l
Faqe e Pare
Organizata

veterani arkiva
veterani Veterani

link Linke

 

Është koha për reflektim dhe për të nderuar dëshmorët e atdheut, për të nderuar njëri tjetrin
OBVL, mbrojtëse dhe
promovuese e vlerave të lirisë

 

Nga Sakip CAMI

Që me themelimin para 27 vitesh, OBVL përcaktoi në programin e saj misionin historik si mbrojtëse dhe promovuese e vlerave të lirisë.
Në mbledhjen e saj të fundit, kryesia e kësaj organizate vendosi t’i propozojë Këshillit të Përgjithshëm Drejtues dhe Kuvendit Kombëtar të radhës zgjerimin e diapazonit programor, duke u fokusuar tek një gamë më e gjerë e zhvillimimeve historike, tek përpjekjet e luftrat shekullore të popullit shqiptar për liri, për krijimin dhe ruajtjen e identitetit tonë kombëtar.
Nëse gjatë çerekshekulli veprimtari intensive, OBVL luajti rol parësor në implementimin dhe zbatimin e ideve të themeluesve të saj, si: Dr.Ymer Dishnica-Nderi i Kombit, gjeneral Rrahman Parllaku – Hero i Popullit dhe Nderi i Kombit, Nexhip Vinçani-Nderi i Kombit (e të dhjetra bashkëthemeluesve, personalitete të shquara të LANÇ e ushtrisë shqiptare, si: Liri Belishova, Edip Ohri, Skënder Malindi, Myfit Guxholli, Sotir Budina, etj) për evidentimin, përkujtimin dhe promovimin e ngjarjeve, të heronjve e dëshmorëve të LANÇ, në rrugëtimin e saj të mëtejshëm kjo organizatë do ta shtrijë programin në thellësinë e historisë sonë kombëtare, deri tek qëndresa legjendare 25 – vjeçare e shqiptarëve nën udhëqjen e heroit tonë kombëtar Gjergj Kastriot Skëndebeu, tek Lidhja e Prizrenit e shpallja e pavarësisë më 28 nëntor 1912.


Është bërë traditë që çdo 5 maj, ne festojmë ditën e dëshmorëve të Luftës Antifashiste Nacional Çlirimtare të Shqipërisë, një ritual dhe një detyrim për të vënë një kurorë me lule në varrezat e dëshmorëve dhe pranë varrit të njeriut tonë të dashur dëshmor. Ata dhanë jetën në lulen e rinisë, ndërsa ne të paktën t’i nderojmë, të vendosim një tufë lule në varrin e tyre të pavdekshëm, tek lapidari, tek momumenti i ushtarit të panjohur, tek monumenti Nënë Shqipëri.
Në saj të gjakut dhe të luftës së këtyre djemve e vajzave që dhanë jetën gjatë Luftës së II Botërore kundër nazistëve dhe fashistëve, Shqipëria renditet sot në krahun e fitimtarëve, në krahun e anglo –amerikanëve. Por fatkeqësisht nuk kanë mbaruar përbaltjet ndaj dëshmorëve të LANÇ, në kundërshtim edhe me kodin e shqiptarit për të vdekurit dhe për të rënët. Dëmtohen lapidarët, dëmtohen varrezat, hidhet baltë mbi dëshmorët. Akoma vazhdon debati nëse janë 28000 dëshmorë apo më pak. Para pak kohësh familja e dëshmorit Riza Titini nga Dibra zbuloi në Gjermani, me ndihmën e emigrantëve që jetojnë atje, eshtrat e dëshmorit të rënë 75 vjet më parë në Kampin e Mat’hauzanit. 75 vjet pa varr ky dëshmor. Po sa ka të tillë ?
Përgjigje të plotë për numrin e dëshmorëve të LANÇ ka dhënë Dalan Buxheli me studimin e tij nga arkivat shqiptare dhe ato të huaja. Dëshmorë të shpallur nga Pushteti vendor në rrethe e bashki dhe nga Ministria e Mbrojtjes sipas dokumenteve ligjore janë 9470. Shtetas antifashistë shqiptarë të pushkatuar nga nazifashistët e bashkëpunëtorët janë 6436. Të asgjësuar në 23 kampet gjermane (pa varre) për të cilët paguan shpërblim shteti gjerman janë 11.200. Të asgjësuar në kampet në Greqi (pa varre) janë 50. Të asgjësuar në kampet në Itali (pa varre) janë 70. Të asgjësuar në kampin e Mathauzenit (pa varre) janë 351. Të asgjësuar në kampin e Aushvicit në Poloni (pa varre) janë 32. Të asgjësuar në kampin e Prishtinës (pa varre) janë 168. Të asgjësuar në kampin e Zemunit në Jugosllavi (pa varre) janë 162. Të asgjësuar në kampin e Bitolës në Maqedoni (pa varre) janë 144. Të asgjësuar në kampin e Strugës në Maqedoni (pa varre) janë 27.Numri i përgjithshëm i të rënëve direkt në luftë dhe i të vdekurve në kampet e shfarosjes të nazizmit është 28.110. Por kombi shqiptar nuk ka vetëm dëshmorët e Luftës së II Botërore, por edhe ato të Luftës së I Botërore, të Luftës së I dhe të II Ballkanike, të luftrave për pavarësi kombëtare, të luftrave të Skënderbeut dhe më herët. Është koha për reflektim dhe për të nderuar dëshmorët e atdheut, për të nderuar njëri tjetrin.
OBVL e ka zgjeruar veprimtarinë dhe optikën e saj për të nderuar e përkujtuar të gjitha vlerat e lirisë, të gjithë dëshmorët e Atdheut rënë në luftrat për liri dhe pavarësi.
Nuk ka komb tjetër si kombi shqiptar, ka thënë Presidenti amerikan Klinton, i veçantë në vlerat e tij për liri e pavarësi kombëtare. Ai kurrë nuk ka sulmuar një komb apo shtet tjetër, por vetëm ka mbrojtur lirinë dhe pavarësinë e vet. Të tjerët e kanë sulmuar, luftuar dhe pushtuar gjatë gjithë historisë së tij.


