l
Faqe e Pare
Organizata

veterani arkiva
veterani Veterani

link Linke

 

Për shkrimtarin, mik me figura të njohura të letrave si Kadare, Agolli, Faik Ballanca..., etj
SHPENDI TOPOLLAJI ,
shkrimtari me kulturë enciklopedike

 

Nga Fatmir MINGULI

Shkrimtari i mirënjohur Shpendi Topollaj është i çuditshëm për shumë arsye, që do të përpiqem t`i rendis më poshtë. Me babanë nga Kolonja, dhe nënën nga Vlora, ai është lindur në Berat më 14 shkurt të vitit 1947. Fëmijërinë e ka kaluar në Shkodër, adoleshencën në Tiranë, ku kreu dhe shkollën unike “Misto Mame”, të mesmen në shkollën ushtarake “Skënderbej”, dhe të Lartën në shkollën e Bashkuar, prej nga doli oficer në 28 dhjetor të vitit 1966. U emërua në repartet ushtarake të Durrësit, ku kreu detyra të ndryshme si instruktor stërvije me universitarët, ku zuri miqësi me figura të njohura të letrave si Faik Ballanca, Viktor Qurku, Thoma Qëndro, Ramazan Hushi, Fisnik Sina, Luan Malltezi, Skënder Nenaj e plot të tjerë, e më pas shef i stërvitjes së Brigadës së Durrësit, komandant i batalionit të këmbësorisë në Shënavlash, ku shkëlqeu si kuadër me shumë perspektivë. Në këtë kohë përfundon edhe studimet në Universitetin Shtetëror të Tiranës, në fakultetin e shkencave politike - juridike, ku titullohet jurist. Ishte koha kur çmenduria apo ligësia e Udhëheqësit suprem, e pangopur me goditjet e pamëshirshme në fushën e kulturës, artit, ekonomisë etj. shpiku fshesën e hekurt për ushtrinë. U shkuan në plumb, u burgosën dhe u internuan familjarisht, disa nga drejtuesit kryesorë të saj, Heronj të Popullit.
Nuk mbeti pa u dënuar edhe babai i Shpendit, Hulësiu, partizan i orëve të para, oficer dhe jurist, me akuzën absurde se para dhjetë vjetësh kishte shkruar librin “Partizanët e Gramozit”, ku përmendte Petrit Dumen që kishte qenë komandant i batalionit “Hakmarrja”. Duke u ndierë i turpëruar pa të drejtë, ai nuk i përballoi masat e marra ndaj tij dhe pësoi një goditje të fortë cerebrale e cila i mori jetën në moshën 58 vjeçare.


Pasojat vijuan te nëna e tij, një nga antifashistet e hershme të Vlorës, te vëllai Spartaku të cilin e arrestuan dhe më pas e transferuan në një zonë të largët të Dibrës, si dhe te motra e tij maturante që e përjashtuan nga shkolla. Radhën e kishte Shpendi, të cilin si oficer nuk kishin ku ta kapnin, por që e gjetën një “casus belli”, pasi kishte lexuar librin me kritka letrare të profesor Rexhep Qoses “Continuitete”, ku fjala esse u interpretua jo si essai nga frëngjishtja që donte të thosh sprovë, por se lidhej sipas tyre me essesët e Hitlerit. Për agjitacion e propagandë i dhanë disa masa shumë të rënda, por të paktën mbeti oficer, falë ndodhjes në orë të mira të ish kryeministrit të kohës, kështu që për 20 vjet e degdisën në një detyrë të ulët me ushtarë, andej nga Kalaja e Turrës. Nuk u thye, sepse ushtrinë e donte me gjithë shpirt. Punonte pa u ankuar, kudo jepte shembullin personal, zhvillonte me inisiativën e tij mësime treguese pa fund, ku merrnin eksperiencë nga e gjithë ushtria. Reparti i tij përherë shpallej shembullor dhe atë e donin dhe e respektonin si ushtarët ashtu edhe fshatarët rreth e rrotull. Asnjëherë nuk harronte rëndësinë e veprimtarive kulturore, ndaj organizonte lloj - lloj promovime librash apo takime me shkrimtarë e njerëz të shquar të artit. Vetëm miku ynë i përbashkët Moikom Zeqo, kushedi sa herë ka shkuar për këto veprimtari në repartin e tij. Ish ushtari, sot shkrimtari me emër, Luan Laze, edhe pas afro 40 vjetësh, thotë se do donte të mos lirohej nga ushria, vetëm e vetëm të rrinte sa më shumë me një njeri të rrallë si komandant Shpendi, i cili ndikoi që ai të formohej si shkrimtar. Vetë Shpendin nuk do ta shihje asnjëherë pa libra e revista ndër duar.
Kam folur për të në një tregim timin “Shqetësimet e kapitenit Sh.”, ku e krahasoj me Lermontovin në Kaukaz. Po ky Lermontovi ynë, sa herë ndodhte të dilte shëtitje me gruan e tij, binte menjëherë në sy, pasi vështirë të gjeje një tjetër që ta mbante uniformën si ai; shkëlqente i tëri, i pastër, i llustruar dhe i hekurosur, dhe që në të parë mund të kuptoje dashurinë e tij për profesionin që kishte zgjedhur.
Mik i shkrimtarëve dhe artistëve të Durrësit, unë aso kohe takohesha rrallë me të, te ndonjë studio piktori, por më bënte përshtypje mendimi i tyre për të. Ata të gjithë habiteshin me kulturën e tij enciklopedike. Ai bisedonte me kompetencë për letërsinë, pikturën, skulpturën, kinematografinë, operat e deri sportin, ku kishte qenë disa vjet me ekipin e mundjes së “Partizanit”. E kisha dëgjuar të deklamonte pa u lodhur poezi nga më të bukurat të autorëve tanë dhe atyre botërorë. E dija që së bashku me të vëllanë kishin miqësi me Kadarenë e madh dhe se ai i vlerësonte shumë. Por sigurimi i shtetit që nuk i besonte as lëkurës së tij, nuk iu nda për asnjë çast; e mbanin nën vëzhgim me “Dosjen 2A”, i kontrollonin shtëpinë dhe e ndiqnin nga pas me ushtarë, të cilët duke ia ditur vlerat komandantit të tyre, i tregonin për detyrën që u kishin vënë.
Nuk kishe ç`prisje nga muratorët e artizanët analfabetë që K.Q. ia kishte bërë peshqesh ushtrisë, duke i caktuar si komisarë apo sekretarë komitetesh partie. Ata në përgjithësi e urrenin këtë oficer, i cili kritikonte hapur dhe me kulturën e tij i errësonte më keq se ç`ishin, si dhe nuk ia falnin atë guximin që nëpër analizat që zhvilloheshin në sallën e madhe të Konvaleshencës, kishte deklaruar se komisarët gënjejnë. Kur në vendin tonë, si në tërë Evropën Lindore, sistemit të kalbur komunist i ranë patkonjt, Shpendi qe në ballë të protestave, deri tek ajo greva e studentëve dhe rrëzimi i monumentit të qoftëlargut më 20 shkurt 1991.


