l
Faqe e Pare
Organizata

veterani arkiva
veterani Veterani

link Linke

 

KUSHTUAR PILOTIT DËSHMOR NDUE LOGU
SHQIPONJA E DUKAGJINIT

Nga Gjin MUSA
Analist & Botues i dy gazetave në Romë

“Njerëzit e bëjnë historinë dhe ajo u shkon pas. Ndue Logu, për shembull…nuk e ka ende të shkruar historinë e tij nga gazetarët e shkrimtarët.Po pena e kohës as ndryshket, as harron të shkruajë për atdhetarë si Ndue Logu…”

HYSNI MILLOSHI

 

NGJARJE NË POLIGON
Ajo ishte një ditë si gjithë të tjerat. Një ditë e mezit të shtatorit, me një diell që me kalimin e orëve fillonte e ngrohte më shumë. Në poligonin e qitjes në Farkë të Tiranës ishte një ditë e zakonshme qitjeje luftarake me granata dore. Qitje të tilla ishin normale dy herë në muaj dhe bënin pjesë në përgatitjen e rregullt luftarake të ushtarëve e kuadrove të regjimentit. Shefi i Armatimit të Regjimentit, oficeri Ndue Logu, drejtonte qitjen në poligon. Kishin filluar që në mëngjes, kur dielli sapo ishte ngritur mbi kreshtën e Malit të Dajtit dhe ngrohte me rrezet e tij atë luginë të ngushtë, të rrethuar me kodra të buta të pyllëzuara kryesisht me shqopë. Përmes kodrave, buzë një përroi të vogël, gjarpëronin transhetë luftarake, që i bënin të padukshëm ushtarët gjatë lëvizjeve në orët e stërvitjes.
Ushtarët vinin njëri pas tjetrit në pozicionin nga ku do të hidhnin granatat e dorës në drejtim të objektivit të vendosur brenda një rrethi të bardhë. Synimi ishte për ta hedhur brenda atij rrethi, pasi kishte siguri më të plota preçizioni në asgjësimin e armikut. Granatat e vërteta luftarake shpërthenin me zhurmë e ushtarët uleshin në transhe për të mënjanuar rrezikun e goditjes nga ciflat vdekjeprurëse. Ndue Logu, i ndiqte ata me vëmendje, me përkujdesje, me seriozitet e rreptësi për zbatimin e rregullores dhe të kushteve të sigurimit në poligon. Ai kishte punuar për 25 vjet si pilot dhe si kuadër drejtues i regjimentit të helikopterëve në Farkë. Por, pas 25 vjetësh, gjatë një vizite mjekësore, mjeku i dha një lajm të papritur e të hidhur për të: Nuk duhej të fluturonte më. Nuk kishte asgjë për t’u shqetësuar në gjendjen e tij shëndetësore në përgjithësi, por pas kaq vitesh në ajër, disa parametra fizike nuk janë më në lartësinë që kërkon një mision i tillë. E priti me hidhërim, por duhej të bindej. Kushtet e punës në aviacion e kërkonin edhe këtë. Kur doli jashtë në oborr, sytë vetvetiu i shkuan nga qielli, ku ai ishte mësuar të ngjitej sikur konkuronte me shqiponjat. E në mendje i erdhën fjalët e Leonardo Da Vinçit: “Njëherë ta keni provuar fluturimin dhe do të ecni tërë jetën me sytë në qiell”. Për të mos u ndarë nga regjimenti, kolegët e ushtarët, pranoi të mbulonte detyrën ushtarake që kryente tani.
Ora po shkonte 11. Bulëza djerse fillonin të dukeshin në ballin e ushtarëve me uniformë, por edhe të komandantit të tyre. Dielli i shtatorit dhe uniforma e bënin punën e tyre. Ishte radha e një djaloshi 19-vjeçar, pak i ndrojtur nga natyra. Ishte i fundit që do të kryente qitjen. Ndueja i rrinte afër, instruksionet e këshillat e momentit, si për secilin. Shokët, të gjithë djem të rinj, 19 – 20 vjeçarë, ishin fare afër e ndiqnin me vëmendje shokun e tyre që do kryente qitjen. Ai, mori nga pozicioni i zjarrit granatën dhe ja hoqi sigurecën. Në fraksione sekonde duhej ta hidhte atë drejt objektivit armik. Por në momentin kur shtriu krahun për ta hedhur, një çast pasigurie, bëri që granata t’i shpëtonte nga dora e të binte në tokë. Në dorë i kishte mbetur vetëm sigureca. Djaloshi e humbi toruan dhe u zverdh në fytyrë. Momente paniku dramatik tek fytyrat e shokëve. Papritur vdekja ugurzezë ishte shfaqur mes tyre e mund t’ua merrte jetën nga një sekondë në tjetrin. Sytë e tmerruar të të gjithëve ishin drejtuar tek ai objekt në formën e një veze e pak më i madh se ajo, që mund të shpërthente në mijëra copa e t’i godiste për vdekje.
Por, komandanti Ndue nuk e humbi gjakftohtësinë. Truri i tij punoi me shpejtësi marramendëse. Nuk mund të humbej qoftë edhe një fraksion sekonde. Jeta e atyre djemve 20-vjeçarë ishte në rrezik. Ai, si komandant, por edhe si prind, nuk mund ta lejonte këtë. Në shtëpi, kur kishte dalë në mëngjes, kishte lënë në gjumë dy vajzat e tij, ende të vogla, të cilat e prisnin me aq dashuri kur kthehej në darkë. Ata djem kishin prindër që i prisnin të ktheheshin shëndoshë e mirë nga shërbimi ushtarak e drithëroheshin për ta. Komandanti, me shpejtësi të rrufeshme kapi për krahu djaloshin e hutuar nga tmerri dhe e zhyti në transhe, duke e shmangur nga rreziku. Si një shqipe që hidhet pingul mbi gjarpërin, ai u hodh mbi granatën që ishte duke plasur. Me trupin e tij të lartë prej atleti zuri rrezen midis granatës dhe grupit të ushtarëve. Tentoi ta hidhte drejt objektivit, por granata plasi pa e marrë ende mirë rrugën. Një nga ciflat e mallkuara gjeti krahërorin e komandantit, duke çarë arterien kryesore të trupit të tij, aortën. Ai ra përdhe thuajse pa ndjenja. Gjaku filloi të vërshonte mbi uniformë që nga krahërori. Ushtarët, që i kishin shpëtuar rrezikut, u mblodhën të tërë rreth trupit të Komandantit. Ai, si nëpër gjumë, i hapi sytë me mundim, u hodhi një vështrim, ravijëzoi një buzëqeshje dhe mezi foli: Gjallë jeni të gjithë? E sytë e tij u mbyllën pa pritur përgjigjen…

