l
Faqe e Pare
Organizata

veterani arkiva
veterani Veterani

link Linke

 

FOKUS
SHQIPËRI-KOSOVË,
ORGANIZATAT E VETERANËVE T’I PARAPRIJNË BASHKIMIT

Nga Halil RAMA – Mjeshtër i Madh

  • Qëndrimi pothuajse në unison i dy kryeministrave të dy shteteve shqiptare, Shqipërisë dhe Kosovës, Edi Rama dhe Albin Kurti, duke dalë jashtë petkut diplomatik për dakortësinë e bashkimit Shqipëri-Kosovë, ka ngjallur optimizëm në hapësirën mbarëshqiptare në botë


Bashkimi kombëtar, kjo aspiratë shekullore e shqiptarëve, më në fund është vënë në start të mbarë. Qëndrimi pothuajse në unison i dy kryeministrave të dy shteteve shqiptare, Shqipërisë dhe Kosovës, Edi Rama dhe Albin Kurti, duke dalë jashtë petkut diplomatik për dakortësinë e bashkimit Shqipëri-Kosovë, ka ngjallur optimizëm në hapësirën mbarëshqiptare në botë.
Kështu nëse Rama, i “provokuar” nga gazetarët deklaroi pas mbledhjes së përbashkët të dy qeverive në Elbasan më 26 nëntor 2021, se momentalisht nuk e di kur do të mbahet referendumi për bashkimin kombëtar, por shprehu bindjen se një ditë do të bëhet dhe se në këtë referendum ai do të votojë pro bashkimit, për Albin Kurtin, “Kosova dhe Shqipëria janë dy vende ‘si një lis me dy degë dhe puna mes dy vendeve duhet bërë si patriotë e të flasim si diplomatë”.
Shpresëdhënës në këtë aspekt qe edhe miratimi i Marrëveshjes midis dy qeverive respektive për të lehtësuar lejet, për të jetuar në të dy anët e kufirit të shqiptarisë, duke bërë të mundur që çdo shtetas në dy vendet, mjafton të plotësojë një formular dhe të deklarojë një adresë të përshtatshme, dhe menjëherë pa asnjë procedurë shtesë ai merr lejen 5-vjeçare. Më pas menjëherë do i takojë leja e përhershme, si në Shqipëri dhe në Kosovë, pa pasur nevojë të bëjë aplikim tjetër.
Të parat që e kanë përshëndetur këtë qëndrim qenë organizata e Bashkuar e Veteranëve të Luftrave për liri e pavarësi të popullit shqiptar (OBVL) dhe Organizata e Veteranëve të LANÇ të Kosovës. Kjo edhe për faktin se ato prej dekadash kanë qenë promotore të bashkimit kombëtar.

Krerët e dy organizavate tona, fillimit Dr.Ymer Dishnica-Nderi i Kombit, Heronjtë e Popullit Rrahman Parllaku e Fadil Hoxha, dhe pasardhësit e tyre, respektivisht Myfit Guxholli e Sotir Budina, Vaide Hoxha, Vehap Shita e Zija Mulhaxha, të mbështetur dhe nga kryesitë e dy organizatave kanë mbajtur disa takime ku kanë konkluduar në domosdoshmërinë e bashkimit kombëtar.


Madje kjo tezë është diskutuar dhe ka gjetur mbështetje edhe në takimet e kryesive të dy organizatave me ish-kryetarët e parlamenteve të dy vendeve, Ilir Meta e Jakup  Krasniqi, në Tiranë dhe në Prishtinë, në kuadrin e 70-vjetorit të Konferencës historike të Bujanit.
Pas këtyre takimeve institucionale, në tryeza të veçanta, apo dhe dreka e darka pune, eksponentë të veçantë të dy organizatave janë dakortësuar për mbajtjen e një kuvendi të përbashkët që të legjitimojë bashkimin në një organizatë të vetme.


