SHPENDI TOPOLLAJ

Duke u pajtuar plotësisht me atë mendimin e mençur se shoqëria njerëzore ka nevojë për poetët, ashtu sikurse nata për yjet, po të kemi parasysh kohën kur jetoi, rolin që luajti dhe ndikimin që pati Naim Frashëri, në gjithë zhvillimet e formimit atdhetar të popullit tonë pa dallim feje a krahine, pa frikë mund të themi se ai qe shumë më tepër se kaq. Pastaj, po të shohim se ai me fjalën e tij të magjishme, dhe himnet që si askush tjetër qendisi për bukuritë e Shqipërisë tonë, çoi peshë zemrat e tyre, që bashkë me përpjekjet e burrave të tjerë të shquar finalizuan me fitimin e pavarësisë kombëtare, por se edhe sot e kësaj dite mbeti jo thjeshtë ai që i ngriti vetes si Horaci një monument më të fortë se tunxhi, por qiriri i pashuar, më i çuditshëm dhe më rrezatues për mbi 120 vjet me radhë, Naimi duhet konsideruar si Ylli ynë Polar, figura nga më përfaqësueset e vlerave dhe aspiratave të popullit tonë. Sa herë e kujtojmë e na duhet të flasim për gjithësa ai bëri, krahas krenarisë të ligjshme që ndiejmë, sepse na duket vetja i vogël e i pafuqishëm dhe na bëhet se ai do të kapërcejë modestinë e thjeshtësinë e tij karakteristike dhe do të përsërisë ato fjalët e njohura të Alphonse de Lamartinit se: “Vetëm Zoti mund të më flasë mbi varr”.
Prandaj, janë për t`u përgëzuar dy autorët e nderuar Kujtim Boriçi e Nuri Çuni, që të mbështetur nga shkëlqesia e tij Haxhi Dede Edmond Brahimaj, e trajtuan universin naiminan në këtë libër kaq dinjitoz. Naim Frashëri ndofta nuk zuri armë me dorë, sido që ish mik i ngushtë kapedanësh e luftëtarësh të shquar, por është ashtu sikurse shprehet nobelisti Odisea Elitis se “Poezia nuk mund të ndryshojë botën, siç mund të bëjë veprimi, por poezia mund të ndryshojë ndërgjegjet e njerëzve, të cilët me veprimet e tyre mund të ndryshojnë botën”. Autorët me të drejtë i kanë mëshuar faktit se Naimi drejtohej në qëndrimet dhe krijimtarinë e tij nga mësimet dhe idetë e bektashizmit. Ashtu si fetë e tjera, bektashizmi ka dhënë prova mjaft elokuente të besnikërisë dhe mbrojtjes së çështjes kombëtare. Mjaft të shohim një foto ilustruese në libër, të 2 qershorit të vitit 1937, kur vinin për t`u prehur në vendlindje eshtrat e Bilbilit të Shqipërisë, dhe do vini re sesi i prijnë kortezhit për ta përcjellë e nderuar atë, krahas kryegjyshit bektashian edhe hierarkët e feve muslimane, katolike dhe ortodokse, gjë që e kemi parë përherë, deri tek ai demonstrimi kuptimplotë në bulevardin e Parisit. Dhe mendja të shkon menjëherë te politikanët tanë arrivistë që edhe për problemet madhore të Kombit, do grinden e shahen pa pikën e gajles, pa menduar fare se kujt i intereson përçarja deri në armiqësi mes tyre. Ne jetojmë në këtë realitet dhe qoftë si qytetarë, qoftë si intelektualë e ndiejmë përditë se këshillat e urta të asaj trashëgimie të pasur që të parët tanë si Naim Frashëri na lanë, ata i kanë hedhur pas krahëve.
Vendin e kanë lënë në dorë të të huajve, a thua se do të gjenden naivë që të besojnë absurdin se malet e Shqipërisë, lisat e gjatë, bregoret bukuroshe dhe lumenjtë tanë të kulluar, i duan ata më shumë se vetë ne shqiptarët. Këta sillen, si të ishin zot në shtëpinë tonë dhe s`kanë faj, pasi çelsat vetë ua kemi dhënë, dhe Shakespeare thosh se një dënim që zgjidhet me vullnet të lirë është gjithmonë i drejtë. Po pak turp duhet të na vijë; ç`thotë bota për ne e ç`do të thotë historia nesër? A nuk del i qartë si drita e diellit qëndrimi burrëror i Naim Frashërit tek ai rrëfimi brilant i profesor Nasho Jorgaqit që në gojën e xha Baftjarit nga Leskoviku vë fjalët se ai edhe pse ndiqej nga spiunët e Abdyl Hamitit, përsëri nuk pushonte së foluri për mëmëdheun e tij? Le të kujtojmë të vëllanë, Samiun, dijetarin e pashoq kur shkruante “Shqipëtarëtë gjithnjë për botën, e kurrë për vetëhe”. Ata, vëllezërit e pavdekshëm Frashëri e mendonin se Shqipërinë do e bënin djemtë dhe vajzat e veta dhe jo të tjerët, të cilët vetëm kanë përfituar nga mundi, djersa dhe gjaku ynë, siç bënë poshtërsisht me Kosovë e Çamëri.
Është kjo arsyeja që miku im i ndjerë Moikom Zeqo, në studimin e tij kryesisht rreth bektashizmit, e quan Naimin jo vetëm Profet të së ardhmes, por edhe konstruktorin e një religjioni sinkretik, pra përbashkues dhe jo të ndarë, e ca më shumë të nënshtruar. Për më tepër, autorët e këtij libri janë kujdesur që kjo frymë të përshkojë të gjitha shkrimet e këtij libri. Ata që do e lexojnë, duhet edhe të reflektojnë, se kjo është në interes të të sotmes dhe të së ardhmes tonë. Vetëm kështu do jemi të sinqertë kur ta mendojmë Naim Frashërin tonë, në të pesë varrimet e tij, njësoj të denjë për amanetin që la Hajnri Hajne se: “As vetë s`e di, në se e meritoj, që kur të vdes, arkivolin të ma zbukurojnë me kurora dafinash.
Ama, në të duhet vënë shpata, sepse kam qenë ushtar guximtar në luftën për çlirimin e njerëzimit”. Në mbyllje, nuk është shumë etike, por më duhet të kujtoj fjalët e Stenlej Kabrikut që veprimet e shteteve të mëdha i quante prej gangsterësh dhe ato të shteteve të vogla, prej prostitute. Ne nuk kemi pse të pranojmë këtë damkën e fundit, pasi jemi stërnipër të dalë nga tehu i shpatës së Gjergj Kastriotit dhe nipër të brumosur me dritën e flakës së penës të Naim Frashërit.
|