l
Faqe e Pare
Organizata

veterani arkiva
veterani Veterani

link Linke

 

LETRAT
PUSHKA GJERMANE E TIM’ ETI

 

Tregim nga Shefqet MEKO

Sapo kishim ngrënë darkë së bashku dhe ishim ulur në dhomën e ndenjies. Ndërsa po kërkoja një libër aty pranë, djali im i madh, pasi i kishte bërë komplimente të ëmës për darkën e shijshme, mu drejtua mua tërë seriozitet:
-Dua të blej një pushkë shqiptare!- më tha me një zë të çuditshëm.
Mua më ra libri nga dora dhe nuk dita si të përmblidhja veten. E dija se imbir i kishte qejf armët. Ai do ta mbante gjithmonë me vete një revole që unë e quaja “bereta e timbiri”. Ime shoqe e dinte këtë pasion të thekur të tij, dhe të dy sikur i ishim nënshtruar dëshirave të trashëgimtarit. E çfarë mund të bënim nëse ne do ishim kundra? Ai tashmë kishte mendjen e vet në çdo gjë, dhe ndërsa ne prisnim të na thoshte se: “Kjo është vajza që dua”, ai na hidhte një shashkë tjetër që as unë as ime shoqe nuk e kishim qejf. Duke shfletuar librin që më ra nga dora atë mbrëmje dhe ju drejtova:
-Boll ke revolet dhe automatikun, me ato je i mbrojtur, ç’të duhet pushka shqiptare.?
Prita me kureshtje reagimin e tij. E dija se kur ai vinte një synim, nuk kisha fuqi ta ndaloja. Kishte ardhur në Amerikë gati 10 vjeçar dhe i kishte kaluar të gjitha stadet e burrërimit në një shoqëri ndryshe. Shpesh kisha vënë re se përpjekjet e mia për t’i diktuar rrugën time të gjykimit të gjërave ishin të kota. Ai gjithmonë do bënte atë që kishte qejf, sado që unë të insitoja në timen apo vizionet prindërore. E bëra pyetjen dhe nuk dija se si do më përgjigjej. Prita në një heshtje të shkurtër reagimin e tij.
-Pushka shqiptare na mungon. A jemi shqiptarë ba!?...- më tha me një zë entuziast.
-Po, ja prita, Por këtë nuk e tregojmë me pushkë, por me sjellje dhe dinjitet njerëzor.
-Ç’janë këto që më thua? Pse ti mendon se jam i pasjellshëm po të kem qejf armët? Ti e di unë e kam këtë pasion. Kjo është Amerika, secili i armatosur dhe liria mbrohet me “grykën e pushkës”, siç ka thënë ai udhëheqsi jot- më tha duke qeshur.
Ai do më mundte gjithmonë në debatet tona. Ishte përherë kundër gjithshkaje që më pëlqente mua, madje edhe kur i lutesha të më dëgjonte, ai bëntë përherë të kundërtën dhe më thoshte “Yt bir nuk të dëgjon, ashtu si nuk dëgjojë ti babanë tënd…!” Ai ma tha përsëri këtë përgjigje të gatshme dhe pastaj vijoi:
-Unë dua të blej një pushkë që është bërë në Shqipëri ku kemi lindur.
-Ne bënim vetëm fishekë. Pushkët i kishim ose ruse ose kineze.- ja prita.
-E ke gabim ba, kam gjetur një pushkë kineze, por të montuar në Poliçan në Shqipëri. E shet dikush në Ibei (ebay). Do ta blej...Do jetë një diçka që do t’u ngelet brezave.
Ishte këmbëngulës. Ndërkojë, ndërsa më fliste për “pushkë shqiptare”, mendja befas më shkoi tek pushka e tim eti. Ai mbante përherë një pushkë gjermane, pa bajonetë, të gjatë si shtati i tij, me një qytë të ndritshme dhe tytë të errët. Ishte pushka gjermane me të cilën kishte luftuar pushtuesit nazifashistë dhe e përkëdhelte shpesh në netët me llampë vajguri. Nuk dija si t’ja shpjegoja timbiri këtë histori të gjatë të pushkës, por befas më shpërtheu një ide: Po sikur ta blinte imbir pushkën e babait tim? Ai ishte një qefli armësh, pse mos ta “atdhesonte” në familje pushkën e babait.
-Pse nuk e ble pushkën e babait tim?- e pyeta befas. Ajo do jetë vërtet historike për brezat.
Ai më pa tërë gëzim. Ashtu me atë shpërthimin e moshës. Mi hodhi sytë direkt dhe po aq i hazërxhevap më tha:

-Kjo është ide shumë e mirë. Të lutem gjeje se do ta blej me çdo çmim dhe do ta ruaj në arsenali tim si “Pushka e babait të babait”,
Imbir më shokoi me atë gatishmëri të rrufeshme.Mu duk sikur thashë një kotësi, por ai mendonte ndryshe. Ashtu siç vijnë bisedat në familje, kujtuam nënën e babain tim, shakatë që ata bënin me timbir, dashurinë e pamatë që rrëfenin në atë moshë të thyer, ndërsa i kisha marrë nga fshati në pallatin tim në cep të Tiranës.
Kurrë nuk kisha menduar se ai do më sfidonte në mes të Amerikës duke më thënë “Pushka e babait të babait”.U drodha i gjithi nga kujtimet e shkuara, jeta ime ndryshe, ëndrrat, befasite dhe emocionet me atë pushkë të gjatë gjermane. Më erdhi para syve im at’ me pushkën në prehër, duke e pasturar dhe vajisur, duke kënduar me zë të lehtë herë këngë partizane, herë këngë patriotike…
Pushka ishte shoku i tij i heshtur, përmes saj kujtonte luftën, betejat, partizanët e vrarë dhe ata që ende jetonin. Me të në krah ai shëtiste maleve rreth fshatit, duke ruajtur pyjet si një kurorë e bukur rreth fshatit dhe zonës. Ai ishte rojtar pyjesh ato kohë. Dita ditës do çohej herët, me pushkën në krah do ngjitej maleve. Shkonte në Kakaç, Vërçun, Leshnicë, Beragozhd dhe kthehej.
Pasoni i tij për pyjet ishte si kafshata e përditshme, ndërsa pushka në krah i jepte një lloj fuqie dhe pushteti të parrëfyer.
Një ditë, si fëmijë i paditur e pyetja babain pse shkon përditë maleve me pushkë në krah. Ai më pa me habi dhe duke më buzëqeshur m’u përgjigj: “Pylli ka gjithshka, pushkën e mbaj për kafshët e egrra, jo për njerëzit. Pastaj edhe e kam si shok që nuk më le të mërzitem. Do ta kuptosh kur të rritesh…”
Mua më pëlqenin librat, jo pushkët. Edhe im atë lexonte libra, por vetëm libra me fjalime politike që i konspektonte në një blloçkë të vogël.Pastaj në çdo 5 maj atë e ftonin të fliste në dy lapidaret e fshatit tim për luftën dhe dëshmorët e saj. Ai thoshte gati të njëjtat gjëra çdo vit, por ata që e dëgjonin gjithmonë ishin të tjerë vogëlushë dhe kjo përsëritje ishte thjesht detyra e tij patriotike që e bënte pa përtim.
Nuk harroj një mbrëmje kur trokiti dera.U trembëm, por duke ditur që babai kishte pushkë në shtëpi sikur u qetësuam. Derën e hapi ai vetë. Nuk hyri kush brenda. Një njeri sillte një mesazh për babain tim. Ai erdhi në dhomën e vogël ku mblidhej familja. Ishte i menduar. Nuk tha gjë. Heshti pak si për të folur me vetvete dhe i tha nënës: “Nesër do jem me shërbim gjithë natën”. Ai shkoi në Korçë... Unë nuk e kuptova dot atë fjalë. Pastaj ai shkoi tek sobalka ku ishte pushka. E mori mbi prehër, e zbërtheu dhe me një leckë i pastroi çdo pjesë. Unë ju afrova me kureshtje fëminore. E pyetja se sa gjermanë kishte vrarë ajo pushkë. Ai më qeshi, më ledhatoi dhe mu përgjigj: “Nuk di shqip të numurojë, ndaj nuk të them dot, por nuk ka vrarë asnjë shqiptar”.