Në stadin aktual të zhvillimeve, pas deklarimeve publike të lidershipeve të dy qeverive, bashkimi i organizatave të veteranëve, dhe pse jo edhe i organizatave tjera partnere të të dyja shteteve, do t’i paraprinte bashkimit kombëtar. Parasëgjithash këtë e mundësojnë pikëpamjet programore si dhe takimet e përbashkëta pa asnjë ndasi në festat kombëtare e përkujtimore, si më 5 Maj, 17 shkurt, 28-29 Nëntor etj, data këto të skalitura në memorien tonë kombëtare, ku shprehet mirënjohja, respekti dhe vlerësimi për gjakun e derdhur e për kontributin e dhënë nga patriotët shqiptarë për pavarësinë e çlirimin e atdheut tonë të dashur. Ashtu siç qenë bashkë në Kuvendin e Lidhjes së Prizrenit dhe më 28 Nëntor 1912 në aktin historik të shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë, ashtu siç udhëhoqën e mirëkordinuan veprimet luftarake gjatë Luftës së Lavdishme Nacionalçlirimtare Rrahman Parllaku e Fadil Hoxha, në viset shqiptare dhe në Kosovë, edhe në kohët që jetojmë ky bashkim është më evident se kurrë.


Mjafton vullneti i mirë i dy kryesive, dhe pse jo edhe i Komitetit Kombëtar të LANÇ dhe ky bashkim është plotësisht i mundshëm në një kuvend të përbashkët kombëtar.
Bashkimi në opinionin e gjerë publik tashmë është arritur. Kosova është kryesisht shqiptare, dhe me Republikën e Shqipërisë aksionet e përbashkëta administrative në sektorë të tillë si arsimi, policia, koordinimi i politikës së jashtme, trashëgimia kulturore, si dhe bashkëpunimi në tregëti, dhe së fundi me heqjen e barrierave për lejet e qëndrimit 5-vjeçar të qytetarëve në Shqioëri dhe Kosovë, kanë ndikuar gjithashtu në masë të madhe bashkimin mes dy shteteve.
Lehtësimi i procedurës për marrjen e leje-qëndrimit, rregullimi i regjimit të trafikut lokal të kufirit, hapja e pikës së përbashkët të kalimit kufitar mes Kukësit dhe Dragashit, lehtësira në procedura doganore dhe kontroll të mallrave, kalendari i përbashkët kulturor vjetor mes Kosovës dhe Shqipërisë, njohja e diplomave, janë disa nga 13 marrëveshjet e nënshkruara ndërmjet Shqipërisë dhe Kosovës të premten më 26 nëntor, gjatë takimit të qeverive të të dy vendeve.

 

EDI RAMA: DO TË VOTOJ PRO, NËSE NJË DITË MBAHET REFERENDUM PËR BASHKIMIN KOMBËTAR

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, në konferencën e përbashkët me Kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, pas mbledhjes së dy qeverive respektive që u mbajt në Elbasan më 26 nëntor 2021, është pyetur rreth referendumit për bashkimin kombëtar. Ai ka thënë se do të votonte pro. 
Kryeministri i Shqipërisë ka deklaruar se momentalisht nuk e di kur do të mbahet referendumi për bashkimin kombëtar, por ka deklaruar se një ditë do të bëhet.
“…tani në rast së më pyesni a do ndodhi kjo apo jo, meqë ju provokoni do ju provokoj edhe unë, unë them që kjo do ndodhi. Nuk e di kur do ndodhi, si do ndodhi, sot, por që kjo do ndodhi një ditë, unë them që po. Tani atyre që mund ta marrin këtë dhe mund të dalin dhe të bërtasin për Shqipërinë e Madhe, unë them që fallxhoret nuk mund të gjykohen. Se është një fall, meqë po më pyesni të hedhim fall, dhe nëse unë do të hedhja fall, në këtë rast po e hedh me imagjinatë se unë nuk shoh filxhan, unë them që kjo do ndodhi, se kur do ndodhi, kur do ndodhi këtë nuk e di”, ka deklaruar Rama.
Pyetjen se si do të votonte nëse do të mbahej referendumi për bashkimin kombëtar, Rama e ka quajtur provokim, megjithatë është përgjigjur se do të votonte pro.

“Kjo është pyetje apo është “provokacja” sepse unë s’kuptoj. Në rast se më pyesni në hipotezën e një referendumi paqësor për bashkimin e Shqipërisë me Kosovën, unë do bëja një shkelje të Ligjit për fshehtësinë e votës, do votoja hapur “po””, ka deklaruar Rama.

