l
Faqe e Pare
Organizata

veterani arkiva
veterani Veterani

link Linke

 

78-Vjetori. Komandant i Brigadës u caktua Nexhip Vinçani dhe komisar Pëllumb Dishnica, dy nga kuadrot më me përvojë
Rruga luftarake e Brigadës së IV-t Sulmuese

Kolonel Sotir Budina*

Në fundin e vitit 1943 dhe fillimin e 1944-trës, kur lufta Nacionalçlirimtare kundra okupatorit fashist kishte marrë përpjestime të mëdha në të gjitha krahinat e vendit, për t’a goditur më me efektivitet armikun, lindi nevoja e krijimit të njësive të mëdha partizane. Kështu, me urdhër të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Nacionalçlirimtare, pas krijimit të Brigadës së I-rë S, më 28 Dhjetor 1943, në Voskopojën me tradita patriotoke e kulturore, u formua Brigada e IV-t Sulmuese, e cila gjatë luftës dha një kontribut të shquar për çlirimin e vendit.
Në këtë brigadë u inkuadruan partizanë dhe kuadro me shumë përvojë luftarake të fituara në luftimet me armikun, të batalioneve “Shqiponja”, “Gor-Opar”, “Tomori”, “Çlirimi”, “Fuat Babani”, “Hakmarrja”, si dhe u dërgua një numër i madh vullnetarësh dhe kuadrosh nga qyteti i Korçës.
Brigada u organizua me katër batalione dhe kishte një efektiv prej 600 partizanë, por shumë shpejt gjatë luftimeve me armikun, ajo u dyfishua me partizanë vullnetarë të krahinave të Shqipërisë së Mesme.


Me Urdhër të Shtabit të Përgjithshëm, komandant i Brigadës u caktua Nexhip Vinçani dhe komisar Pëllumb Dishnica, dy nga kuadrot më me përvojë luftarake, të sprovuar në luftimet kundra armikut në qarkun e Korçës, patriotë dhe revolucionarë të brumosur me ndjenja patriotike për çlirimin e vendit. Përveç këtyre në Shtabin e Brigadës dhe në komandat e batalioneve u caktuan dhe shumë kuadro të dalluar në aksione dhe luftime të çetave partizane të qarkut të Korçës, si Vaskë Gjino, Petrit Dume, Spiro Shalësi, Pano Xhamballa, Zija Kambo, Gafurr Çuçi, Xhafer Lubonja, Gaqo Peristeri, Vera Pojani, Eleni Pashko, Fatmir Glata, Raqi Qirinxhi, Milo Qirko, Sotir Filto, Halit Mati etj, të cilët me përvojën dhe aftësitë e tyre të fituara në luftimet me armikun, dhanë një kontribut të madh në të gjitha luftimet që bëri kjo brigadë, që nga krijimi e deri në çlirimine vendit.
Armiku ishte i alarmuar nga krijimi i Brigadës së IVt S në qarkun e Korçës dhe i tronditur nga aksionet e befasishme dhe të vazhdueshme të çetave dhe batalioneve partizane, të cilat me luftimet e tyre goditëse ishin bërë pengesë e madhe për lëvizjen e forcave gjermane nga Korça për në Greqi dhe në Jugosllavi.


Gjermanët, me qëllim për t’i shpartalluar ato, me forcat e divizionit 100 të tyre të dislokuar në qarkun e Korçës (me një efektiv prej 900 kuadro e ushtarë dhe 1000 ballistë) si dhe me shumë forca të tjera armike nga Berati dhe Elbasani, ndërmorën dy operacione të mëdha: atë të Dimrit 1943 dhe atë të Qershorit 1944. Por me gjithë dëmet e mëdha që shkaktoi armiku me këto operacione, në të gjitha krahinat e qarkut të Korçës, duge djegur dhe masakruar shumë fshatra, nuk ia arriti qëllimit për t’i shpartalluar forcat partizane. Në këtë situatë të vështirë, batalionet teritoriale dhe forcat e Brigadës së IV-t S, falë drejtimit të përsosur të komandantit të saj Nexhip Vinçani, heroizmit të partizanëve dhe mbështetjes totale të popullit të krahinës së Korçës, jo vetëm përballuan me sukses mësymjen e armikut dhe i shpëtuan rrethimit në këto dy operacione të mëdha, por e detyruan armikun të tërhiqet, duke pësuar humbje të mëdha në njerëz dhe teknikë luftarake.
Pas kësaj disfate që pësuan gjermanët në këto dy operacione, Brigada e IV-t S dhe batalionet teritoriale, me goditje dhe luftime të vazhdueshme ndaj armikut, çliroi të gjitha krahinat e pushtuara nga gjermanët në qarkun e Korçës, atë të GorOparit, Kolonjës, Mokrës, Pojanit, Devollit etj.
Pas luftimeve të suksesshme kundra pushtuesve gjermanë në Operacionet e Dimrit dhe Qershorit, Brigada e IV-t S, me urdhër të Shtabit të Përgjithshëm të UNÇl, në maji 1944 u inkuadrua në Divizionin e I-rë S dhe mori pjesë në operacionin mësymës për çlirimin e Shqipërisë së Mesme dhe asaj të Veriut.