PËRHERË NË FLUTURIM, NGA JUGU NË VERI
Ndue Logu u diplomua si pilot në vitin 1961. Filloi punë në aviacionin ushtarak të Tiranës, në kushte të vështira materiale, sepse u prishën marrëdhëniet politike, shtetërore e ekonomike me Bashkimin Sovjetik. Megjithatë e nisi punën me entuziazmin e një të riu që po kurorëzonte ëndrrën e tij. Ai u bë një nga pionierët e parë të aviacionit shqiptar. Në vitin 1965 u krijua reparti i helikopterave në Farkë dhe piloti nga Dukagjini, që ishte themelues i tij, filloi punën në atë repart. E priti me një gëzim të veçantë fillimin e fluturimeve me helikopterët. Tregonte një dashuri të veçantë për këta avionë, u rrinte gati ditë e natë pranë, shpesh sëbashku me mekanikët. Donte t’i njihte deri në detajet më të imta, në çdo vegël dhe funksionimin e secilës prej tyre, në mënyrë që kur të ishte në ajër të arrinte të kuptonte se si proçedonte ky funksionim gjatë fluturimit. Edhe pilotëve të rinj, që i përgatiste vetë, u thoshte shpesh: “Zëreni me dorë çdo vidhë e çdo tub, çdo dorezë e instrument, se kështu do t’u nguliten më mirë në mendje”. Helikopteri i tij, MI-4, që peshonte 7 ton, ishte shtëpia e dytë e tij.Madje ai kalonte më shumë kohë në helikopter e në repart se në shtëpi. Ndueja ishte aq vëmendshëm ndaj cilësive vetjake të pilotëve që përgatiste, sa edhe kur ndiqte skuadriljen e tyre nga toka arrinte të dallonte cili ishte njëri apo tjetri pilot në ajër. Ju drejtohej me fjalë sikur ata ishin duke e dëgjuar: Bravo Zhani,…ja edhe Luani,…jepi dorezës, jepi o Tafil…
Në 25 vite ai kreu mbi 5 500 fluturime e qëndroi mbi 11 mijë orë në ajër. Kur i pa këta tregues një gjeneral i NATO-s, tha që një karrierë të tillë do ta kishte zili çdo aviator edhe i aviacioneve më të mëdha. Ndueja startoi nga pistat e Tiranës e të Gjadrit, të Vlorës apo Kuçovës, qoftë në shërbime ushtarake e më tepër në shërbim të popullsisë nga jugu në veri në raste vështirësish të ndryshme. Aftësitë e tij prej aviatori të sprovuar e cilësitë njerëzore që e karakterizonin, i tregojnë me dhjetra e qindra episode nga fluturimet e tij.

