l
Faqe e Pare
Organizata

veterani arkiva
veterani Veterani

link Linke

 

REAGIM
ZGJIMI I NEOFASHIZMIT NË BEOGRAD

 

Bashkim Hisari

Mu në qendër të Beogradit, tashmë disa muaj, në fasadën e një ndërtese, qëndron një mural me imazhin e kriminelit të luftës Ratko Mlladiç I cili, nga Gjykata e Hagës, më 8 qershor të 2021, u dënua me burgim të përjetshëm për krime lufte dhe gjenocid.
Më 9 nëntor 2021, në Ditën Ndërkombëtare kundër Fashizmit, një grup qytetarësh antifashistë, anëtarë të disa organizatave joqeveritare dhe aktivistë të të drejtave të njeriut, demostruan në mënyrë paqësore, hodhën vezë, ngjyrosën me ngjyrë dhe u përpoqën pa sukses t‘a shkatërrojnë muralin me imazhin e kriminelit të luftës Ratko Mladiç që ndodhej në fasadën e një shtëpie. Ratko Mlladiç, ishte komandant i ushtrisë serbe të Bosnjës. Në vitin 1991, shërbeu si ndihmës komandant i Korpusit të 52-të të Prishtinës në Kosovë. Nën komandën e tij, ushtarët dhe paramilitarët bashkë me policët serbë, kryen krime më të tmerrshme ndaj civilëve tëpafajshëm.
Antifashistët u penguan t‘a mbulojnë muralin që nderon kriminelin Mlladiç. Ata u sulmuan fizikisht kurse disa prej tyre, me dhunë u shoqëruan në polici. Me këtë rast, pushteti serb u tregua edhe një herë se është peng i së keqes ku kriminelët e luftës bëhen heronj dhe ku pa pengesë ringjallen veprimet neofashiste. Grupet ekstremiste të të rinjëve, të moshuarëve me kapela dhe maska, të mbështetur nga lidershipi politik dhe policë me uniformë dhe pa uniformë, nderuan kriminelin e luftës “Kasapin e Ballkanit”, gjeneralin famëkeq Ratko Mlladiç, duke mohuar gjenocidin dhe duke u ankuar se krimet dhe gjenocidi duhej të ishin edhe më të suksesshëm. Publikisht deklaruan se për ta, Ratko Mlladiç është “hero” serb dhe se nuk do të lejojnë askënd që të përdhos figurën e tij, veprat dhe heroizmin që ka bërë në vitet 1990 duke u sakrifikuar për popullin serb”.
Retorika ndezëse e këtyre prodhuesve të luftës, të helmuar nga ekskluziviteti, urrejtja dhe dhuna e pakontrolluar, ksenofobia e shovinizmi, të shoqëruara me fyerje dhe diskualifikim të qytetarëve që u reflektua në çdo hap, në rrugë, në rrjetet sociale, në media madje edhe në raporte private, na kujtuan kohërat më të errëta të krimeve të viteve 90 në Bosnjë e Hercegovinë dhe në Kosovë.
Më 11 korrik të vitit 1995, forcat serbe të Bosnjës, nën komandën e Ratko Mladiçit kanë hyrë në Srebrenicë, në zonën që ishte shpallur e sigurt nga Kombet e Bashkuara. Me atë rast ata kanë vrarë mbi 8.000 burra dhe djemë myslimanë. Gjykata e Hagës ka konstatuar se ish komandanti i forcave serbe Ratko Mladiç është përgjegjës për veprat më të rënda gjatë luftës në Bosnje-Hercegovinë. Masakra e Srebrenicës është cilësuar si më e rënda në Evropë që prej përfundimit të Luftës së Dytë Botërore. Atje janë bërë krime kundër njerëzisë dhe shfarosje masive të mylsimanëve, ndaj, ato, nga Gjykata Ndërkombëtare e Hagës janë njohur si gjenocid.
Gjatë luftës së Kosovës (1998-1999) janë vrarë dhe zhdukur më shumë se 13.500 persona prej tyre 239 fëmijë deri në pesë vjeç. Ndërsa katër persona të vrarë kanë qenë të moshës mbi 100 vjeç. Numri më i madh i të vrarëve kanë qenë civilë, të cilët nuk kanë pasur lidhje me kryengrijten e armatosur. Edhe sot, më shumë se 21 vjet nga përfundimi i luftës së Kosovës, rreth 1.600 persona konsiderohen si të pagjetur dhe për ta ende nuk dihet asgjë. Gjatë hulumtimeve për nevojat e Tribunalit të Hagës, janë indentifikuar 529 varreza masive, ku janë futur trupat e shqiptarëve të vrarë. Varreza më e madhe masive është zbuluar në Batajnicë të Beogradit ku në poligonin e njësive speciale të Serbisë, janë gjetur trupat e rreth 930 personave. Trupat e shqiptarëve të vrarë janë gjetur edhe në Peruçac, Petrovo Selo dhe Rudnici. Disa reagime më të reja nga nivelet më të larta shtetërore në Serbi vërtetojnë se ata vazhdojnë të përjashtojnë përgjegjësinë për krimet e luftës të kryera në Kosovë dhe Bosnje Hercegovinë.


Duke mohuar krimet e luftës dhe duke lavdëruar kriminelët e dënuar të luftës, presidenti aktual autokratik i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, thotë: “Shtëpia ime dhe çdo shtëpi e familjes së madhe të Vuçiqëve, gjithmonë do të jetë një shtëpi e sigurt për gjeneralin Mlladiç”.
Kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiq, një ditë pasi që deputeti i partisë në pushtet, i Partisë Progresiste Serbe (SNS), Vladimir Gjukanoviq, ia ka uruar “popullit serb, ditën e çlirimit të Srebrenicës”, refuzoi që ngjarjen në Srebrenicë ta quajë me emrin gjenocid, duke thënë se shërbehet me deklaratën e Kuvendit të Serbisë, në të cilën ajo fjalë nuk përmendet.
Zyrtar i lartë në hierarkinë e politikës serbe, ministri Aleksandar Vulin, nënshkroi një vendim për rehabilitimin e gjeneralëve dhe oficerëve të lartë të Ushtrisë Jugosllave që komanduan luftën në Kosovë në 1998 dhe 1999, përfshirë gjeneralin Vladimir Lazareviç i dënuar me 14 vjet burg për krime lufte në Kosovë, duke theksuar se vendimi ka të bëjë me njerëz të jashtëzakonshëm “që të gjithë do t’i dëshironin të kenë të tillë, gjykimet për krime lufte nuk janë minus, përgjegjësit për vrasje nuk janë kriminel lufte, por janë shembull”.
Ndërkaq, kryetari i radikalëve serbë, vojvoda i çetnikëve Vojislav Sheshel thotë: “Ratko Mlladiç është një hero i madh i popullit serb dhe ne jemi krenarë që portretin e tij e vizatojmë në murale”.
Mbrojtja e muralit me imazhin e kriminelit Mladiç dhe dekleratat e zyrtarëve politik serbë, edhe një herë, në mënyrë eklatante dëshmuan se ata nuk dëshirojnë të ballafaqohen me të kaluarën, nuk respektojnë drejtësinë dhe viktimat e luftërave.




 



Kololel Sotir Budina Kryetari i OBVL-së


 

Arkiva e gazetes