E kisha kuptuar se kur shkonte me shërbim, do gdhinte natën në kodrën e fshatit ku kalonte rruga kombëtare. Ai bashkë me disa të armatosur të fshatit thirreshin përherë të bënin këtë detyrë. Ishte punë vullnetare. Kurrë nuk më tregonte se çfarë kishte parë ato netë të gjata si roje vigjilente. Kur disi isha rritur, ndërsa ai vijonte atë rutinën pastruese të pushkës, e pyeta: “Pse dilni me pushkë maleve o ba? Kë ruani kur shkoni me shërbim?...”. Ai do më shikonte me dashuri dhe duke më parë drejt më sy më tha: “Je i vogël t’i dish këto punë. Do rritesh dhe do mësosh”.
Nuk harroj kur një ditë babai më tha se do shkonim të bënim qitje me pushkë. U gëzova si fëmijë. Ai hodhi pushkën në krah dhe më mori për dore. U ngjitëm sipër fshatit ku ishte një rezervuar i madh. Pikërisht tek prita e tij, ai pasi vëzhgoi rreth e qark më tha se ishte vend i përshtatshëm. Vendosi një shami të bardhë mbi një drize rreth 100 metra tutje.
Pastaj erdhi tek unë. Improvizoi një pozicion, më mësoi si të merrja shenjë, si ta shtrëngoja fort qytën pas supit dhe të ndalja frymën pastaj të tërhiqja këmbzën. Mezi merrja frymë nga frika. Kurrë nuk kisha tërhequr këmbëz pushke të vërtetë. Gjithmonë me shokët luanim me pushka druri dhe llastiqe.Vetja më dukej i burrëruar, që babai më së fundi po më besonte diçka të rëndësishme, pushkën e vet. Ashtu morëm pozicion të dy. Ai në krahun tim të djathtë lëvizi llozin, i futi fishekun në fole, e shtyu fort dhe më tha: “Gati, është fishek që vret...Kujdes.
Qëllo në shenjë…” Shamia e bardhë varur në një degë dushku mu duk si një copë re e zbritur nga qielli. U mundova ta shtrëngoja fort qytën pas vetes, mbështeta faqen mbi pjesën e drunjtë, rrafshova shënjestrën, siç më mësoi babai, ndala pak frymën dhe ngadalë po tërhiqja këmbëzën. Ishin momente lufte brënda meje. Më dukej sikur do vrisja gjermanë dhe ata po më valvisnin flamurin e paqes. Një puhizë e lehtë fryu aty pranë dhe ca dallgë të lehta u krijuan në rezervuar.
Ishte koha për krismën e parë. “Zjarr!”, dëgjova zërin e babait. U tremba.Pushka më lëvizi disi dhe unë tërhoqa këmbëzën. Një shpërthim i vërtetë mu duk krisma e parë që kontrollonte gishti im i njomë. Ndërsa plumbi fluturoi tutje si rrufe, qyta më goditi fort. Thashë se më shpëtoi nga dora pushka e gjatë. Por qëndrova. Ca zogj fluturuan të trembur dhe mu duk sikur isha bërë tmerri i tyre. “Të lumtë!”, më tha babai. Nuk i tregova se pushka ishte hakmarrur duke më shtytur si për të provuar forcën time. Por ai e kuptoi.
Ma ledhatoi supin dhe më këshilloi sërish ta shtrëgoja fort. Shkuam me vrap të kontrollonim shenjën. Nuk kisha qëlluar. Ai më bëri të shtija edhe dy herë të tjera, por plumbat iknin kuturu. Më erdhi turp nga babai. Nuk dija të qëlloja në shenjë. Ai më përkëdheli pastaj ma mori pushkën dhe qëlloi vetë. Shamia e bardhë sikur u tund. “Do rritesh dhe do qëllosh në shenjë” më tha dhe prej asaj dite nuk bëmë më stërvitje me pushkë. Nëna ime u bë shumë nervoze kur mësoi se kishim qëlluar me pushkë. Filloi t’i bërtiste babait.I tha se nuk deshte që djali të bridhte me pushkë, por të mësonte që të ikte nga fshati. “Na ndriti pushka jote, dëgjova t’i thoshte. Në fshat na le...Me grushta i hëngre plumbat dhe prap këtu të sollën...Lere djalin rëhat”. Pas lufte ata kishin qënë në disa qytete të vendit, por një ditë baba dhe nëna kishin përfunduar në fshat. Babai kurrë nuk deshte të diskutonte këtë temë. “Heshtë, do t’i thoshte nënës. Ku di ti nga politika!...Mos fol”.