Pa të kaluar nuk ka të tashme dhe të ardhme. Le të promovojmë edhe heronj dhe dëshmorë të rinj që e meritojnë, por të mos heqim nga kujtesa ata që e kanë nënshkruar historinë e tyre me gjakun e tyre. Historia e tyre është e lidhur pazgjidhshmërisht me historinë e popullit tonë. Shesh Skënderbe ka në Tiranë, në Krujë, në Prishtinë, në Shkup, në Dibër, Peshkopi etj. Buste të heroit tonë kombëtar fatmirësisht ka edhe në kryeqytete të tjera të Europës. Po bëhen gati edhe shqiptarët e Australisë ta kenë bustin e heroit tonë kombëtar.
Jam ndjerë i kënaqur kur kam vizituar varrin e mbretit ilir, Genti në Umbria të Italisë, apo kur kam lexuar për Papa Albanin. Shqipëria, Arbëria, Iliria kanë historinë e tyre të lavdishme dhe të lashtë njëlloj si grekët, romakët, persët dhe kjo përbën krenarinë tonë të ligjshme.
Por çfarë ka ndodhur këto vitet e fundit dhe për këtë nuk fajësoj demokracinë, por njerëzit që e drejtojnë regjimin demokratik në Shqipëri. U është vënë kazma lapidarëve të heronjve dhe dëshmorëve, bile në ndonjë rast me vendime politike parlamenti, qeverie, bashkie, komune etj. Nuk ka më keq se kaq. Populli nuk e ka votuar qeverinë apo parlamentin e tij që t’i fshijë nga kujtesa heronjtë e tij, krenarinë e tij.
Parlamenti shqiptar në vend që të merret me minimumin jetik të popullsisë dhe luftën kundër varfërisë merret me çështjet që u takojnë historianëve, me datën e çlirimit nga okupatorët nazi-fashistë, 28 apo 29 nëntor 1944.
OBVL do të mbrojë vlerat e lirisë në çdo drejtim. Misioni i saj do të shtrihet edhe për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore e historike, edhe për mbrojtjen e lirive dhe të drejtave të njeriut, që për fat të keq shkelen çdo ditë. Ajo u bën thirrje politikanë dhe historianëve dhe të gjithë shoqërisë civile që të ngrihen në këmbë dhe të mbrojmë e të ruajmë vlerat e lirisë së kombit shqiptar. Të mos luajmë me lirinë dhe pavarësinë e këtij populli që ka derdhur aq shumë gjak për ta fituar atë.






 



Kololel Sotir Budina Kryetari i OBVL-së


 

Arkiva e gazetes