 

ALBIN KURTI: KOSOVA DHE SHQIPËRIA , DY VENDE “SI NJË LIS ME DY DEGË”

Kryeministri Albin Kurti ka thënë që përkundër që sot po mbahet mbledhja e shtatë e dy qeverive të Kosovës dhe Shqipërisë në Elbasan, për të është hera e parë që po merr pjesë si kryeministër.
“Kjo është mbledhja e shtatë e përbashkët e dy qeverive, por është e para e imja që marr pjesë si kryeministër. Vitin e kaluar, isha kryeministër katër muaj tash janë bërë tetë muaj, pra jam duke përparuar dhe sa herë që vij në Shqipëri, jo veç si kryeministër kam një ndjesi  të veçantë e cila nuk përshkruhet lehtë e as nuk shpjegohet kollaj”.
Tutje Kurti tha që Kosova dhe Shqipëria janë dy vende “si një lis me dy degë dhe puna mes dy vendeve duhet bërë si patriotë e të flasim si diplomatë”.
“Të thuash se jemi një komb i ndarë do të ishte marrëzi. Të thuash se jemi të lumtur se i kemi dy shtete se kështu jemi më të lumtur të thuash se angazhohesh për bashkim kombëtar do të shquhesh si nacionalist ,e të thuash se bashkohemi në BE të thonë diplomatë. Pra, le të flasim si diplomatë, e të punojmë si patriotë”, tha Kurti.

 

Historike: “Hiqet” Kufiri Kosovë – Shqipëri: Do të ketë vetëm kamera

Në mbledhjen e përbashkët të dy qeverive, Shqipërisë dh Kosovës që u mbajt më 26 Nëntor 2021 në Elbasan, ministri i Brendshëm Bledi Çuçi shpjegoi tri marrëveshjet e arritura. Tri marrëveshjet synojnë lehtësimin e lëvizjes së qytetarëve në të dy anët e kufirit.
Dua ta filloj nga kjo e fundit që ka të bëjë me lejet e qëndrimit. Këtu kemi bërë një kapërcim shumë të rëndësishëm për të lehtësuar lejet, për të jetuar në të dy anët e kufirit të shqiptarisë. Duke bërë të mundur që çdo shtetas në dy vendet, mjafton të plotësojë një formular dhe të deklarojë një adresë të përshtatshme dhe menjëherë pa asnjë procedurë shtesë ai merr lejen 5-vjeçare dhe menjëherë do i takojë leja e përhershme, pa pasur nevojë të bëjë aplikim tjetër. Kjo leje unifikohet dhe është e njësuar me lejen e punës. Një kalvar që qytetarët e kanë hequr në kurriz deri më sot. Pa asnjë document, vetëm me këtë leje qëndrimi çdo shtetas ka të drejtë të punojë me të dy anët e kufirit. Besoj se ky është një lehtësim shumë i madh dhe do ta lehtësojë kapitalin njerëzor.
Marrëveshja e dytë ka të bëjë me hapjen apo kalimin në një status tjetër të kufirit midis Shishtavecit dhe Krushevës, duke bërë të mundur që këtë pikë të mos e  përdorin vetëm vendasit, por edhe të tjerë. Kjo krijon një arterie tjetër të lëvizjes. Besoj se përfitimi do të jetë i drejtpërdrejtë.
Marrëveshja e tretë, është marrëveshja që do të mundësojë lehtësinë apo lejet e posaçme që do të marrin banorët e zonave kufitare të dy vendeve për të lëvizur lirshëm jo vetëm në zonat kufitare. Të dy shtetasit e të dy anëve do të përfitojnë shërbime të njëjta në Kosovë dhe Shqipëri. Janë rreth 300 mijë banorë që do të përfitojnë. Mund të ndjekin lirisht shkollën në varësi të ndodhjes së institucioneve, mund të shkojnë të punojnë pa pasur .-theksoi ministri.

 






 



Kololel Sotir Budina Kryetari i OBVL-së


 

Arkiva e gazetes