Pastaj ai sërish e gjente qetësinë tek pushka, fillonte e zbërthente, e pastronte dhe e varte tek vendi. Unë kurrë nuk guxova ta prekja pushkën i vetëm. Kisha frikë se do më vriste…
Vitet kaluan dhe unë u rrita. Kurrë nuk pata mall për pushkën e babait. Ai kishte ikur, edhe nëna. Unë isha dedgisur tutje Atlantikut, pa e sjellë kurrë në mëndje pushkë e babait. Më dukej thjesht relike e shekullit të shkuar, që kurrë nuk më kishte ngjallur nostalgji. Kur im atë erdhi të jetonte me ne në Tiranë, e di që ja kishte pasuar pushkën një kushëriri. Kaq dija. Asgjë më tepër. Pushka në ato kohë ishte pronë e shtetit dhe as që më shkonte në mendje se mund të isha pronar i saj, siç shoh për çdo gjë pronësi në Amerikë.
Imbir më ktheu në kujtime të së shkuarës. Më çoi në fundin e shekullit të kaluar. Befas sikur mu zgjua një etje të mësoja se ku ishte pushka gjermane e babait tim. Bëra ca telefonata. Motra ime e madhe nuk dinte gjë. Imvëlla nga Italia do më thoshte se e kishte marrë një kushërirë, që ishte komuniste dhe ishte e besuar. Pas përmbysjes nuk kishte asnjë informacion se ku kishte përfunduar pushka e tim eti. Sfida e timbiri më ngacmoi fort.
Do desha ta gjeja atë pushkë të gjatë dhe të paguaja çdo çmim, vetëm e vetëm ta shihja në duart e timbiri, që armët i shihte si fuqi dhe siguri e lirisë amerikane. Edhe pse nuk pajtohesha me të, dëshira për ta gjetur pushkën ishte e tejskajshme. Desha të triumfoja mbi timbir, duke thënë së nuk ruaja vetëm fotografitë, kujtimet e inçizuara dhe shënimet e tim eti, por mund ta gjeja edhe pushkën e tij. Ca kushërnj në Greqi më thanë se së fundmi pushka kishte qënë në duart e Fanit të Xhevatit, i cili sapo kishte vdekur nga Covid 19. E telefonova të shoqen dhe pasi e ngushëllova e pyeta se ku ishte pushka. Ajo e çoroditur nga pyetja mu përgjigj mes lotësh: “E ku di unë pushkën!...Mua më iku burri, ti pyet për pushkë…”. E kisha shkelur. Isha bërë i marrë si gjysma e popullit amerikan për armët e zjarrit. Mbylla telefonin i pikëlluar, jo aq nga vdekja e kushëririt tim që kishim kaluar fëmijërinë bashkë, se sa nga mosgjetja e një adrese për pushkën e babait tim. Kurrë nuk e kisha menduar se imbir do më vinte përballë një sfide të tillë.
Disa herë që ai hëngri darkë me ne, u përpoq të mos e hapja këtë debat armësh. Ai do më fliste për ca investime që mendote të bënte në Florida, për një udhëtim që do bënte në Shqipëri për të parë ndonjë mundësi biznesi dhe së fundmi më tha së sapo kishte blerë një maqinë garash që mund të arrinte shpejtësi plumbi. Nuk tha gjë për pushkën, mbase për të mos më lënduar. Kjo më bëri edhe më nervoz. Ndihesha i dështuar përballë pjellës sime. Asnjë informacion të saktë se ku ndodhej pushka e babait…
