta fëmijëve dhe të afërmëve!
Qofshin të paharruar bashkëshortët model, Nikoll Brozi e Liza Brozi!
|