Në këtë operacion repartet e Brigadës së IVt S, me luftime të shumta kundra okupatorit gjerman dhe forcave balliste, çliruan krahinat: Qarishtë, Zerqan, Mat, Fushë Alie dhe në bashkëveprim edhe me çetat teritoriale çliruan edhe qytetet e Dibrës dhe të Elbasanit.
Në këto luftime të suksesshme për çlirimin e krahinave të Shqipërisë së Mesme dhe të Veriut, repartet partizane të Brigadës së IV-t S patën një rritje të vazhdueshme, jo vetëm në përgatitjen luftarake, por në krahinat ku luftonin e dyfishuan efektivin e brigadës me partizanë vullnetarë të rinj, të cilët luftuan me vendosmëri dhe trimëri deri në çlirimin e plotë të vendit.
Pas luftimeve të shumta për çlirimin e Shqipërisë së Mesme dhe asaj të Veriut, Brigada e IV-t S, së bashku me brigadat e I-rë, VIII-të dhe XVII, më 29 Tetor 1944, me urdhër të Shtabit të Korp Armatës së parë që drejtonte operacionin për çlirimin e Tiranës, mori pjesë në këtë operacion të rëndësishëm, kundër forcave të shumta të përqëndruara gjermane e balliste, për rreth kryeqytetit, me detyrë për të mbrojtur Tiranën dhe për të siguruar tërheqjen e trupave gjermane nga Greqia për në Jugosllavi. Në këtë operacion vendimtar për çlirimin e Tiranës dhe të gjithë vendit tonë, Brigada e I-rë u caktua të sulmonte armikun në veri të kryeqytetit, kurse Brigada e IV-tu caktua të sulmonte në drejtimin kryesor më të fortifikuar të kryeqytetit, në rrugën Elbasan-Tiranë, në sektorin Pallati i ri Mbretëror - Kodra e Kopilit - Kisha e Shën Prokopit, kurse Brigada e VIII-të u caktua të sulmonte në drejtimin: Gazermat e Ali Rizajt, ndërsa Brigada e XVIItë u caktua të luftonte në Qafë Krrabë.
Repartet e Brigadës së IV-t S, gjatë 45 ditëve lufte të vazhdueshme me autokolonat gjermane në Qafë Krrabë dhe me forcat gjermane që mbronin kryeqytetin, të mbështetura fuqishëm nga aviacioni anglo-amerikan, i cili çdo ditë bombardonte armikun nga Qafë Krraba në Tiranë, jo vetëm bllokoi lëvizjen e autokollonave armike, por pas luftimeve të rrufeshme trup me trup, në Betejën historike të Mushqetasë, arriti të shpartallojë dhe asgjësojë totalisht forcat gjermane.
Në këtë betejë shumë të përgatitur dhe vendimtare për çlirimin e kryeqytetit, që e bëri Brigadën e IVt S të lavdishme, armiku pati 500 të vrarë, 600 të plagosur dhe 400 robër, midis të cilëve 30 oficerë.
Brigada e IV-të Sulmuese, në betejën për çlirimin e Tiranës i dha atdheut 98 dëshmorë.
Në të gjitha luftimet, nga krijimi deri në çlirimin e plotë të vendit, Brigada e IV-të Sulmuese, duke qenë një nga njësitë më të suksesshme të Ushtrisë partizane, i plotësoi me nder detyrat e vëna dhe i dha atdheut 274 dëshmorë, ndërmjet të cilëve nën komëndantin e Brigadës Pano Xhamballa, komandantin trim Xhafer Lubonja, partizanin Riza Taçi etj. Rruga luftarake e Brigadës së IVt Sulmuese, trimëria dhe heroizmi i luftëtarëve të saj në luftën për çlirimin e vendit, janë sot një burim i madh frymëzimi për gjithë popullin, dhe veçanërisht për rininë, në procesin e ndërtimit të demokracisë së vërtetë dhe mbrojtjen e atdheut.

*Kryetar i OBVL - Ish-kuadër i Brigadës së IV-t S





 



Kololel Sotir Budina Kryetari i OBVL-së


 

Arkiva e gazetes