Të nesërmen vendosa të shkoja të çoja një tufë lule tek varrezat e heronjve amerikanë.Tek ata që kishin luftuar kundër gjermanëve me të cilit im at’ ishte aleat dhe së bashku fitimtarë. Pranë vendbanimit tim, ndodhet një vendprehje gjigande ku ata janë të rreshuar, si dikur në batalonet e tyre. Ndjeva një nevojë për të nderuar tim at’, sepse edhe ai ishte rreshtuar kundër të njëjtit armik. Simeshoqe kjo ju duk një ide e çmendur, por unë heshta.
Nuk besoj se ndonjë nga ushtarët amerikanë do kishte përdorur ndonjë pushkë gjermane, por thjesht duke qënë pranë tyre, më duket sikur isha pranë babait tim dhe pushkës që nuk e gjeta dot. Heshtja e tim biri sikur më akuzonte për një lloj mëkati, që unë nuk e dija se e kisha kryer. Ashtu i zhytur në mendime, drejtova makinën deri tek varrezat ku flamujtë amerikanë janë bashkëshoqërues të heshtjes pa limit. Ndërsa po merrja kthesën djathtas, befas diçka e rëndë sikur ra nga qielli dhe mu duk sikur më fundosi bashkë me makinën time.
Momentalisht solla në mendje të gjitha motivet e atij udhëtimi bashkë me heshtjen e timbiri. Ishte si një zgjim nga qielli. Frenova frikshëm dhe vërejta se pasqyra në krah ishte zhdukur. Hodha sytë tek tufa e luleve në sediljen e pasagjerit që sikur u drodh nën atë zhurmë të frikshme. Ktheva kokën djathtas dhe vërejta se makina tjetër pësoi krisje të plotë të xhamit ballor. Krejt trafiku ndaloi në atë sulm nga qielli. Qytetari tjetër kishte dalë nga makina dhe po më tregonte një copë metali që gati i kishte marrë jetën. “Shpëtuam kot zotëri”, më tha duke më treguar një copë metali në ngjyrë të errët. Askush nuk kishte shpjegim nëse ishte diçka nga disqet rrotullues të UFO-ve, apo një rënie e rëndomtë nga avionet që uleshin e ngriheshin në aeroportin pranë. Dola nga makina i bërë dyllë në fytyrë dhe i kërkova tjetrit të ma jepte mua atë copë të vogël metali. Ai hezitoi në fillim, por ndërsa vërejti mjerimin tim gati ma dha, por ndryshoi mendje.
“Duhet tja dokumentoj kompanisë së sigurimit”, më tha dhe pasi bëri disa foto ma lëshoi në duar atë copë të çuditshme metali, që më kujtoi skorjet e kombinatit metarlugjik në Elbasan. Ishte sa një grusht. E shtrëngova fort dhe u futa në makinë.
Nuk më interesonte pasqyra e thyer, por vetëm ajo copë metal. Ashtu i tronditur hodha sytë tek tufa e luleve të freskëta, që sikur prisnin të dërgoheshin në destinacion.
Ndeza sërish makinën ndërkohë celulari rrëfente se një mesazh sapo kishe mbërritur. E hapa shpejt e shpejt. Kushëriri im nga Greqia më njoftontë: “Pushka e xhaxhait është dhënë për skrap...Më vjen keq”...
U drodha. Mbase copa e metalit që gati më mori jetën, kishte disa molekula të shkrira nga ai metal. Ishte një rastësi apo dënim i merituar? Bashkova tufën e luleve me metalin dhe u nisa drejt varrezave të dëshmorëve amerikanë, ku një ushtri valvitëse flamujsh sikur më uronte mirseardhjen mirënjohëse. Më dridheshin duart dhe shpirit për pushkën e humbur të tim eti.

Minneapolis, Shtator 2021


 



Kololel Sotir Budina Kryetari i OBVL-së


 

Arkiva e gazetes