Vendosja e demokracisë, i dha gradën nënkolonel dhe e emëroi Shef të MCR - së së Rrethit të Durrësit. Nisi të shkruajë artikuj në mbrojtje të demokracisë dhe të bëhet promotori i dhjetra e dhjetra veprimtarive në Pallatin e Kulturës “Aleksandër Moisiu”, kushtuar figurave të shquara dhe ngjarjeve historike. Me interesimin e zotit Franko Bruno, President i CICAL, i botohet në Itali në dy gjuhë libri me poezi “Lirikat e Zemrës” (përkthyer nga Met Gjergji). Po atje u botua “Gjithë dashuritë e mia” (poezi), dhe pastaj ai me tregime “Rrëfimi i Kapitenit”, i cili paralajmëronte se po vinte në skenën e letrave tona një penë e fuqishme, çka u vërtetua përfundimisht me romanin “Lotët e Zambakut”, dhe ai me kritika letrare “Flakët e Fjalës” për të cilat veç të tjerëve shkroi me entuziazëm profesor Gjergj Zheji, gazetari Kostaq Xoxa, shkrimtari Hasan Ulqini e shumë të tjerë. Por çuditë Shpendin e ndoqën edhe në demokraci; miku i tij, tani ministër i Mbrojtjes, nisi sherret me të, pasi ai nuk pranonte të firmoste për zhvatjen që donte të bënte baxhanaku i tij.
U largua me kërkesën e vet nga ushtria, dhe mori detyrën e shefit të Mbrojtjes Shoqërore po në Këshillin e Rrethit, dhe pas suprimimit, punoi në Gjykatë dhe Përmbarimin gjyqësor, gjersa doli në pension në vitin 2012.


E kishte nisur jetën me një dhomë e kuzhinë prej 50 m2 në të cilën rriti dy vajzat e tij dhe atje banon edhe sot e kësaj dite. Shkruan, boton dhe dhuron libra, të cilët nuk i gjen nëpër librari.
Respektohet nga i madh e i vogël dhe ka pafund miq, njerëz nga më të nderuarit e vendit. Asnjëherë nuk e sheh pa libra në duar apo pa shokë rreth e qark. Nuk kam parë dikë tjetër që t`i ngjajë atij në përpilimin e reçensave dhe promovimin e librave të autorëve të njohur e të panjohur nga Shqipëria, Kosova e Maqedonia e Veriut, apo botime kritikash letrare në shtypin e ditës.
Nga puna ku jam, pra në një shtëpi botuese, më takon të njoh shumë libra dhe autorë të ndryshëm dhe sa herë i lutem Shpendit që të përgatisë ndonjë artikull rreth tyre, gjithmonë tregohet i gatshëm; nuk kalojnë as dy - tre ditë dhe ai e sjell të përfunduar materialin.
Anëtar i Kryesisë së LSHA , kryetar i saj për degën e Durrësit, Ambasador për Paqen, nënkryetar i Paqes Universale Durrës, nënkryetar i Shoqatës Kombëtare “Skënderbegasi”, kryetar për degën e Durrësit, anëtar i Këshillit Kombëtar të OBVL - së, nënkryetar për degën e Durrësit, nënkryetar i Shoqatës Kolonja, kryetar i Bordit Drejtues të Teatrit etj. atë me të drejtë e kanë quajtur një institucion më vete.
Duhet kujtuar se ai angazhohet pa asnjë interes në redaktime, korrektime dhe shkruarje parathëniesh të një morie librash, deri edhe për shkencën e mekatronikës.

Ja, ky është shkrimtari i çuditshëm Shpendi Topollaji,





 



Kololel Sotir Budina Kryetari i OBVL-së


 

Arkiva e gazetes