JETOI NË QIELL E VDIQ NË QIELL
Le të kthehemi tek ajo ditë shtatori në poligon…

Ushtarët, të tmerruar, ishin mbledhur rreth trupit të përgjakur të komandantit. Ai i mbylli sytë, por njëri nga ushtarët e zuri nga dora dhe ndjeu se pulsi i tij rrihte akoma.
-Komandanti është akoma gjallë,- u thirri ai shokëve. Ata u vunë në lëvizje, lajmëruan komandën e regjimentit.Pa ndjekur procedurat normale mbi ngritjen e helikopterëve në fluturim, trupi i komandantit Ndue Logu u vu menjëherë mbi njërin nga helikopterët, që u ngrit me urgjencë në ajër për të marrë drejtimin e spitalit. Mjeku që ishte afër trupit bënte gjithë përpjekjet për ndalimin e gjakut. Minuta dramatike. Dukej sikur ai fluturim nuk do merrte fund kurrë, megjithëse reparti ishte në periferi të kryeqytetit e distanca ishte e shkurtër. Kur helikopteri po i afrohej hapësirës mbi spital, mjeku shqiptoi mes ngashërimit e lotëve:- Mbaroi. Por, kuadri Et’tem Mehmeti, nuk besonte. Ai e uli avionin në afërsi të spitalit ushtarak. E çuan trupin me shpejtësi në sallën e operacionit. Por edhe atje përgjigja ishte dëshpëruese e tragjike.


Zemra e pilotit trim nga Dukagjini kishte pushuar përfundimisht. Ai u rrit në ajër, jetoi në ajër dhe vdiq në ajër. Kështu vdesin shqiponjat.
Ishte 13 shtatori i vitit 1986. Bashkëshortja e pilotit trim, Vera, kujton: - E kisha përcjellë sa e sa herë mëngjeseve kur nisej për të bërë fluturimet e tij të zakonshme. Tashmë kishte 25 vjet që ishim mësuar me këto përcjellje e me pritjet në orët e vona të mbrëmjes. Po nuk e di, pse atë mëngjes, kur e përcolla deri tek hyrja e pallatit ku jetonim, ndjeva një shtrëngim të çuditshëm në zemër. Mbase nga që një natë më parë e kisha parë disi të preokupuar. Ishte qitja e parë me granata luftarake që do të bënin djemtë e, megjithëse kishin bërë disa stërvitje për këtë, ai nuk ndjehej i qetë, siç ndihej zakonisht në kohën kur kryente ende fluturime. Ra të finte vonë…E përcolla me sy derisa kaloi kthesën ku do të merrte autobuzin urban për të shkuar në repart. Nuk ma mori mendja se po e përcillja për herë të fundit për në punë.


