l
Faqe e Pare
Organizata

veterani arkiva
veterani Veterani

link Linke

 

Xhelua ka një kontribut shumëvjeçar në interes e dobi të familjes, shoqërisë, vendlindjes dhe me gjerë
Rrugëtimi në jetë i veteranit 94 vjeçar Xhelo Dautaj

 

Nga Besnik GJONBRATAJ

Para disa ditësh është ndarë nga jeta në moshën 94 veterani Xhelo Dautaj ( Miftari) i njohur në rretin e Matit ku punoi e jetoi familjarisht më shumë se 30 vjet. Së bashku me bashkëshorten Nika Dautaj (Tresta) kanë dhënë një ndihmesë në zhvillimin dhe përparimin e asaj zone, brenda kohës që jetuam.
Xhelo Miftar Dautaj lindi më 2 janar 1927 në Kallarat të rrethit të Vlorës nga prindërit Miftar e Selime, të cilët të dy rridhnin nga familje me ndjenja të theksuara atdhetare e liridashëse.
Xhelua ka një kontribut shumëvjeçar në interes e dobi të familjes, shoqërisë, vendlindjes dhe me gjerë. Aktiviteti i tij fillon që pionier në Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare, fillimisht si pjesëmarrës në Çetën Territoriale “Mumin Selami” e pastaj pjesëtar i Brigadës së Tetë Sulmuese.
Me çlirimin e vendit kontributi i tij nisë me punë rinie e partie për rindërtimin e vendit, duke filluar në Kurvelesh, Tepelenë, Gjirokastër, Tiranë, e sidomos kontributi i tij mëse 30 vjeçar së bashku me bashkëshorten Nika Treskën, në rrethin e Matit.
Xhelua edhe pse punoi në rrethe të ndryshme të vendit kishte dhe shprehte një dashuri të madhe për vendlindjen, Kallaratin.
Xhelua ishte një njeri gojëëmbël, i dashur, i kulturuar, njeri me virtutet e cilësitë më të mira, i cili kudo ku punoi e jetoi, familjarisht, justifikoi origjinën e tij të labërisë. Njeri që së bashku me bashkëshorten Nikën do të mbahen mend nga njerëz të ndryshëm që i njohën në jug e veri për sinqeritetin, besnikërinë dhe përkushtimin ndaj njerëzve të thjeshtë dhe shoqërisë në përgjithësi.
Pas daljes në pension Xhelua u kthye me banim në Vlorë dhe vitet e fundit të jetës i kaloi pranë vajzës së.madhe Arianës në Fier.
Ai ka dhënë një kontribut të vyer në Organizatën e Veteranëve të LANÇ-it, shoqatën “Labëria” e shoqatën tonë “Kallarati”, me botime në organe të ndryshme.
Për kontributin e tij në punë e shoqëri Xhelua është vlerësuar me një sërë dekoratash e medaljesh të luftës e të punës.

Jetëshkrimi

Xhelo Miftar Dautaj lindi më 2 janar 1927 në Kallarat të rrethit të Vlorës nga prindërit Miftar e Selime, të cilët të dy rridhnin nga familje me ndjenja të theksuara atdhetare e liridashëse. Gjyshi i tij, Daut Abazi dhe djali i tij i madh, Bilbili, patën luftuar me armë në dorë më 1914 kundër andartëve grekë që dogjën fshatin e Kallaratit. Po kështu edhe dy djemtë e tjerë Miftari e Shabani morën pjesë në Luftën e Vlorës më 1920 në përbërje të çetës së Kallaratit.
Kjo familje, ashtu si i gjithë fshati i Kallaratit dhe zona e Labërisë u lidh që në fillim me lëvizjen Nacionalçlirimtare. Vetë Xhelo, më 5 shkurt 1943 u pranua në radhët e Rinisë Antifashiste dhe u fut menjëherë në përbërje të çetës territoriale “Mumin Selami”. Shtëpia e tij në atë kohë ishte bazë lufte. Më 20 korrik 1943 mori pjesë në Kuvendin e Kallaratit, ku burrat e fshatit u betuan “Luftë të paprerë kundër fashizmit deri çlirimin e plotë të vendit”.
Më vonë bashkë me shumë bashkëfshatarë u rreshtua partizanë në Brigadën e Tetë Sulmuese, që u formua në Sheper të Zagorisë më 25 prill 1944. Në këtë brigadë mori pjesë në të gjitha luftimet që ajo zhvilloi kundër forcave gjermane e atyre balliste si në Sopik të Pogonit, gjatë gjithë operacionit armik të qershorit 1944, në sulmim për çlirimin e Gjirokastrës më 28 korrik 1944, në sulmin për çlirimin e Konispolit më 24 gusht 1944, në Urën Vajgurore, Kuçovë në Qafën e Sqepurit, në luftën për çlirimin e Tiranës më 17 nëntor 1944 etj. Gjithashtu ka marrë pjesë edhe në luftimet në ish - Jugosllavi, ku brigada e tetë mori pjesë në përbërje të divizionit të gjashtë në ndjekje të armikut edhe matanë kufijve tanë, por që jetonin shqiptarë. Atje gjatë luftimeve në Tuz së bashku me disa shokë u sëmur rëndë me ftohje dhe e sollën në spitalin e Shkodrës. Pas daljes nga spitali donte që t’i bashkohej përsëri brigadës, por ajo ishte larguar shumë, rrugët ishin të zëna me dëborë, gjuhën nuk e dinte, ushqim e veshmbathje nuk kishin, kështu që vendosi të mos shkonte dhe më pas i shpërndanë në reparte të ndryshme. Xhelon e caktuan në kompaninë e shtabit të korpusit të tretë.
Aty gjeti dhe u njoh me shumë shokë nga Lumi i Vlorës dhe krahina e Labërisë.
Pasi lufta kishte përfunduar, më 8 shkurt 1945, u lirua nga ushtria dhe në mëngjesin e datës 10 shkurt 1945 arriti në vendlindje në Kallarat, pranë nënës dhe njerëzve të tij të dashur për të cilët malli e kishte marrë aq shumë.