Ngjarje të tilla, që konsideroheshin aksidente në detyrë, nuk bëheshin objekt i mediave dhe mbaheshin gati të fshehta. Dikush kërkoi që ta kalonte edhe këtë rast në heshtje. Ja thanë lajmin e hidhur familjes, dërguan trupin dhe u bë një ceremoni varrimi thuajse e heshtur. U mbajt një fjalë rasti thuajse rutinë e formale sa për të përcjellë trupin e tij në varr. Në varrimin e tij kishte zbritur edhe një malësor 92-vjeçar. Ai iu afrua arkivolit dhe me atë zakonin e malësorit për të shqiptuar vetëm pak fjalë, tha: -Eh more Ndue. Të përcollëm fëmijë e na erdhe hero… Ishin fjalë që vlenin më shumë se një fjalim. Ndue Logu vinte nga një familje patriote, ndër më të shquarat në veriun e Shqipërisë, që i kishte dhënë atdheut gjak jo vetëm në luftërat për pavarësi, por edhe në Luftën e Dytë Botërore. Pastaj vdekja e tij nuk ishte një aksident i rëndomtë. Ai kishte dhënë jetën e tij për të shpëtuar jetën e njëzet djemve të rinj ushtarë. Ishte një rast që nuk mund të kalonte në heshtje. Lajmin e vdekjes e mësova nga një shkrim që botonte gazetari e poeti Xhevahir Spahiu mbi këtë ngjarje, në gazetën “Zëri i Popullit”. Mbeta i shokuar me gazetën në dorë. Nuk mund të besoja që miku e ish komandanti im nuk jetonte më. I kisha ende sytë të përlotur kur arrita në shtëpi.Babai më pa të tronditur e më pyeti se çfarë kishte ndodhur. Nuk flisja dot, veç i zgjata gazetën. Ai e pa, mbeti i shtangur ashtu si unë, pastaj iu drejtua nënës: - Na bëj nga një kafe, se paska vdekë Ndue Logu. Nëna i përgatiti kafet në heshtje e pa sheqer, siç bëhej në raste zije. Na i solli në tabake e sytë i kishte të përlotur. E kishte njohur edhe ajo atë djalë të rrallë të maleve të Dukagjinit. Sa herë e takonte, i thoshte: Amanet të ma kesh Gjinin, se është më i ri se ti.
Babai po dridhte dy cigare duhan nga kutia, për vehte e për mua dhe m’u drejtua: Ti bir, humbe një shok të dashur, Dukagjini humbi djalin e Brashtës, pilotin e parë të bajrakëve, dera e Gjon Marashit humbi një tjetër trim, që ja dhuroi Atdheut.
Pas disa ditësh shkova në varri i tij dhe vura një buqetë me lule. Që aty më lindi ideja të shkruaja ndonjë gjë për të, ide që filloi me ndonjë shkrim apo poezi e që pastaj u kthye në obligimin për t’i kushtuar një libër.


Eshte e habitshme se si nomenklaturat e kohës të Ministrisë së Mbrojtjes kërkonin t’i varrosnin raste të tilla, e ndodhte që nuk informonin as në instancat më të larta. Madje edhe udhëheqësi i asaj kohe, Ramiz Alia, e mori vesh këtë ngjarje nga një shkrim i botuar nga vëllai i pilotit, Ndoc Logu bashkë me gazetarin Hysni Milloshi. Kishin kaluar tre muaj nga dita e rënies së Ndues në krye të detyrës, kur Ramiz Alia i dërgon letër prindërve e familjes së pilotit dhe familjes së Gjon Marashit. Letra mban datën 12 dhjetor 1986.


 



Kololel Sotir Budina Kryetari i OBVL-së


 

Arkiva e gazetes