Më pas kreu detyrën e sekretarit të rinisë së nënprefekturës Kurvelesh ku punoi 8 muaj pa u lodhur vullnetarisht dhe në kushte të vështira. Puna me organizatën e rinisë shkëlqeu.
Në muajin nëntor të vitit 1945 transferohet në Tepelenë në detyrën e sekretarit organizativ të komitetit të rinisë, ndërsa në mars 1947 në Gjirokastër në detyrën e instruktorit të komitetit të rinisë të qarkut. Në qershor 1947 kthehet përsëri në Tepelenë tashmë në detyrën e sekretarit të parë të rinisë së rrethit, ku punoi 7 vjet. Këto ishin vite të bukura e të zjarrta, ku rinia merrte pjesë në shumë aksione për rindërtimin e vendit të shkatërruar nga lufta, në ndërtimin e hekurudhave e rrugëve anembanë Shqipërisë.
Në vitin 1951-1952 vazhdoi studimet në shkollën njëvjeçare të partisë në Tiranë. Aty u njoh me Nika Treskën, një vajzë me origjinë nga Korça e banim në Tiranë, me të cilën u martua dhe krijuan një familje solide.
Me mbarimin e shkollës, Nikën e emëruan instruktore në Komitetin Qendror të Partisë, ndërsa Xhelon përsëri në Tepelenë, sekretari i parë i komitetit të rinisë në detyrën e mëparshme. Në kohën që ishim të fejuar dhe mendonim si të krijonim familjen e re, edhe Xhelon e transferojnë në Tiranë në Komitetin Qendror të Rinisë, instruktor për qarqet Shkodër, Kukës, Dibër dhe pas disa kohësh e zgjodhën në udhëheqjen më të lartë të rinisë. Më vonë edhe Nikën e sollën në Komitetin Qendror të Rinisë, shefe seksioni.


Vitet 50-60 ishin vitet që kuadrot që ishin me punë në Tiranë shpesh u kërkohej që vullnetarisht të shkonin të punonin në rrethet e tjera kryesisht në zonën verilindore. Nikës dhe Xhelos ju kërkua të shkonin në rrethin e Matit, Nika përgjegjëse e gruas, Xhelo sekretar i komitetit të rinisë. E pranuan me dëshirë, edhe pse familjarisht duhej të zhvendoseshin atje së bashku me dy vajzat që kishin në atë kohë, Arianën 3 vjeçe dhe Afërditën 4 muajsh. Në fillim të vitit 1958 u vendosën me banim në qytetin e Burrelit, i cili në atë kohë nuk kishte drita, ujë dhe as rrugë. Në Mat populli i priti mjaft mirë. Aty gjetën mikpritje, bujari e solidaritet të ngrohtë e vëllazëror.
Duke qenë me punë në Burrel në vitin 1963 kreu shkollën e partisë. Në vitin 1965 u diplomua për shkencat politiko-shoqërore. Në vitin 1973-1974 vazhdoi studimet po në shkollën e partisë për filozofinë. Kryerja e këtyre shkollave dhe kualifikimet e bëra ndihmuan në formimin e tij si intelektual dhe drejtues i asaj kohe, e bënë që të jetonte më afër shqetësimeve, halleve dhe problemeve të njerëzve.


Në vitet 1977-1980 shkoi vullnetarisht, sekretar partie në Kurdari-Gurrë, një ekonomi me 8 fshatra e 10.000 banorë.
Për punën e mirë dhe rezultatet e arritura, në vitin 1981 kthehet përsëri në Burrel në Komitetin e Partisë, ku qëndroi deri në daljen në pension, bile edhe një vit më tepër.
Tridhjet vitet që punoi e jetoi në Burrel për Xhelon ishin vitet më të mira të jetës së tijme, të bashkëshortes, por edhe të fëmijëve.
Pas më se 30 vjetësh pune e banimi në Burrel, në vitin 1988, pasi doli edhe në pension, në kohën që edhe vetë matjanët filluan të lëvizin e të ndërtojnë jetën në qytete të tjera të Shqipërisë e sidomos edhe jashtë vendit, edhe Xhelo lu kthye në Vlorë në qytetin e tij, me arsyen e vetme që kohën e mbetur të jetës të ishte më afër njerëzve të familjes e të afërmëve të tij.



 



Kololel Sotir Budina Kryetari i OBVL-së


 

Arkiva e gazetes